Luçiano Boçi: Basha i përfshiu në Listën e PD-së kryetarët e partive aleate, Rama i braktisi aleatët e vet

508
Jakup B. GJOÇA
Basha nuk ka pranuar kushtin e Ramës për mosbërje aleancash, por i detyruar prej shumë faktorëve, ka pranuar datën 25 qershor, e cila pengon regjistrimin e këtyre aleancave. Data ka qenë kërkesë ekskluzive e vetë Ramës. Ai dorëzoi 18-n, por kërkoi të ruante paksa nderin e vet
Luçiano Boçi, deputeti i PD në intervistën për gazetën “Telegraf” u përgjigjet kritikave që i bënë kryetarit të PD, Bashës, që me marrëveshjen me Ramën, braktisi aleatët e vet, derisa dakordësoi me Ramën, për mospranim aleancë elektorale. Zoti Boçi, pohon se ishte Rama, që këmbënguli për datën e zgjedhjeve të mos shtyhej, për të mos u dhënë mundësi partive politike të bënin aleancë zgjedhore, por kryetari i PD i përfshiu kryetarët e partive politike aleatë në Listën e Kandidatëve për Deputetë të PD, duke u dëftuar mirënjohje. 

Zoti Boçi, përshtypja e parë që la te shqiptarët, por edhe te Opozita, marrëveshja Rama-Basha, është se zoti Basha “I shiti” aleatët që e mbështetën fort në Protestë, derisa nuk do të bëjnë koalicion parazgjedhor. Ju, si do t’i përgjigjeshit kësaj kritike?
Nuk ka kurrfarë “shitjeje” apo dilema të tjera të përafërta me këtë gjoja opinion. Më shumë se i tillë, ai duket se është një gatim propagandistik i tipit “fushatë”. Për aleatët tanë që na mbështetën pa rezerva dhe me përkushtim ka vetëm mirënjohje dhe falënderim. Refuzimi që i bënë ato ofertave marramendëse të mazhorancës për t’i tërhequr në vathën e tyre do të shënohet si pikë e rëndësishme politike e vendosjes së një standardi ndershmërie që meriton respekt dhe vlerësim. Mungesa e koalicionit zgjedhor me ta, e kushtëzuar nga data dhe nga dinamika e ecurisë regjistruese nuk e zbeh aspak bashkëpunimin dhe përkushtimin e PD për t’i dhënë atyre vlerën e takuar politike.

Kodi Zgjedhor nuk e ndalon krijimin e aleancave parazgjedhore. Atëherë, a është legjitim, një kompromis midis 2 partive të mëdha, duke përjashtuar partitë e vogla, që të bënin Koalicion parazgjedhor, qoftë me çdo parti, por edhe me midis tyre, një Pol të Tretë zgjedhor? 
Kodi Zgjedhor e ka të qartë afatin kohor të regjistrimit të aleancave parazgjedhore dhe partitë që sot ankimohen për pengim, e që janë tashmë regjistruar si subjekte, mund ta kishin bërë një gjë të tillë në momentin e përcaktuar në Kod. Ato nuk duhet të rrekeshin të bënin “lojën e madhe” të politikës, duke pritur se çdo bëjë PD dhe aleatët e saj, e duke u përpjekur të “luanin” rolin e opozitës brenda mazhorancës. Pengesa e tyre është pikërisht atje ku ato kërkojnë dhe daljen, në kodin zgjedhor. Respektimi i datës nga ana e tyre do t’i kishte gjetur sot bashkë. Por zgjodhën të vështrojnë, duke tejkaluar afatet. Sot është e pamundur të realizohet, jo se nuk do thjesht marrëveshja, por sepse nuk e lejon Kodi, i cili përllogaritjen e nis nga data e zgjedhjeve që është 25 qershori. Mos harrojmë që kjo është një datë e kushtëzuar me ngulm nga Rama. Këto parti duhet të orientohen kësisoj qartë tek faktorët që i penguan të kalojnë në aleancë.

Cilat kushte të Opozitës, që parashtroi gjatë Protestës, u përfshinë në marrëveshjen Rama Basha?
Shumë prej kushteve përfshirë ato më themeloret: qeveri teknike, një reformë e plotë zgjedhore e iniciuar, ndryshime themelore në Kodin Zgjedhor që përmirësojnë dhe rrisin besimin për zgjedhje të lira e të ndershme, elementë garantues që prekin; si mospërfshirjen e administratës e policisë, ashtu dhe ato që lidhen me reklamën e financimin e partive politike.

