Referendumi për shkarkimin e Bashës, nesër votojnë 76 mijë anëtarë të PD

198
Sigal

Mbi 76 mijë anëtarë të Partisë Demokratike do të kenë mundësi të ratifikojnë nesër vendimin e Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e Lulzim Bashës nga posti i kreut të kësaj force politike. Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD, Belind Këlliçi u shpreh se në të gjithë vendin janë marrë masat për zhvillimin normal të procesit. Edhe drejtues të degëve të PD në rrethe kanë dhënë detaje nga përgatitjet për këtë proces.

Anëtari i Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi foli për procesin e referendumit të ditës së nesërme, ku anëtarësia do të ratifikojë vendimin e Kuvendit Kombëtar për shkarkimin e Lulzim Bashës. Këlliçi u shpreh se procesi i votimit do të nisë në orën 8 të mëngjesit me 106 qendra votimi në 71 degë të Partisë Demokratike.

Në total janë 76 mijë anëtarë të Partisë Demokratike me të drejtë vote, ndërsa Belind Këlliçi tregon dhe se çfarë do të ndodh pas referendumit.

Deputeti dhe njëherazi anëtari i komisionit të rithemelimit, Tritan Shehu së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike në Gjirokastër Dasho Aliko, treguan se në këtë qark janë bërë përgatitjet për referendumin e ditës së shtunë.

Besnik Kastrati, Sekretar i PD në Shkodër për çështjet zgjedhore, u shpreh për mediat se nesër pritet pjesëmarrje e lartë e anëtarësisë në votim, ndërkohë që hodhi poshtë zërat për incidente, pasi sipas tij, demokratët betejën e kanë me Edi Ramën dhe jo me njëri tjetrin.

Agron Loka, kryetar i Partisë Demokratike në Fushë Krujë deklaroi gjithashtu se në këtë zonë do të votohet në dy qendra votimi, ndërsa materialet zgjedhore janë gati.

Procesi i votimit të referendumit do të nisë në orën 8:00 të mëngjesit dhe do të vijojë deri në orën 17:00 pasdite.