Lejet e ndërtimit online, Gjermeni: Bashkitë të jenë të përgjegjshme për procesin

509
Pas 1 shtatorit, çdo aplikim për leje ndërtimi do të kryhet vetëm nëpërmjet sistemit online. Procesi, i cili është transparent, pasi aplikuesit nëpërmjet sistemit informohen në mënyrë periodike se në cilën fazë është aplikimi, rrit përgjegjësinë në nivel vendor dhe qendror, forcon koordinimin mes institucioneve dhe rrit edhe përgjegjshmërinë karshi qytetarëve. Aktualisht, Ministria e Zhvillimit Urban, në bashkëpunim me AKSHI-n dhe kompaninë zbatuese të projektit është duke punuar, në mënyrë intensive, për trajnimin e bashkive, projektuesve dhe investitorëve. Programi i trajnimeve me bashkitë ka hyrë në fazën e tretë të tij dhe parashikon asistencë të vazhdueshme për bashkitë, deri në fillimin e funksionimit në mënyrë të detyrueshme të tij, më datë 1 shtator. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni ndoqi një prej seancave të trajnimit të stafeve të disa prej bashkive në vend. Ajo u ndal në mënyrë të veçantë në përgjegjësinë që pushteti vendor ka në mbarëvajtjen e një prej proceseve më të ndjeshme në fushën e ndërtimit në Shqipëri, siç është marrja e lejes.
“Ne monitorojmë procesin e aplikimit të lejeve dhe unë marr çdo javë një raportim të plotë për çdo bashki. Vë re që pak aplikime janë bërë online. Skepticizmi, për një proces që deri dje është bërë me letra në dorë, mund të jetë një prej arsyeve. Por, unë dua të nënvizoj fort përgjegjësinë, që stafet e bashkive ku punoni, kanë për kthimin e përgjigjes në kohën e duhur apo për miratimin në heshtje të lejeve të ndërtimit. Ju lutem: Respektoni detyrimin ligjor, për të kthyer përgjigje për çdo aplikim në afatin e caktuar dhe për të qenë në kontakt me qytetarin apo investitorin. Duhet të keni parasysh që, prej korrikut të vitit të kaluar, çdo bashki jep pa asnjë pengesë leje ndërtimi. Dhe së dyti, procesi i dixhitalizimit duhet ta lehtësojë procedurën, në mënyrë që në çdo moment qytetarët apo investitorët të dinë statusin e aplikimit të tyre”, – tha Ministrja Gjermeni.
Sigal