Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qenë një aktor aktiv në diskutimet strategjike evropiane dhe për të kontribuar në ndërtimin e një Europe më të qëndrueshme, të sigurt dhe të bashkuar.
Kryeministri Rama ishte i pranishëm në darkën e mirëseardhjes të shtruar nga presidenti i Armenisë, Vahagn Khachaturyan dhe kryeministri Nikol Pashinyan.
Rama do të marrë pjesë në Samitin e 8-të të Komunitetit Politik Europian, që do të zhvillohet në datat 4 e 5 maj në Armeni.
Samiti i këtij viti do të bëjë së bashku 48 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti, nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”, ndërkohë që kryeministri i Kanadasë, Mark Carney do të marrë pjesë si i ftuar në samit, duke shënuar herën e parë që një vend joeuropian merr pjesë në takim.
Në një kohë transformimesh të thella gjeopolitike, diskutimet do të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike.
Ditën e hënë, në nisje të Samitit, Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të priten nga kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.
Samiti do të bashkëkryesohet nga presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan.
Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në takimin e dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD), i cili do të bashkëkryesohet nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.
Diskutimet do të përqendrohen në forcimin e luftës kundër trafikut të drogës, përfshirë trafikun detar dhe në porte, luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, pastrimit të parave dhe korrupsionit, si dhe adresimin e sfidave që lidhen me drogat sintetike në Europë.
Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet një qasjeje gjithëpërfshirëse që përfshin masa parandaluese, trajtim, ulje të rrezikut dhe rikuperim.
Gjithashtu, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të bashkëkryesuar me kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, me temë “Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”.
Në këtë sesion do të diskutohen masa konkrete për rritjen e lidhshmërisë në sektorët e energjisë dhe atij digjital, si dhe për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, duke reduktuar varësitë në kuadër të tranzicionit energjetik.
Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qenë një aktor aktiv në diskutimet strategjike evropiane dhe për të kontribuar në ndërtimin e një Europe më të qëndrueshme, të sigurt dhe të bashkuar.






















