Nuk e njohim Bashën si kryetar të PD-së, pasi nuk mund të kesh besim te një njeri që ka humbur 5-6 herë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula në një reagim duke folur për përçarjen në PD dhe zgjedhjet e 29 korrikut u shpreh se nuk e njeh Bashën si kryetar të Partisë Demokratike dhe se duhet një fytyrë e re e pakonsumuar që ta drejtojë atë. Reagimi i Dashnor Sulës u bë të hënën gjatë një dalje publike. Deputeti demokart më tej tha se nuk mund të kesh besim te dikush që ka humbur 5-6 herë. “Ne si grup nuk e njohim Bashën si kryetar të PD-së, pasi nuk mund të kesh besim te një njeri që ka humbur 5-6 herë. Nuk kam shkuar as në mbledhjen e Kryesisë, pasi nuk e njohim atë Këshill, kryetar apo zgjedhje. Zotëria mund të thotë që unë mund të jem anëtar, por e shoh që u bë dita e dytë që vërshojnë lum urimet. Nuk po ngel asnjë vend pa e uruar për këtë fitore. E kuptoni ku jemi katandisur? Kjo është një turp. Kishte shanset që pas dorëheqjes të jepte kontributin e tij. Kishte një vit e ca që u largua nga skena dhe kishte mundësi për të kontribuar në Parlament me diskutime. I futi ca pushime dhe shyqyr që ndodhi luftë në Ukrainë, e u rikthye. Vishet me bluza si Zelenksy, edhe gruaja e Zelenskyt thotë “kush na i vjedh bluzat nw tela?” Është bërë meme. Nëse humb 5-6 herë rresht, ke besim te unë? Ke dalë nga kategoria? Çfarë ka ndryshuar te ty? Je bërë më i bukur, më i zoti? Ishalla ka bërë ndonjë shpikje, se rrota është bërë.”- u shpreh deputeti demokrat Dashnor Sula.
Nallbati: Grupi parlamentar nuk e njeh Bashën si kryetar të PD-së
Sekretari i Përgjithshëm dhe Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, nuk e njeh procesin që zgjodhi Lulzim Bashën në krye të partisë për një mandat të katërt. Këtë e deklaroi të hënën deputeti i Korçës, Bledion Nallbati, i cili u angazhua me mbledhjen e 254 firmave për Këshillin Kombëtar, që anulloi zgjedhjet, është i qartë në qëndrimin e mbajtur. “Nuk ka zgjedhje në PD. Ka patur mbledhje të Këshillit Kombëtar që ka vendosur që në PD të mos ketë zgjedhje në 29 korrik. Kur nuk ka zgjedhje, nuk ka kryetar. Lulzim Basha mund të pretendojë se është dhe President i SHBA, por nuk është.”- tha deputeti Nallbati, i cili përmend për herë të parë dhe disa premtime që u janë bërë demokratëve gjatë fushatës së zotit Basha. “Pas zgjedhjes të zotit Basha, mbështetësve të tij u është thënë që “PD bëhet më e fortë dhe merr pushtet”. Disave u është thënë “marrim vendet që na takojnë në opozitë, se opozitës i takojnë 40 mijë vende pune”. Këto u janë thënë nga drejtimi i partisë, nga zoti Basha dhe mbështetësit e vet. Deputeti demokrat mbron me forcë tezën se PD nuk mund të bëhet e fortë, nuk mund të perballet me qeverinë duke qenë e ndarë. Megjithatë, zoti Nallbati kujdeset të rrëzojë atë që e quan alibi të grupit Basha se me përpjekjet për të mos njohur ligjërisht procesin zgjedhor të Bashës, PD po i dorëzohet Sali Berishës. “Është alibi për të justifikuar atë që janë duke bërë. Është grupi parlamentar ai që sot e ka mbajtur gjallë këtë parti. Nëse do të ishte dorëzuar grupi, do të kishe sot PD? E mbajti kryesia PD-në, nëse do të ishte dorëzuar kryesia? Ne as e kemi çuar, as kemi ndërmend ta çojmë tek Sali Berisha. Por ne nuk kemi synim të zvogëlojmë PD, siç bëri pjesa tjetër me një të rënë të lapsit, nga 75 mijë anëtarë e çoi në 25 mijë. Duke përjashtuar njerëz, nuk mund të rritesh”,- u shpreh deputeti Bledion Nallbati.