Sigal

Si i përfitoi 2 tenderët në Spitalin “Nënë Tereza” firma Italiane, e cila ka muaj që ka falimentuar dhe drejtuesit janë nën hetim. Skandali i 14 milionë eurove për ndërtimin e kirurgjisë dhe terapisë, pse u mbajt e fshehtë rënia e soletës së kardiologjisë në Tiranë, borxhet ndaj nënkontraktorëve, firma e falsifikuar në prokurim dhe kush ndërmjetësoi për takimin me “Kapon e Qeverisë”…

Jakup B. GJOÇA

Dje u shemb në Gjenovë të Italisë ura Morandi. Shkaqet e kësaj shembjeje, sipas ekspertëve, mendohet të jenë cilësia e dobët e punimeve të kryera. Këtë urë e ka ndërtuar kompania italiane “Condotte SPA”. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, janë identifikuar 35 viktima, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për të kërkuar, ndoshta edhe njerëz të tjerë, të cilët janë nën rrënojat. Sipas burimeve të informacioneve, nën rrënojat e urës së shembur janë mbi 92 automjete.

Skandalet dhe akuzat për korrupsion në Itali për “Condotte SPA”

Sipas burimeve të shtypit italian dhe atij shqiptar, ‘Condotte SPA’ kompania që ndërtoi urën Morandi në Gjenovë, e cila u shemb ditën e djeshme, duke shkaktuar 35 viktima, dhe dhjetëra të plagosur, 6 muaj më parë u përfshi në një skandal korruptiv në Itali. Kështu më 13 mars të këtij viti presidenti i kompanisë, Duçio Astaldi bashkë me 5 zyrtarë të tjerë u prangosën për korrupsion, pasi u akuzuan për abuzime për ndërtimin e tre pjesëve të autostradës Sirakuza-Xhela. Siç raportonin në atë kohë mediat italiane, 6 të arrestuarit u përfshinë në një hetim për ryshfet, ndërsa u zbulua se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave kishte kryer procedura fiktive, ndërsa fituesi ishte përcaktuar më herët. Në një kohë kur sot partitë opozitare në Itali kanë kërkuar që përgjegjësit për tragjedinë në Gjenovë të dalin para drejtësisë, kujtojmë se ‘Condotte SPA’ është një kompani që ka kryer dhjetëra vepra të mëdha në Itali.

“Condotte SPA” mori tender në Shqipëri para 3 muajsh

Rastësi? Tragjedia e djeshme e shembjes së urës Morandi në Gjenovë, ndërtuar nga kompania “Condotte SPA” na sjell në kujtesë, që më 3 maj 2018 qeveria shqiptare, me përfaqësuese ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka firmosur një koncesion me këtë kompani italiane, “Condotte SPA” për ndërtimin e një spitali të ri 7-katësh në QSUT. e përmes një nën/kompanie të saj, përkatësisht ‘Inso’. Spitali i ri i sëmundjeve të brendshme ka vlerën e 14.4 milionë euro, ndërsa marrëveshja në atë kohë u nënshkrua mes ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe drejtorit ekzekutiv të kompanisë ‘INSO’ Frabricio Puçareli. Kjo marrëveshje me qeverinë shqiptare është pasqyruar edhe në faqen zyrtare të kompanisë italiane ‘INSO’.

 

Kompanisë italiane ‘INSO’ i jepen edhe 2 tenderë në Shëndetësi me vlerë 14,2 milionë euro

Kompanisë italiane ‘INSO’ i jepen edhe 2 tenderë në Shëndetësi, me vlerë 7,2 milionë euro e para dhe e dyta me vlerë 7 milionë euro. Tenderi i parë me vlerë 7 milionë euro është për pajisjet e spitalit kirurgjikal (kur kjo kompani njihet ne Itali si kompani ndërtimi) dhe tenderi i dytë i jepet për terapi kirurgjikale me vlerë 7,2 milionë euro.

