Raporti i BB-së/ Në Shqipëri nuk është hapur asnjë vend pune për të rinjtë

592
300 mijë vende pune janë hapur në Ballkanin Perëndimor, por asnjë nga këto vende nuk është krijuar në Shqipëri. 
Në raportin e publikuar nga Banka Botërore, janë analizuar të gjitha vendet e rajonit dhe punësimi i tyre nga periudha 2010-2016.
Shqipëria dhe Bosnja janë dy vendet me rënien më të madhe të vendeve të reja të punës.
Në Ballkanin Perëndimor viti 2016 ka numëruar rreth 5.8 milion njerëz të punësuar rreth 300 mijë më shumë se në vitin 2010.
Por Shqipëria dhe Bosnja janë dy vendet e vetme të cilat nuk janë përfshirë në rritjen e punësimit.
Sipas Bankës, në Shqipëri vendet e reja të punës ranë me 2.4% në gjashtë vitet e fundit, ku tkurrja më e lartë u konstatua tek të rinjtë, ndërsa në Bosnjë me mbi 5 për qind.
Raporti thotë se vendet e reja të punës u shtuan në mënyrë domethënëse në Serbi dhe Maqedoni, ku punësimi real u rrit me 11.2 dhe 12.5%.
Banka mat punësimin real, duke mos llogaritur efektin e formalizimit, që në Shqipëri në 2015-n ka qenë mjaft i lartë, si rrjedhojë e aksionit anti-informalitet të ndërmarrë nga qeveria .
Banka Botërore vëren një paradoks në strukturës së punësimit në Shqipëri, ku gjatë periudhës në vlerësim punësimi në grup moshat e reja ka rënë dhe është rritur për më të vjetrat.
Gjatë periudhës 2010-2015 të punësuarit në Shqipëri për grupmoshën 15-24 vjeç ranë me 36.4%, ndërsa për grupmoshën 25-54 vjeç ranë me 9.5 për qind, ndërsa në të kundërt të këtyre zhvillimeve punësimi për grupmoshën 55-64 vjeç u rrit me 67%.
Banka Botërore cilëson të habitshëm, faktin se punësimi është rritur në mënyrë të konsiderueshme për moshat e vjetra 55 deri 64 pothuajse në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Punësimi në këtë grup moshë është rritur me më shumë se 20 për qind në shumicën e vendeve, ndërsa me 67 për qind në Shqipëri. Banka Botërore shpjegon se një pjesë e kësaj rritjeje vjen nga fakti i plakjes së popullsisë ku grup mosha 55-64 vjeç është në rritje.
Banka thotë se, papunësia ra me rreth 200.000 njerëz, nga rreth 1.7 milion në vitin 2010 në 1.5 milion në vitin 2016, që korrespondon me një rënie në normën e papunësisë nga 23 % në 2010 në 21 % më 2016.
Shkalla e papunësisë shënoi rënie në të gjithë rajonin, përveç se në Shqipëri” – sqaron më tej raporti i BB.
Grupet që nuk kanë përfituar nga rimëkëmbja modeste e punësimit janë personat me kualifikim të ulët, dhe në veçanti të rinjtë me arsim të pakët.
Niveli i papunësisë tek të rinjtë ra nga 50 për qind në 2014 në 48 për qind në 2015.
Të dhënat fillestare për vitin 2016 tregojnë për prirje në ulje, por papunësia tek të rinjtë mbetet e lartë krahasuar me 17.3 për qind në Bashkimin Europian.
Sigal