Kushti i parë i Opozitës, në ditët e protestës, ishte që nuk pranonte zgjedhje parlamentare me Kryeministër Ramën, pasi votat rrezikohen të blihen dhe të manipulohen. Atëherë, kryetari i PD, zoti Basha nga kush u detyrua, u imponua, që nënshkroi atë marrëveshje me kryeministrin Rama?
Rama de jure është kryeministër, por de facto nga të gjitha indiciet politike dhe ekzekutive është i rrëzuar. Është thjesht një kryetar partie, që në sajë të qaramanizmit të vet mban një karrige pa këmbë, por që ai e quan të rehatshme për një situatë zgjedhore. Basha në kalkulimet e veta nuk ka gabuar dhe suksesi i tij është i pakundërshtueshëm, pavarësisht rolit krucial që luajti faktori ndërkombëtar në gjetjen e një formule të përshtatshme për kërkesat tona legjitime dhe ngulmimet e mazhorancës. I detyruar dhe i sforcuar nga çdo këndvështrim ishte Rama dhe jo Basha.

Gjithashtu, Opozita nuk pranonte të bëhen zgjedhje parlamentare pa numërimin elektronik. Në marrëveshjen Rama – Basha ky opsion nuk u përfshi. Përse u tërhoq zoti Basha?
Ky opsion është pranuar të implementohet i plotë pas një reforme tërësore në zgjedhjet e ardhshme më të afërta. U gjykua që një zgjidhje e pjesshme dhe e shpejtë do krijonte kaos në mënyrën e votimit dhe të numërimit. Ka qenë një pikë shumë e diskutuar dhe e mbajtur fort nga mazhoranca. Këto arsyetime u mbështetën dhe nga faktori ndërkombëtar. Megjithatë, garancia që buron nga ky element është kompensuar me masa të tjera brenda marrëveshjes. Nuk mund të them, se në pasojë këto masa janë adeguate më votimin e numërimin elektronik, por sjellin përmirësime për një proces transparent votimi e numërimi.

A është e mjaftueshme, vetëm zëvendësimi i kryetarit të KQZ-së, për garantimin e mosmanipulimit të votave?
Sigurisht që jo dhe madje nuk besoj se arsyetimi përmban këtë formulim. Është diçka më e gjerë dhe me kuptim më shumë politik, se sa teknik.

Atëherë, përse Opozita e pretendoi domosdoshmërinë e numërimit elektronik? Të mos harrojmë, që zgjedhjet parlamentare të 2013-s u zhvilluan me një KQZ me 4 anëtarët e mazhorancës së atëhershme, pa asnjë anëtar të Opozitës. 
Po sepse numërimi me grupe të barabarta përfaqësimi, është një teknikalitet që buron nga Kodi, por që nuk kontrollohet në cilësi e shumë aspekte nga KQZ. Ne kërkuam si pjesë e ndershmërisë së procesit, transparencës e shpejtësisë së daljes së rezultatit dhe e ngulmimit të partive të vogla, të cilat shpesh bien pre e oreksit të partive të mëdha që kanë realisht numëruesit në komision. Ne jemi vendi që mbajmë kampion në vonesën e daljes së një rezultati. Çdo vonesë ka pasoja manipulative më pas, sepse pesha e faktorëve subjektivë në këtë fazë fillon e rritet dhe ka një ndikim shumë të madh.

PD gjatë gjithë ditëve të Protestës, ishte NJË me aleatët e vet politikë. Atëherë, përse zoti Basha pranoi kushtin e Ramës, që të mos bëni aleancë parazgjedhore?
PD vazhdon të jetë një me aleatët. Tani, madje dhe më shumë, përderisa një pjesë e tyre janë pjesë integrale e listave të PD. Basha nuk ka pranuar kushtin e Ramës për mosbërje aleancash, por i detyruar prej shumë faktorëve, ka pranuar datën 25 qershor, e cila pengon regjistrimin e këtyre aleancave. Data ka qenë kërkesë ekskluzive e vetë Ramës 

Kjo pikë e marrëveshjes Basha – Rama, (që të mos bëni koalicion parazgjedhor me këtë Kod Zgjedhor), a nuk penalizon politikisht partitë e vogla, që ose të bëhen bishtra të partive të mëdha, ose të zhduken nga spektri i pluralizmit politik në Shqipëri?
Fakti që një pjesë e tyre do të kenë përfaqësues të sigurt në parlament për shkak të vendeve në listat e PD, i bën ato zë të fuqishëm dhe parti vendimmarrëse për situatat paszgjedhore dhe me rol të rëndësishëm. Ato që aspiruan të jenë në sqetullën e PS, t’i bëjnë vetë kalkulimet e tyre. E qartë nga kjo marrëveshje është se PD nuk ka tentuar dhe nuk tenton eliminimin e asnjë force politike, që ka dhe gëzon mbështetjen elektoratit shqiptar.