Procedura jo transparente e dhënies të këtyre 2 tenderëve

Tenderimi i parë për terapinë kirurgjikale me vlerë 7,2 milionë euro u bë para 1 viti. Këtë tenderim e filloi ministri i Shëndetësisë (që u bë ekspert i tenderimeve dhe koncesioneve në Shëndetësinë Publike) Ilir Beqja dhe e përfundoi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Ky tender u bllokua 6 muaj, pasi filluan hetimet nga organet e specializuara hetimore. Mirëpo, për çudi dhe në mënyrë të pashpjegueshme, që nuk u bë kurrë publike shkaqet, arsyet, pas 6 muaj, pasi kishin filluar hetimet e procedurës së tenderimit, tenderimi u zhbllokua. Nuk dihen arsyet pse u zhbllokua. Kush e dha informacionin tek organet e specializuara hetimore? Kush apo cilët urdhëruan fillimin e hetimit ndaj këtij tenderimi? Kush apo cilët urdhëruan zhbllokimin e tenderimit? Cilat ishin rezultatet e hetimit? A u dha përgjegjësia ndokujt? Qoftë për informacion të rremë, nëse hetimet nuk nxorën asgjë kundër ligjit? Apo të hetohet përgjegjësia e atyre që ndërprenë hetimet dhe lejuan zhbllokimin e tenderimit? Këto përgjigje janë ato që do të zbardhin transparencën e këtyre tenderimeve. Sepse, nëse heshtin, siç heshtin deri më sot, atëherë, kush na garanton, që nuk do kemi të njëjtat pasoja me urën që u shemb në Gjenovë?

Komisioni i pranimit të Ofertave dhe i tenderimit, a mori ndonjë garanci të ekspertëve se kjo kompani italiane është e specializuar për terapi kirurgjikale? A ka ofruar kjo kompani italiane ‘INSO’ përvojë nga puna e deritanishme për terapi kirurgjikale? A u urdhëruan organet e specializuara hetimore të ndërpresin hetimet?

Pyetja tronditëse: Një mjek i komisionit nuk ka qenë në Shqipëri, kur u firmos tenderimi

Një pyetje tronditëse për të sqaruar dritëhijet e këtyre tenderimeve që iu dhanë kompanisë italiane “INSO”, sipas disa burimeve të mirëbesuara dhe konfidenciale, bëjnë me dije se një mjek pjesëmarrës në komisionin e tenderimit (E. SH) nuk ka qenë në Shqipëri në kohën që u firmos kontrata e tenderimit dhe ka shumë zëra, që thonë se, ndoshta firma në emrin e anëtarit të komisionit të tenderimit, mjekut që aso kohe ndodhej jashtë Shqipërisë (kjo mund të provohet edhe tani fare thjesht me sistemin TIMS) mundet të jetë firmosur nga person tjetër. Prandaj, organet e specializuara hetimore menjëherë, qysh nesër, nëse është e mundur, duhet të bëjnë ekspertizën e të gjitha firmave të firmëtarëve të tenderit që iu dha kësaj kompanie italiane “INSO”. Kjo ekspertizë e firmës mund të thotë shumë, nëse tenderi iu dha duke falsifikuar firmat apo janë thjesht zëra dhe thashetheme. Heshtja, nëse nuk do të bëhet ekspertiza, do të jetë dëshmi që ata që falsifikuan firmën e anëtarit të komisionit të tenderimit (nëse është e vërtetë, ta na ndriçojë Ekspertiza e institucioneve të specializuara hetimore) ia dhanë tenderin kompanisë italiane thjesht për të bashkë-korruptuar fondet. Sipas disa burimeve konfidenciale, flitet që administratori (pronari) i kompanisë “INSO” në atë kohë, para se të firmosej kontrata e tenderimit, ka bërë një takim me kreun e qeverisë sonë dhe pas kësaj, flitet, që tenderimi u zhbllokua nga organet e specializuara hetimore. Nëse ky burim informacioni është i vërtetë (sërish mund të verifikohet nëpërmjet sistemit TIMS, nëse administratori i “INSO” ka qenë në Shqipëri, por edhe dëshmitarët okularë apo edhe kamerat e kryeministrisë) atëherë, vetvetiu dhe në mënyrë të ligjshme lind pyetja: – Kush e organizoi këtë takim të administratorit të kompanisë italiane “INSO” me kreun e qeverisë, në kohën që ishte bllokuar procedura e tenderimit? Si mundet që kreu i qeverisë të takohet me pronarë, administratorë të kompanive që janë në proces tenderimi? A vallë këto takime, kreu i qeverisë i bëri edhe me administratorët e tjerë të kompanive që janë në garë për tenderim? Apo ishte tenderim i drejtpërdrejtë? Kreu i qeverisë a bën takime me qytetarë, me biznesmenë të tjerë, që ndoshta kanë po të njëjta halle, shqetësime, sikurse administratori i kompanisë italiane? Këto përgjigje, nga kreu i qeverisë kanë rëndësi të madhe për të zbardhur transparencën e tenderëve.

