Raportet e OSBE-së për zgjedhjet në Shqipëri të pavlera për askënd

605
OSBE-ja në Shqipëri, pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit 2017 përpiloi një raport analizues dhe në këtë raport, midis të tjerave, theksoi se vota në këto zgjedhje u ble dhe u shit nga subjektet elektorale, nga njerëz, që ishin në mbështetje të subjekteve politike. Mirëpo, këto raporte mbetën në sirtarë, sepse partitë politike në Shqipëri as që u interesuan t’i analizonin, prokuroria në Shqipëri nuk u bë merak, që të hetonte, pavarësisht se shit-blerja e votës është kryerje e veprës penale. Por, edhe OSBE-ja, u mjaftua vetëm me shkrimin e raportit, evidentimin e blerjes së votës…Edhe pse Parlamenti ngre çdo herë Komision Parlamentar për Reformë Zgjedhore, kjo reformë që përgatitin çdo herë për zgjedhjet parlamentare, nuk prek aspak fenomenin dhe mekanizmat e blerjes së votës. Sepse vetë partitë politike nuk u interesohen për transparencë në zgjedhje. Gjithashtu, OSBE-ja nuk analizoi fenomenin dhe mekanizimin e blerjes së votës, që të çojnë te sistemi zgjedhor, te procedura e zhvillimit të zgjedhjeve. OSBE-ja duhet të këmbëngulë që në Shqipëri, të ndryshohet sistemi zgjedhor, të depolitizohet KQZ-ja, që kështu të rritet transparenca e procesit zgjedhor, të minimizohet edhe vjedhja e votës. Vetë ambasadori I OSBE në Tiranë Bernd Borchard dje në një takim me bashkëkryetarët e Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore Bledar Çuçi dhe Oerd Bylykbashi u shpreh se blerja e votës është shqetësim kryesor. Është cenuar besimi… Reformë zgjedhore e plotë dhe në kohë, që të trajtojë rekomandimet e ODIHR-it dhe çështje të tjera kyçe.
Kështu u shpreh Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchard, gjatë një takimi të zhvilluar me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Bledar Çuçi dhe Oerd Bylykbashi. Këta të fundit njohën përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar me ecurinë e reformës zgjedhore, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të tyre. Lidhur me teknologjitë e reja të votimit, Borchardt tha se praktikat më të mira tregojnë se vendimet për përdorimin e teknologjive të reja nuk duhet të vihen menjëherë në zbatim në zgjedhjet e radhës, por, më parë, duhen testuar. Sa i përket çështjes së votimit të shtetasve shqiptarë jashtë vendit, Borchardt tha se sfida është e madhe për të gjetur balancën ndërmjet sigurimit të të drejtës së votës për shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë dhe garantimit të paprekshmërisë dhe sigurisë së votës. Borchardt përsëriti gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për të mbështetur reformën zgjedhore, së bashku me ODIHR-in dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
Sigal