Zoti Boçi, në Kodin Zgjedhor nuk u bë ai ndryshim i Ligjit për financimin elektoral të partive dhe subjekteve politike, siç kishte kërkuar Opozita gjatë Protestës. Atëherë, derisa Ligji dhe Kodi Zgjedhor nuk bëjnë transparencë financimin elektoral, a nuk rrezikohet Vota të blihet në 25 qershor 2017?
Ndryshime që sigurojnë një transparencë më objektive dhe më të kontrolluar në Kod për financimin e partive politike, do të bëhen, brenda formulimeve që lejon vetë Kodi e Kushtetuta. Këto do të pasohen me ndryshime të thella në reformën e pritshme zgjedhore pas qershorit 2017. Me ndryshimet e reflektuara nuk mund të pohojmë që nuk rrezikohet plotësisht shit-blerja e votës. Them se është ende një rrezik permanent. Rrezik ky i rritur me paratë e pista të drogës e korrupsionit në qarkullim. 

Nuk e kuptuam, ministria e Drejtësisë dhe e Arsimit, apo drejtoritë e përgjithshme, si OSHEE, ALUIZNI, përse u “depolitizuan” për një muaj?
Nuk pohoj që u depolitizuan sa hap e mbyll sytë, por pohoj që do tentohet të mbahet në kontroll politizimi i skajshëm evident i tyre, nëpërmjet shumë mënyrave ligjore. Efekti më i parë është çlirimi nga trysnia e detyrimit për të dhënë votën në këmbim të ruajtjes së vendit të punës, sjellja e votave shtesë me dhunë, apo pjesëmarrja e detyruar në takime elektorale, të cilat nuk janë pak. Zoti Boçi, PS por edhe PD asnjëherë nuk kanë fituar zgjedhjet parlamentare, pa koalicione zgjedhore. Edhe tani, me këtë Kod Zgjedhor, vështirë që PD ose PS të dalin forca e parë politike. A nuk ka shumë probabilitet, që me këtë marrëveshje Rama –Basha, del e humbur PD, sepse e ka të pamundur të fitojë 71 vota?

PD hyn në garë me aleatët e saj për të marrë 71 vota, ose më shumë. Pamundësia e presupozuar parashtruar në pyetje, nuk është asnjëherë më e madhe se mundësia reale dhe se potenciali që ka në dispozicion PD dhe aleatët. Më një punë efikase, program efektiv e vizion të qartë, përkushtim e vendosmëri arrihet gjithçka. Rezultatet më pas do të përcaktojnë dhe kalkulimet aleancore postzgjedhore për formimin e qeverisë.

Ju çfarë koalicione paszgjedhore parashikoni?
-Janë paszgjedhore, sepse zbulohen pas zgjedhjeve. Parashikimet në këtë rast janë gjithmonë të gënjeshtërta.

Ka ndonjë mundësi, që PD dhe PS të bëjnë koalicion paszgjedhor, për qeverisje?
– Nëqoftëse ndodh, do pohoja që politika shqiptare e ka kapërcyer fazën e “foshnjërisë” së vet.

1
Në qoftë se ndodh një bashkëpunim paszgjedhor PD – PS, do pohoja që politika shqiptare e ka kapërcyer fazën e “foshnjërisë” së vet
2
Rama de jure është kryeministër, por de facto nga të gjitha indiciet politike dhe ekzekutive është i rrëzuar. Është thjesht një kryetar partie, që në sajë të qaramanizmit të vet mban një karrige pa këmbë, por që ai e quan të rehatshme për një situatë zgjedhore
3
E qartë nga kjo marrëveshje është se PD nuk ka tentuar dhe nuk tenton eliminimin e asnjë forcë politike, që ka dhe gëzon mbështetjen elektoratit shqiptar.
Sigal