Raporti i DASH për terrorizmin, Irani i infiltruar në Shqipëri me grupe terroriste

649
Rreziku nga terrorizmi është një nga pikat kryesore të prekura në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit mbi terrorizmin, vazhdon të bëjë jehon në mediet Iraniane. Sipas raportit Irani ka vazhduar edhe gjatë vitit 2016 të shtrijë rrënjët e tij me terrorizmin. Ndërkohë sipas Iran News Update, DASH ka paralajmëruar vendet e Ballkanit, duke vënë theksin kryesisht tek Shqipëria. Vitet e fundit në vendin tonë me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, janë strehuar mijëra Iranian, të cilët kanë akuzuar vendin e tyre për keqtrajtim dhe barbarizëm. Numri i Iranianëve të futur në vend është tepër i lartë, megjithatë Ministria e brendshme, asnjëherë nuk i ka bërë shifrat publike. Për shtetasit Iranian të futur në vendin tonë, ka pasur një marrëveshje të firmosur edhe nga Sali Berisha. Ndërkohë që në vitin 2014 një tjetër marrëveshje me Amerikën u firmos nga kryeministri Edi Rama. Ardhja e muxhaedinëve në vendin tonë ka sjell edhe dyshimet se brenda tyre fshihen element terrorist. Këto dyshime janë prekur edhe në raportin që Departamenti Amerikan i Shtetit ka hartuar për këtë qëllim. Ndërkohë që vendi ynë është përfolur si një prej vendeve të Ballkanit, ka grupet terroriste kanë gjetur strehim. Mediet iraniane e kanë konsideruar vendin tonë si një pjesë e Ballkanit, i cili mbështet terrorizmin. Një prej analistëve Iranian është shprehur se “ ashtu si në Bosnje Irani ka tentuar të infiltrohet edhe në Shqipëri duke krijuar shoqata bamirëse dhe organizata kulturore që shërbejnë si organizata të fshehta për trupat e Gardës Revolucionare Islamike dhe Ministrinë e Inteligjencës. Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë arritën një marrëveshje unanime për të lejuar një numër të madh anëtarësh të grupit opozitar , MEK, që të vendoseshin në Shqipëri vitin e Kaluar” , thuhet në shkrimin e botuar në një prej medieve iraniane. Po kështu në shkrim citohet se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë vigjilente dhe të bashkohet me sanksionet e SHBA kundër IRGC-së. 

Shqipëria është vendi kryesor në botë ku po strehohen anëtarët e organizatës Muxhahedinët Popullorë të Iranit (MEK)—e cila konsiderohej, deri pak vitesh, organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore. Sipas burimeve iraniane, më datën 6 shkurt 2016 në Shqipëri mbërritën, nga kampi i tyre në Irak, 22 muxhahedinë, duke e çuar numrin total të muxhahedinëve të strehuar deri tani në vendin tonë në rreth 750. Ky numër përbën rreth 70 për qind të gjithë muxhahedinëve të MEK-ut të strehuar në vende të treta me ndërmjetësimin e SHBA-ve. Vendosja e tyre në Shqipëri filloi në vitin 2013, pas pranimit nga ish Kryeministri Sali Berisha të kërkesës së qeverisë amerikane për të pritur rreth 210 muxhahedinë, të cilët qeveria amerikane duhet të shpërngulte nga baza e saj ushtarake në Irak, pas tërheqjes nga ky vend. Në vitin 2014, Kryeministri Edi Rama pranoi strehimin e qindra muxhahedinëve të tjerë, të cilët kanë mbërritur në vazhdimësi që atëherë në grupe të ndryshme. Vendimet e qeverive Berisha dhe Rama për pranimin e muxhahedinëve nuk janë bërë asnjëherë publike, prandaj informacioni rreth tyre është minimal. Nuk dihet numri total i muxhahedinëve që qeveria jonë ka pranuar të strehojë, nuk dihen kushtet e pranimit dhe statusi që ata do të gëzojnë, nuk dihet vendndodhja dhe kushtet në të cilat ata jetojnë. Media të ndryshme botërore kanë deklaruar, vitet e fundit, se Shqipëria ka rënë dakord të pranojë një numër të madh muxhahedinësh, që burime të ndryshmë e vlerësojnë nga 1 mijë deri në mbi 2 mijë, nga rreth 3100 muxhahedinë që duhet të shpërngulen në total. Burime të ndryshme iraniane, kredibiliteti i të cilëve është i vështirë të verifikohet, kanë pretenduar, herë pas here, se Shqipëria do të jetë baza kryesore e muxhahedinëve, të cilëve u është premtuar këtu një terren i përshtatshëm për të ndërtuar një kamp banimi , ku të mund të zhvillojnë jetën e tyre sociale dhe ekonomike.
Sigal