Greqia ka shtuar forcat policore në Evros, në përpjekje për të ndaluar futjen e emigrantëve të mbledhur në kufi me Turqinë.
Policia kufitare ka zhvilluar një betejë gjatë natës sipas mediave lokale, për arrestimin e qindra migrantëve.
Për shkak të zhvillimeve të fundit të shkaktuara nga hapja e portave të emigrantëve nga Turqia, kryeministri grek ka thirrur paraditen e sotme një takim të jashtëzakonshëm.
Pala Greke deri më tani po lëviz në tre akse, dërgimin e një sinjali të qartë në Ankara me forcimin e kufijve, ndërkombëtarizimin e problemit si dhe vlerësimin e situatës dhe marrjen e masave.
Ndërsa një numër i papërcaktuar i refugjatëve dhe migrantëve u mblodhën në territorin turk pranë kufirit me Greqinë, kryeministri Kyriakos Mitsotakis lëshoi një paralajmërim të fortë dhe informoi liderët evropianë dhe NATO-n për situatën.
“Një numër i konsiderueshëm i emigrantëve dhe refugjatëve janë përqendruar në grupe të mëdha në kufirin tokësor Greko-Turk dhe kanë tentuar të hyjnë në vend në mënyrë të paligjshme.
Dua të jem i qartë: ne nuk do të tolerojmë hyrjen e paligjshme në Greqi. Ne jemi duke rritur sigurinë në kufi, “tha kryeministri në një postim në Twitter.
Mitsotakis shtoi se: “Greqia nuk është përgjegjëse për ngjarjet tragjike në Siri dhe nuk do të vuajë pasojat e vendimeve të të tjerëve” dhe se “ajo ka informuar Bashkimin Evropian për situatën”.