Rebelohet baza e Partisë Socialiste

497
Sigal

 “Deputetët nuk po mbajnë premtimet, na mashtrojnë”

 Zhgënjimi

 Prej disa ditësh  selia e PS-së në Elbasan, ka nisur të mbushet me simpatizantë të kësaj partie, por kësaj here jo për të dorëzuar ndonjë CV, apo kërkesë punësimi, (sepse ato janë dorëzuar tashmë), por  për të shprehur indinjatë e zhgënjim.

“Harresa” e deputetëve

Kjo lidhet me braktisjen, siç e quajnë ata, të deputetëve dhe qeveritarëve, duke mos mbajtur dhe plotësuar qoftë edhe një premtim të vetëm. Elbasani është qyteti që sot ka afro 20 mijë të papunë, shumica moshë aktive, një biznes në asfiksim të plotë dhe mjaft probleme sociale. Është ndër qytetet e mëdha të vendit, ku në 8 vjet as janë investuar, por edhe nuk janë duke u programuar të investohen edhe për 4 vitet e ardhshme. Por ajo që ka nxitur shqetësimin dhe indinjatën e simpatizantëve  socialistë, është “harresa” e deputetëve, braktisja e takimeve, qoftë edhe formale, me ata që u dhanë votën në 23 Qershor, ngadalësia me të cilën po bëhen emërimet në institucione dhe ndërmarrjet e shtetit, apo edhe emërimet e deritanishme. Këto të fundit, pra emërimet e reja,  janë një tjetër shqetësim për bazën socialiste.

Deputetët dhe drejtuesit e rinj emërojnë farefisin

Simpatizantët socialistë më shumë irritohen, pasi shikojnë se  “deputetët dhe dega e PS-së në Elbasan, por  dhe ministrat po emërojnë drejtues dhe zëvendës të tyre, miq, shokë e farefis, të cilët nuk kanë kontribuar fare në fitoren e PS-së”,  duke u  kthyer  kësisoj krahët atyre simpatizantëve që dhanë gjithçka për PS-në.

Flet simpatizanti i PS-së

Idajet  Begolli  është një simpatizant i zjarrtë i PS-së, që njihet si i tillë në Elbasan, banues në lagjen “5 Maj”, tha për “Telegraf”: “Kam harruar familjen, fëmijët, njerëzit e mi, dhe ju përkushtova në 8 vjet partisë time, kurse në 23 Qershor si fis dhe familje shkrimë gjithçka, bëmë një muaj fushatë ditë e natë, për të marrë votat e fitores së 23 Qershorit, por tani as kujtohet njeri për mua. Dhe si unë ka me qindra që ndjehen të injoruar dhe të turpëruar”. Idajeti ka punuar ekonomist në Degën e Tatimeve  Elbasan, por në 2005-n, ai u larguar nga puna nga ish-drejtuesit e PD-së si shumë të tjerë. Por ai shprehet se, “sot ndjehem më i braktisur se kurrë, sepse më ka kthyer krahët partia ime, asaj të cilët i kushtova  jetën time, kontributet e mia dhe të një farefisi”.

Deputetët u fshihen qytetarëve

 Por, si ky qytetar i Elbasanit, janë edhe shumë të tjerë simpatizantë të PS-së, të cilët sot as nuk po mundin të flasin në telefon me deputetët e tyre, pasi ai nuk hapet për ata kurrë. Por edhe takimet e të premteve, kur deputetët gjoja i kanë caktuar  “për takimet me popullin”, pothuajse janë fshirë nga axhenda e ligjvënësve të Elbasanit. Të tilla pakënaqësi kanë edhe simpatizantët e Cërrikut e Gramshit, të cilët e kanë të pamundur të qajnë një hall dhe të zgjidhin një problem me deputetët e tyre.

