“Reforma e imunitetit, “korrupsion me kompromis” dhe “ gjueti shtrigash me kompromis’

470
Sigal

INTERVISTA/ Prof. Dr. Myslim Pashaj, sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Kuq e Zi: “Berisha ka krijuar një shumicë qeverisëse, me një politikë të kapjes së pushteteve”

Shumëkush e shikon votimin e reformës të heqje/kufizimit të imunitetit si një plotësim politik i prioriteteve për marrjen e statusit kandidat. Ka edhe të paktë, që mendojnë se kjo reformë do të shënojë startin e një lufte kundër korrupsionit. Sekretari i Përgjithshëm i AK-së, Prof. Dr. Myslim Pashaj në intervistën për “Telegraf” e cilëson “ Kompromis të shtirë”, ndërsa pyetjes nëse PD-PS kanë vullnet politik të luftojnë korrupsionin, zoti Pashaj thotë se “ Nuk flitet për vullnet politik, pra PS, e cila është e detyruar të heqë jo vallen e saj, por koreografinë e një valleje,  të  shkruar nga PD-ja.”. Zoti Pashaj, vlerëson se “imuniteti dhe thagma e tij, do t’i vijë në grykë kundërshtarëve politikë”.

-Zoti, Pashaj, si mund ta cilësonit kompromisin PD-PS për heqje/kufizimin e imunitetit?

Ky është një kompromis nga zori! Sa do të gëzoheshin shqiptarët se midis Partive të ndryshme politike në Shqipëri të kish një kompromis të vërtetë, të nevojshëm  dhe jetësor për ardhmërinë e një shoqërie me synim demokracinë e ëndërruar. Kësaj “arritjeje” mund t’i themi  “ kompromis i shtirë ” sepse ato ia kanë njëra-tjetrës me hile, gjithnjë me hile e pas kësaj “harxhet i paguan populli”, mbasi midis të dyjave është krijuar një mjedis konflikti dhe urrejtjeje. PD ka krijuar një shumicë qeverisëse, me një politikë të qartë të kapjes së pushteteve, që me Presidentin e fundit, mbylli një cikël fitoreje të Berishës në synimin dhe shndërrimin e Demokracisë në një Regjim Autokratik. Kjo bashkëshoqërohet, natyrshëm nga krijimi i një parzmoreje mbrojtëse për palën e tij ndaj çdo kërcënimi që mund të vijë, mbasi tanimë dihet, se edhe kur korruptorët kampionë të atij krahu, e kanë dorëzuar vet parzmoren dhe ata nuk i ka gjetur gjësend.  Shembujt janë të njohur, Mehdiu, Basha, Meta, këta deputetë që “shkuan në litar vet”, dhe në çastin sublim, mrekullisht shpëtuan prej ndëshkimit. Shqiptarëve nuk u bën përshtypje se janë argasur. Prandaj, Berisha dhe të tijtë luajnë me terma, me lëvizje false, me sofizma politike,  duke e futur në grackë edhe tjetrën: PS e cila është në pikë të hallit, saqë edhe për një deponim të thjeshtë për raste të korrupsionit, e ngrys veten nëpër gjyqe që të paguajë miliona e miliona, mbasi është krijuar një ushtri e pas shpinës” ushtri e kapjes së madhe në drejtësi”

 –  Mos vallë ky kompromis është edhe dakordësi i PD-PS, që, më në fund, u ndërgjegjësuan se duhet luftuar korrupsioni?

Për cilën vetëdije mund të flitet, kur ashtu butë e butë dhe plot tigani korruptiv, ka vijuar nga viti në vit, jo vetëm në  sferë të jetës ekonomike por në të gjithë skutat e saj, një korrupsion  që është ngritur në sistem, që në Kohën e Nanos;  ndërkaq  ai tani ka futur rrënjët edhe më thellë, dhe lëshon përditë bimëza të së keqes. Midis të dy partive të mëdha ka një mosbarazim të dukshëm, në pamje të parë, mosbarazim  e  që bazën ligjore të të cilit ia kanë krijuar njëra-tjetrës po ato vet,  kështu që në momente të caktuara ia mbërrin “kompromisi” që e zhduk këtë mosbarazim dhe ne kujtojmë se u dhanë shenjat e një ardhmërie shpresëdhënëse. Po ky është një iluzion. Këtu prapë do të zotërojë korrupsioni, do të lëvizë gjuetia e shtrigave, e këto nuk janë gjë tjetër veçse “korrupsion me kompromis” dhe “ gjueti shtrigash me kompromis’.

–  A mund të bëhet fjalë se PD-PS kanë vullnet politik që të luftojnë korrupsionin me heqjen juridike të imunitetit, kur këto forca politike, nuk duan gjithsesi, të “xhvishen” nga imuniteti politik?

