Qytetarët e Kamzës trajtohen si të botës së tretë, Spahiu shpalos planin e LSI: Do të ndërtojmë një spital dinjitoz

276
Sigal

Pas dy mandateve si deputet në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu në zgjedhjet e 25 prillit vjen me një sfidë të re. Ai është pjesë e listës së deputetëve të qarkut të Tiranës, dhe kandidat i LSI-së në Kamëz, por gjithashtu ai është edhe kreu i LSI-së së Tiranës. Ai thotë se Kamza ndodhet në trekëndëshin strategjik si Tirana, aeroporti i Rinasit, porti i Durrësit, por banorët trajtohen si banorë të botës së tretë.

”Investimet nga ana e qeverisë këtu stopuan kur në pushtet erdhi Edi Rama. Ai ndëshkoi të ardhmen e fëmijëve kamzalinj vetëm e vetëm se ju historikisht e keni ndëshkuar me votë arrogancën dhe propagandën e tij. Me qindra takime në çdo territor të Kamzës kam venë re se mbizotëron papunësia dhe varfëria”.

Nga ana tjetër, ai ka shpalosur edhe planin e LSI-së për këtë qytet, ku një ndër to është edhe ndërtimi i një spitali, ulja e taksave, mbështetja për të rinjtë e Kamzës, kredi të butë me garanci shtetërore deri në 25 mijë euro për bizneset që drejtohen nga të rinjtë.

”Shtëpitë që ju i keni ndërtuar me djersë, praktikisht pushteti nuk ua njeh si tuajat. Ju sorollat dhe ju kërkon rryshfet që të merrni një copë letër. Uji mungon në shtëpitë tuaj. Ju paguani faturat e majme që shkojnë nga 40 mijë deri në 60 mijë, por në çezmat tuaja nuk keni ujë. Kamza sot nuk ka një spital dinjitoz siç duhet ta ketë një Bashki. Edhe qendra shëndetësore si ajo e Kamzës dhe ajo e Bathore, i kemi të freskëta pamjet e lajmeve ku të sëmurët ngrohen me xhupa, se tenderat e shëndetësisë i vjedh Rama”,-shkruan në facebook Spahiu.