Qeveria e re, pakësohen inspektoratet

529
Në muajin shtator do të nisë puna për reformën në inspektorate që parashikon reduktimin e tyre 6-7 dhe varësinë nga Inspektorati Qendror. Kryeinspektori i Përgjithshëm, Shkëlqim Hajdari, i cili do të drejtojë këtë reformë të rëndësishme, u bëri thirrje bizneseve që të refuzojnë inspektorët që shkojnë me laps e letër, sepse inspektimet kryhen vetëm online, konform ligjit. Inspektorati Qendror do të ketë në varësi Inspektoratet e Mjedisit, Shëndetësisë e Ushqimit, IKMT-në, Inspektoriatin e Teknikës, të Punës dhe atë të Transportit. Reforma në Inspektoriate parashikon reduktimin e tyre nga 16 që janë aktualisht në 6-7 Inspektorate në varësi të Inspektoratit Qendror. Kryeinspektori Hajdari tha se procesi do të zgjasë 2-3 vite. “Duke i riformatuar mbi bazën e objektit të kontrollit dhe shpjegimeve që bëjnë dhe qëllimi për të cilin janë ndërtuar, sigurisht që do të kemi një numër shumë më të vogël se tani”, tha Hajdari. Ai bëri një thirrje të fortë për biznesin dhe qytetarët që të refuzojnë çdo inspektor që me bllok e stilolaps kërkon të bëjë inspektime. “Të mos pranojnë asnjë trupë inspektimi, asnjë Inspektorat që t’i bëjë inspektimet me blloqe në mënyrë klienteliste, korruptive. Të përmbushin të gjithë detyrimin ligjor që kanë për ta bërë inspektimin si proces administrativ të ndershëm nëpërmjet dokumenteve standarde, me një procedurë të rregullt administrative dhe vetëm online. Deklaroj me përgjegjësi të plotë që të gjithë trupat e inspektimit të 16 Inspektorateve Shtetërore janë trajnuar nga Inspektorati Qendror, janë pajisur të gjithë me pajisje për ta kryer inspektimin online”, tha kryeinspektori.
Sigal