– PD ka zënë pozicione të epërme dhe e ka më të lehtë sulmin, dhe siç e thamë i heq “parzmoret imunitive” që  një pjesë e shoqërisë, dhe spektatorët ndërkombëtarë, të pëlqejnë skenarin dhe shfaqjen, ndërkaq morali i fabulës së saj, është se bashkësia politike e PD-së është pjesë e Përrallës Arabe “Ali Baba me dyzetë hajdutë”. Nuk flitet për vullnet politik as për tjetrën, pra PS e cila është e detyruar të heqë jo vallen e saj, por koreografinë e një valleje,  të  shkruar nga PD-ja.

 Ndryshimet që kërkohen në Kushtetutë për heqjen e imunitetit, a duhen te shoqërohen edhe me ndryshime të tjera për mirëfunksionimin e Kushtetutës?

– Ne tjerrim pyetje dhe përgjigje, në mediumet shqiptare, për të mbushur diskurset që krijojnë të dy partitë e mëdha, pas të cilave lëngon një shoqëri që duket se gjasme ecën në Yllin Polar të Kushtetutës (që ata e quajnë “Bibël” ) , por në fakt nuk është kështu, mbasi orientimin e atij Ylli Kombëtar ato mund ta prishin e shndërrojnë sa herë të duan, ashtu siç e kanë bërë. Këtij themeli ustallarët i vendosin, lëndë dhe ide që nuk përshkohen nga fryma e vërtetë e një shoqërie demokratike, por sipas orekseve të kastave politike që e kanë mbërthyer në fyt Shqipërinë.

 Marrja e statusit në tetor do të thotë që Shqipëria ka arritur standardet demokratike, që Europa ka kushtëzuar në 12 prioritetet?

– Statusi duhet marrë, por si mund ta kuptosh që nesër e merr Statusin Kandidat, ndërkaq jemi shumë larg standardeve demokratike?  Këtu ka një mos kërkim të madh mbi llojin e ngrehinës demokratike që realisht po ndërtojmë dhe orientimit ku duhet të shkojmë. Le të kujtojmë që ne u bëmë anëtar në NATO dhe në brinjë të vendimit ndërkombëtar shpërtheu korrupsioni shtetëror i Gërdecit, si një nga dëshmitë më drithëruese dhe me të përgjakshme, që gjeti sferën e Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së vendit, ku protagonist ishte jo vetëm Ministria e Mbrojtjes, por edhe vet Kryeministri. Dhe ne jemi në NATO. Ashtu dhe për statusin, ne mund të shkojmë drejt tij, duke paraqitur një model që thuhet se është ndërtuar me dymbëdhjetë prioritete, kurse në “torbën shqiptare” merr frymë vetëm shejtani.

A interesohen vërtet  ndërkombëtarëve që kompromisi politik i palëve të sjellë produkt demokratik në interes të integrimit të Shqipërisë?

Do të rithemi deri në lodhje, se nuk mund të pranojmë “reforma për reformë” , “ plotësim kushti dhe prioriteti”  se “këto janë detyrat që na ka vënë Europa” , pra të lundrojmë në një kohëhapësirë fiktive. Të dy partitë e mëdha patën konsensus, dhe kjo histori me përralla mbaroi, u plotësua dhe një detyrë e vënë nga ndërkombëtarët. Vëreni tablonë dhe bëni një parashikim për të nesërmen, a thua me të vërtetë, se do të krijojmë një produkt demokratik të shpresuar?  Ne mendojmë se JO. Ndërkombëtarët nuk mund të kenë forcën e magjishme që të ndryshojnë gjërat në Shqipëri, për këtë vet shqiptarët duhet të ndërtojnë strategjinë e vërtetë të zhvillimit dhe integrimit demokratik.

 Kompromisi PD-PS për reformat dhe AK-ja

Aleanca Kuq e zi ka mendimin se kjo që po bëhet me imunitetin nuk është reformë por një prapareformë. Imuniteti nuk është diga që mban Korrupsionin e po kështu ky “shpëtimtari “ s’besoj të ketë një forcë të shënjtë që të krijojë një klasë të re politike me vetëdije demokratike për shqiptarët e mashtruar. Kjo duhet të kuptohet. AK është kundër diskutimeve boshe, kundër kësaj loje të ndyrë dhe antishqiptare. Ky është një qerthull kapitës dhe i lodhshëm U mësuan shqiptarët me histori diskursesh të tilla, të cilat krijohen enkas për të tërhequr vëmendjen e bashkësisë se politika po bën vepra me “imunitet dhe pa imunitet” kur ajo mbi shpinë të saj ka halle të mëdha. Aleanca Kuq e Zi, e ka bërë të qartë, që në krye të herës, se fajtorë për gjendjen e reformave është politika shqiptare, e cila në 20 vjet nuk ka hedhur dot as njëzetë hapa, drejt asaj maje që përfytyrohet të ngjitet, dhe jemi shumë larg prej atij objektivi. Sot kemi të formatuar modelin e një Regjimi Pseudodemokratik.

 – Ju faleminderit!