Burimet konfidenciale bëjnë me dije, se menjëherë pas këtij takimi të kreut të qeverisë me administratorin e kompanisë italiane ‘INSO’ çuditërisht, në mënyrë magjike, u zhbllokua edhe procedura e tenderimit. Rastësi?!

Kjo kompani italiane ‘INSO’ ka marrë tenderë edhe nga qeveria e mëparshme

Të jetë vallë një rastësi e çastit, që kjo kompani italiane ‘INSO’ ka marrë para 8 vitesh tenderë edhe nga qeveria e mëparshme, dhe konkretisht, ka marrë tenderin e Urgjencës së QSUT-së, e cila pasi u përfundua, dhe kompania italiane ‘INSO’ mori paratë, tarraca e Urgjencës filloi të pikonte shumë. A mundet të thotë ndonjë nga qeveria, se kjo kompani, që përfitoi tenderin, a u përgjigj, sipas ligjit, të dëmshpërblinte dëmin nga cilësia e dobët? Cili institucion e mori në dorëzim tenderin e kryer nga kompania italiane ‘INSO’? A u denoncua në prokurori dëmi i kryer në Urgjencën e QSUT?

Pyetja tjetër është: Rastësi, është, si shpjegohet që e njëjta kompani italiane, ‘INSO’ merr tenderë në QSUT? Apo, ndoshta, ka ortak tjetër, që fshihet pas kësaj kompanie italiane?

Detyrime të pashlyera nën/kontraktorëve

Një problem i madh i dhënies së tenderëve dhe koncesioneve është se këto u jepen kompanive të huaja, pa qenë ato që do kryejnë punimet, por ato sa marrin tenderët, ua japin nën/kontraktorëve shqiptarë, duke mbajtur për vete fitimin maksimal, pa bërë asnjë punë. Konkretisht, një problem i madh që ka lindur me këtë kompani italiane është se kjo kompani ‘INSO’ nuk ka shlyer detyrimet financiare nën/kontraktorëve të saj. Organet e specializuara hetimore nuk kanë vepruar në bazë të ligjit kundër kësaj kompanie. Ky fenomen është bërë një dukuri e zakonshme në Shqipëri, kujtojmë edhe kompaninë në bay-pass-in e Fierit, e cila ka përfituar shuma të mëdha nga tenderi, nuk u ka dhënë detyrimet financiare nën/kontratorëve dhe puna aty është bllokuar pikërisht nga kjo sjellje e kompanisë që ka fituar koncesionin, e cila, sërish për rastësi, është kompani italiane!!! Pra, qeveria shqiptare tenderët dhe koncesionet ua jep kompanive të huaja, ato nuk kryejnë vetë asnjë punim, pasi nuk kanë bazën e duhur materiale, ndoshta nuk kanë as fondet, por, marrin tenderët dhe punët ua japin nën/kontratorëve shqiptarë, e në fund, nuk i shpërblejnë për punën që kanë kryer, edhe pse fondet i kanë përvetësuar nga qeveria. Konkretisht, sipas burimeve të mirëbesuara, një biznesmeni shqiptar, (V. T), ndërtues, flitet se kjo kompani italiane ‘INSO’ i ka detyrim financiar për punime të kryera por të pashpërblyera 1 milion euro pa likuiduar. Edhe për këtë denoncim, që ndoshta mund të përbëjë vepër penale të mashtrimit, kërkohet që prokuroria të fillojë detyrimisht hetimet kundër kompanisë italiane ‘INSO’.

