Rama pas mbledhjes në Velipojë: Fuqizim i shërbimeve, rritje ekonomike 5%

424
Kryeministri Edi Rama përfundoi mbledhjen informale dy ditore me ministrat e qeverisë së tij, mbajtur në Velipojë. Premtime të shumë dhe përgjigje skeptikëve
Kryeministri Edi Rama bashkë me ministrat e propozuar si pjesë e kabinetit qeverisës, për dy ditë me radhë zhvilluan një takim informal në Velipojë, i cili përfundoi mesditën e sotme. Por në përfundim të këtij takimi, kreu i qeverisë thotë se ndihet gati për të nisur rrugën e re. “Gati për të nisur rrugën e re. Lehtësim drastik i burokracisë për qytetarët dhe biznesin. Fuqizim i shërbimeve. Rritje ekonomike mbi 5% në 2019”, shkruan Rama në Twitter. Ndërkohë pas mbledhjes së djeshme Kryeministri bëri me dije vendimin qeveria e tij e re do ndërmarrë në 100 ditët e para të qeverisjes. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Rama deklaroi se qeveria e tij e re do t’i japë fund burokracive. “Ginnes: Në një vit burokracia shqiptare kërkon 4.5 milionë certifikata. Konsum skandaloz kohe lekësh nervash që do mbarojë me qeverinë e re. Në çdo rast kur i duhet certifikata e qytetarit, për të dhënë një shërbim burokracia duhet ta sigurojë vetë. Kjo do të bëhet realitet, brenda 100 ditëve të para të mandatit të ri”, shkroi Rama. Ndërsa gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët e ftuar në Velipojë, kryeministri ka folur edhe për marrëveshjen e 18 majit dhe për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. I pyetur nga gazetarët e pranishëm Rama la të hapur mundësinë që të arrijë një tjetër marrëveshje me kreun e opozitës Lulzim Basha për zgjedhjet e ardhshme. Dhe në fokus të këtij pakti pritet të jetë reformimi i Kodit Zgjedhor për të cilin ditët e fundit ka insistuar me forcë kryetari demokrat. “Kjo mbetet për t’u parë, për t’u diskutuar. S’kam ndonjë paragjykim për këtë, pavarësisht se ka pasur disa probleme, por marrëveshja dhe ajo çfarë solli është një e mirë e madhe pasi ka prodhuar zgjedhjet më të qeta dhe më të lira. Që nga fakti që territori nuk u ndot me flamuj e postera. Njerëzit e kanë vlerësuar marrëveshjen. S’kam ndonjë kundërshti që ta shohim edhe këtë”, u shpreh Rama. 

Rama u përgjigjet kritikëve të Ruçit
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një përgjigje lidhur me gjithë kritikët ndaj emrit të Gramoz Ruçit, i cili është propozuar prej tij si kryetar i Kuvendit. Sipas tij, kush ndihet i provokuar nga zgjedhja e Ruçit si kryeparlamentar, është hipokrit që s’meriton respekt.

Në këtë linjë deklaroi se të përndjekurit nuk janë disa spiune birucash që marrin përsipër të flasin publikisht në emër të ish-të përndjekurve politik, por se është një shtresë që ka disa figura të respektueshëm e s’kanë lidhje me zërat që financohen. “Kush ndjehet i provokuar nga zgjedhja e Gramozit dhe s’është ndjerë me Saliun 27 vjet, për mua është thjesht një hipokrit që s’meriton asnjë respekt. Kaq e thjeshtë është kjo histori dhe vazhdimi i kësaj marrëzie edhe në nivelin e opozitës me komunizma dhe antikomunizma, kur jemi në 2017 është jo vetëm shprehje e boshllëkut të madh që PD duhet ta mbushë me vizionin për të ardhmen me programin për të qenë një alternativë me sfida për t’u përballu me konkurrentin që jemi ne”, u shpreh Rama. Po ashtu ai i cilësoi këto zëra si një budallallëk të madh. Këtë koment Kryeministri e dha duke folur në një mëngjes pune me gazetarët në Velipojë, ku gjatë ditës së sotme për të dytën ditë me radhë mbledh ministrat e rinj ende të pa dekretuar, në një takim informal.
Sigal