Rama viziton SHBA javën e ardhshme

440
Kryeministri Edi Rama do të vizitojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës javën e ardhshme. Sipas burimeve nga Kryeministria, kreu i qeverisë pritet të mbajë disa fjalime për tema të ndryshme si ekstremizmi, zhvillimi i qëndrueshëm, barazia gjinore etj.
Zyra e shtypit të Kryeministrisë bën të ditur se, kreu i qeverisë shqiptare do të marrë pjesë fillimisht në 24 shtator në ‘World Leadership Forum’, në New York, një event i organizuar nga Shoqata për Politikë të Jashtme (Foreign Policy Association). E themeluar në vitin 1918 , Shoqata për Politikë të Jashtme shërben si një katalizator për zhvillimin e njohjes dhe sigurimit të informacioneve dhe opinioneve për çështjet globale.
Ndërsa të premten, më 25 shtator Kryeministri Rama do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila këtë vit do të jetë e përqëndruear në çështjet e zhvillimit të Qëndrueshëm. Çdo vit, në fund të muajit shtator, Organizata e Kombeve të Bashkuara mbledh Asamblenë e saj të Përgjithshme, ndërsa sivjet do të jetë sesioni i 70-të i saj dhe në të marrin pjesë liderë botërorë nga të gjitha shtetet anëtare. Aty do të flitet kryesisht mbi shqetësimet aktuale botërore, me theks tek siguria e terrorizmi.
Sigal