Tenderët iu dhanë kësaj kompanie, edhe pse ministrat fillimisht kundërshtuan

Habia ndodh, që kësaj kompanie italiane ‘INSO’ iu dhanë tenderët, jo vetëm pa paraqitur ekspertizë, nëse është e aftë që t’i kryejë punimet, por, sipas burimeve të mirinformuara, thuhet, se edhe Komisioni i Tenderimit të Ministrisë së Shëndetësisë ka qenë kundër dhënies të 2 tenderëve që i lart përmendëm (të pajisjeve kirurgjikale dhe terapisë kirurgjikale) kompanisë italiane ‘INSO’, ndaj edhe vetë ministri i Shëndetësisë së asaj kohe Beqaj ka qenë kundër, madje, edhe ministrja e tanishme e Shëndetësisë Manastirliu ka qenë kundër, që kësaj kompanie t’i jepeshin 2 tenderët me vlerë 14,2 milionë euro, mirëpo, siç thuhet nga shumë burime informimi dhe dëshmitarë, ndërhyrja e një personi shumë afër qeverisë dhe shumë i njohur me lidhjet e punës dhe biznesit me Italinë, ka detyruar Komisionin e Tenderimit që tenderët në fjalë t’ia japë pikërisht kësaj kompanie italiane ‘INSO’. Madje – madje, kreu i prokurimeve të asaj kohe, është larguar nga Shqipëria dhe aktualisht punon në Kosovë, ndoshta – ndoshta edhe për rrezikshmërinë që mund t’i kanoset për veprimtarinë e procedurave të tij.

Kompania ‘INSO’, në falimentim?

Ka informacione që kompania “Condotte SPA” ka falimentuar në Itali. Pyetja që iu bëjmë ministrisë së Shëndetësisë në Shqipëri, Komisioni të Prokurimeve etj., a ka paraqitur në Tribunalin e Gjenovës kjo kompani ndonjë aplikim për falimentim? Nëse kompania “Condotte SPA” ka paraqitur kërkesën për falimentim, atëherë kjo është një arsye më shumë, që këto kompani të falimentuara në vendin e tyre, vijnë në Shqipëri dhe paraqesin oferta me vlerë më të ulëta në garën për koncesione dhe tenderë, me qëllimin e vetëm, që të përvetësojnë (zhvatin) fonde sa të mundin. Prandaj, edhe këto kompani të falimentuara nuk kanë bazën materiale të tyre, nuk kanë fondet e tyre, por marrin tenderët në Shqipëri, dhe pas kësaj, punët ua japin nën/kontraktorëve shqiptarë. Ndoshta drejtësia italiane nuk ua jep kaq lehtë falimentimin kompanive aty, pa shlyer këto më parë të gjitha detyrimet financiare, pagesat ndaj punëtorëve, nën/kontraktorëve etj., por, pyetja që drejtojmë ndaj institucioneve shtetërore shqiptare, ndaj Agjencisë së Prokurimeve etj., -a kanë studiuar paraprakisht, në procesin e dhënies së tenderëve dhe koncesioneve të gjitha dokumentet, nëse ai biznes, kompani etj., që kërkon të marrë tenderë dhe koncesione në Shqipëri, a ka detyrime ligjore me drejtësinë e vendit të vet? Nëse institucionet tona nuk e kanë marrë këtë informacion kaq të domosdoshëm, atëherë shumë qartë, na lind e drejta të mendojmë, se nuk është harresë as pakujdesi nga institucionet tona shtetërore, por, ndoshta janë favorizime, privilegje, dhe riskun e paguan gjithmonë taksapaguesi dhe buxheti i shtetit.

 

Si do të veprojnë organet e specializuara hetimore?…

Nga reportazhi i mësipërm, nga faktet e dëftuara nga dëshmitarë, nga pyetjet që parashtruam, duhet që organet e specializuara hetimore në Shqipëri të fillojnë nga e para hetimet për të gjithë procedurën e dhënies së të gjithë tenderëve kompanisë italiane ‘INSO’ që është përgjegjëse për shembjen e urës në Gjenovë. A mund t’i besohet akoma kësaj kompanie ndërtimi i spitalit të ri 7-katësh në QSUT? Cili do na garantojë që edhe spitali që do ndërtojë kjo kompani italiane nuk do shembet, sikurse u shemb ura në Gjenovë? Kompania italiane ‘INSO’ në Urgjencën e QSUT bëri dhe tarraca pikoi dhe nuk u vu përballë përgjegjësisë. Prokuroria duhet të hetojë dhe, nëse gjen shkelje ligjore të procedurës së dhënies së tenderëve, duhet të vërë para ligjit të gjithë personat përgjegjës. Që nga ministrat e deri tek anëtarët e Komisionit të Prokurimit.