Rebelimi i bazës së PS-së në Elbasan, ka ardhur duke u rritur  ditët e fundit, kur ata kanë  mësuar lajmin se Rama ka deklaruar se, “nuk ka punësime të atyre që nuk e meritojnë”. Kjo, pasi në radhën e simpatizantëve socialistë në këtë qytet, ka mësues, ekonomistë, juristë, inxhinierë, policë e oficerë të graduar, mjekë e infermierë, apo edhe zanatçinj, që në 8 vjet mbetën pa punë, pasi u larguan nga ish-drejtuesit demokratë për motive politike, duke mbushur vendet e tyre me militantë të PD. Fakti është që emërimet dhe ato punësime të reja që janë bërë në institucionet e shtetit në Elbasan, mbeten të kontestuara nga baza e PS-së, por tek-tuk edhe nga ndonjë deputet socialist, pasi nuk përmbushin kriteret profesionale. Por ka edhe më keq akoma, si institucioni Drejtorisë Arsimore Rajonale, i cili prej 3 muajsh ka mbetur pa drejtues, duke krijuar kaos dhe amulli në strukturat e saj vartëse.

Takimi simpatizantë- PS, lihet për në …2015-n

Por, gjithsesi, duket se kjo situatë do të vazhdojë gjatë, kurse deputetëve socialistë do t’u duhet të trokasin sërish në dyert e simpatizantëve të tyre,  ndoshta vetëm me afrimin e fushatës së afërt elektorale  për të  zgjedhur kryetarin e bashkisë dhe komunave. Deri atëherë, mbase do të punësohet ndonjë simpatizant “problematik”, për të rinisur nga e para premtimet e radhës, sa për t’i marrë atyre sërish votën.

 Skënder Gjinushi: Rama nuk respektoi marrëveshjen, nuk është afatgjatë në pushtet

Edhe në 2011-n shpërblimi ishte njëlloj, pra PS-ja nuk afroi asnjë bashkëpunim, përkundrazi. Dhe sigurisht, edhe në 23 Qershor 2013, u duk qartë që marrëveshjet e shkruara nuk u realizuan, nuk u respektuan dhe, sigurisht, ato nuk respektohen as sot. Ne nuk kemi rënë t’i kërkojmë PS-së zbatimin e marrëveshjes. Por marrëveshjet mbështeten mbi moralin, mbi rregullat e lojës. Në qoftë se nuk respektohen marrëveshjet, detyrimet, apo reciprociteti me aleatët, nuk je afatgjatë në pushtet. Sepse, kur mbetesh pa aleatë të vërtetë, e ke të vështirë të fitosh.  Besoj se do ketë një reflektim mbi këtë gjë, nëse Rama do të ketë aleat real. Nëse do vazhdojë me këtë lloj zgjedhjeje, sigurisht, që perspektiva nuk është e mirë.

Një ish-deputet i zonës: “Ndihemi të braktisur”

Ish-deputeti, që nuk do të identifikohet, në bashkëbisedimin tonë, pohon se, gjatë fushatës elektorale, ai, si edhe të gjithë të tjerë, punuan shumë në terren, derë më derë dhe premtuan te simpatizantët, që do të hapnin vende pune. Mirëpo, pas fitores, duke parë që simpatizantëve nuk u jepet asgjë nga ato që premtuan, e ka të vështirë, që të dalë edhe nga dera e shtëpisë, pasi simpatizantët i thonë “Pse na gënjeni”.  Ish-deputeti, shton: “Edhe mua më kanë premtuar për t’u punësuar, por e shoh, që portat më mbyllen gjithandej.”

 Kryetari i një partie aleate: ‘Unë jam i papunë, tani nuk kam asnjë të ardhur në familje”

Kryetari i një partie aleate të së Majtës, partia e të cilit në zgjedhjet e 23 Qershorit u rendit në vendet kryesuese të partive të vogla, pohon se, tashmë i ka humbur fare shpresat se Rama do të zbatojë marrëveshjen me aleatët, pasi mendon se Kryeministri kujton se e ka të siguruar çdo fitore  me Metën në aleancë. “Unë tani jam i papunë, familja ime nuk ka asnjë të ardhur tjetër. Ndaj jam në vështirësi dhe kërkoj çdo lloje pune”.

 Marko Dajti: “Do të krijojmë Aleancën e Majtë të Vërtetë”

Sekretari i Parë i PPSHR Marko Dajti, thotë se, aleatët do të presin deri në fund të dhjetorit, nëse Kryeministri Rama, do t’i ftojë edhe aleatët në qeverisje. “Nëse Rama nuk respekton marrëveshjen, atëherë, kemi biseduar të gjitha bashkë dhe kemi rënë dakord,  që pas janarit, të krijojmë Aleancën e Majtë të Vërtetë dhe kam propozuar që Gjinushi e Milo të jenë bashkëkryetarë.