Rama-Vuçiç: Shqipëria dhe Serbia në “luftë” të përbashkët për zhvillimin e Ballkanit

388
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç janë përballur në Vjenë në një debat televiziv. Përballë gazetarëve, Rama dhe Vuçiç janë ndalur në çështje të rëndësishme për Ballkanin dhe marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, në veçanti ato ekonomike dhe ecurinë e zyrë rajonale për bashkëpunim rinor.
Zvezdana Kovaç: Zoti Rama, a mund të kompensojmë këtë çerek shekulli, për të cilin po flet Voja dhe nëse mundemi të kompensojmë shumë mundësi të humbura në disa dekadat e fundit?
Faleminderit për ftesën. Besoj se kemi mjaftueshmërisht përgjegjësi për të mos u vonuar sot dhe nuk mund të mbajmë përgjegjësi edhe për 25 vjet përpara. Edhe pse ka të drejtë kur thotë që kjo që ndodh sot do të kishte qenë mirë të ndodhte 25 vjet përpara, por tani ajo çka ne duhet të bëjmë është që pas 25 vjetësh të mos qajmë faktin që në 25 vjet, që tani e deri atëherë, nuk bëmë atë që duhet.
Vuçiç: Do të ishte shumë mirë të kishim bashkëpunuar më para. Dhe nuk e kam problem të marr një pjesë të fajit. Tani do të punojmë dhe do të përpiqemi në një mënyrë tjetër. Unë jam serb dhe jam krenar për këtë, ashtu si Rama që është shqiptar.
Nenad Sebek: Sa keni ecur, zoti Rama, me këtë zyrë? Në samitin e Vjenës është paralajmëruar. Ku jemi tani, në cilën fazë?

Kryeministri Edi Rama: Ne nuk e kemi shpikur këtë nismë. Besoj që ne themi gjënë e duhur, kur themi që; Shqipëria dhe Serbia, por edhe shqiptarët dhe serbët në tërësi mund të bëjnë për Ballkanin atë që francezët dhe gjermanët bënë për Europën pas Luftës së Dytë Botërore. Bashkëpunimi rinor ishte një nga instrumentet e atij procesi historik, që solli në formësimin e Bashkimit Europian. Ne, mbi bazën e kësaj eksperience kemi vendosur që të vëmë në jetë këtë mekanizëm, por nuk është vetëm ky. Ne kemi folur edhe për Unionin Ekonomik, në mënyrë që realisht të zgjerojmë tregun, sepse, në qoftë se flasim për infrastrukturë dhe për rrugë, fjala vjen, rrugën Nish-Prishtinë-Durrës, atëherë duhet të jemi të përgatitur që ajo rrugë të jetë një rrugë pa barriera tarifore dhe që të jetë një rrugë ku jo vetëm njerëzit, por edhe mallrat qarkullojnë lirisht. Pra, midis nesh të ndërveprojmë si në Europë.
Vuçiç: Shqipëria dhe Serbia kanë bashkëpunuar ngushtë për këtë. Kemi folur shpesh. Ne duhet të njihemi, të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Edi politikan botëror unë lokal. Duhet të përpiqemi të kuptojmë se flasim për dy popujt më të shumtë në Ballkan. Dëshira jonë, që të rinjtë të bashkëpunojnë dhe mësojnë për njëri-tjetrin.
Kryeministri Edi Rama: Dua të forcoj në atë që tha më parë kolegu. Bashkëpunimi rinor është një instrument i rëndësishëm për t’i afruar njerëzit, pikërisht për të bërë të mundur që nesër të ketë të rinj, që duan të shkojnë të studiojnë serbishten në Beograd dhe të rinj serbë që duan të studiojnë shqipen në Tiranë, pasi jemi shumë afër.
Sigal