Qeveria, afat një muaj për të miratuar vendimin e qeverisë për transportin falas për kategoritë e përcaktuara me ligj

443
Sigal

Shoqatat e personave që përfitojnë transport falas fajësojnë qeverinë, për mos përcaktimin e fondit të kompensimit 

Bashkia e Tiranës, shoqatat e personave që përfitojnë transport falas dhe konkretisht invalidët, paraplegjikë e tetraplegjikë dhe shoqëruesit e tyre, invalidët e punës, të verbrit dhe shoqëruesit e tyre, jetimët që nuk janë në marrëdhënie pune si dhe shoqata e transportit publik i ka kërkuar sot qeverisë të përmbushë detyrimin e saj ligjor, për të përcaktuar fondet dhe kriteret për kompensimin e tarifës së transportit. Pas një takimi të zhvilluar në Bashkinë e Tiranës, ata kanë rënë dakord t’i lënë një muaj kohë qeverisë, për të miratuar vendimin e qeverisë, siç e përcakton dhe ligji i ndryshuar “Për transportet rrugore”.

 Nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo ka kërkuar nga ministri përgjegjës Erion Veliaj, të marrë masa të menjëhershme, siç e detyron ligji  dhe të mos abuzojë me fatin e njerëzve në nevojë.

 “Së pari, kemi rënë të gjithë dakord që t’i kërkojmë qeverisë brenda afatit 1 mujor të miratojë vendimin e Këshillit të Ministrave ku përcaktohen qartë kriteret, procedurat e subvencionimit të shtresave në nevojë, financimit të shtresave në nevojë, për transportin publik falas. I kemi vendosur një afat 30 ditor, me shpresën se pas kaq e kaq muajsh, qeveria do të marrë përgjegjësitë e saj, ministria e Punëve Sociale, në radhë të parë, ministria e Arsimit por edhe ministritë e tjera, sipas rastit, për ta miratuar VKM.

 Kërkesa e dytë që ne i bëjmë është që së bashku me VKM, qeveria duhet të bëjë transparente, rast pas rasti se cila do të jetë shuma që do të mbështesë të gjitha shoqatat përkatëse, në të drejtën e  tyre të njohur nga legjislacioni shqiptar, për të udhëtuar falas në shumicën e rasteve dhe flas këtu për invalidët e punës, paraplegjikët, tetraplegjikët, të verbrit ose me çmime të reduktuara, sipas rastit. Edhe për këtë, afati është 1 mujor. Pra, ne kërkojmë që brenda një muaji, për të mos acaruar e për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate që për ne është e pakuptimtë e cila ka ardhur thjesht si neglizhencë e faktit që VKM përkatëse duhej të ishte miratuar tashmë.

 Nga ana tjetër, u kërkova edhe përfaqësuesve të shoqatës të bashkëpunojnë me ne, në mënyrë që situata të mos tensionohet, shërbimi i transportit publik në Tiranë të mos ndërpritet, askush të mos shfrytëzojë rastin për të bërë deklarata të tipit: “Unë do të çoj policinë apo do të godas njërën palë apo palën tjetër”. Zotëria që i ka bërë këto deklarata duhet të dijë se përgjegjësia është e tij, se nëse do të kishim sot VKM dhe shumat përkatëse, sipas angazhimeve të qeverisë, nuk do të ishim sot këtu për të diskutuar e për t’i dhënë zgjidhje një situate të tensionuar, absolutisht në mënyrë të panevojshme” – deklaroi nënkryetari i Bashkisë Enno Bozdo.

Sinan Tafaj-Kryetar i shoqatës së të verbërve

 “Ndryshimet e bërë së fundmi në ligjin për transportin publik i kanë dhënë rrugë pretendimeve të operatorëve privatë, për të pretenduar kompensimin e transportit për personat me aftësi të kufizuar. Duhet të bëhet e qartë që e drejta e transportit, e drejta e qarkullimit është e drejtë e rëndësishme për personat me aftësi të kufizuara që ua njeh ligji dhe askush nuk mund t’ua cënojë. Operatorët privatë kanë të drejtën e tyre ta tani, sipas ndryshimeve ligjore dhe qeveria urgjentisht duhet të përcaktojë masat, kriteret dhe procedurat që i ka marrë përsipër për t’i nxjerrë me vendim qeverie. Mbetet topi në dorën e qeverisë që të përcaktojë masat, kriteret dhe procedurat, sepse është detyrim që e ka marrë përsipër në ndryshimin që u bë në fund për ligjin “Për transportin publik”.

 

Pyetje nga gazetarët:

 Z. Veliaj sot ka deklaruar se i takon Bashkisë së Tiranës që të vendosë marrëdhënie me operatorët e transportit publik, ndërkohë që këta të fundit duhet të njohin librezat e invaliditetit.

 Z. Tafaj: Bashkia e Tiranës dhe gjithë bashkitë e Shqipërisë që kanë përgjegjësi për organizmin e transportit qytetas, kanë përgjegjësinë të organizojnë këtë transport , në përputhje me ligjet e vendit. Ndryshimi që iu bë ligjit duhet të reflektohet me akte nënligjore por ky është një problem ndërmjet qeverisë, operatorëve privatë dhe pushtetit vendor. Ky nuk është problem për ne. Ne kemi të drejtën me ligj, të udhëtojmë falas, dokumentet që disponojmë janë ligjore dhe as operatorët privatë, as bashkitë e askush tjetër nuk mund të vënë në diskutim dokumentet e personave me aftësi të kufizuar. Askush s’mund t’i zbresë ata me dhunë, në të kundërt do të mbajnë përgjegjësi penale.

Mybere Prizreni – Kryetare e shoqatës së para-tetraplegjikëve:

 “Pas tavolinës së rrumbullakët që patëm me nënkryetarin e Bashkisë dhe me kompanitë, në bashkëpunim me shoqatat arritëm në të njëjtin vendim, t’i japim qeverisë një muaj kohë, të dalë me VKM dhe të saktësojë se cilët persona janë ata që duhet të udhëtojnë falas, kompensimin e tyre dhe që nga data që ajo fillon të jetë evidente, të hypin ata persona së cilëve u takon të udhëtojnë falas.”

 

Ervin ShijakuKryetar i shoqatës së transportit:

 “Në vijim të tryezës së rrumbullakët, edhe ne si shoqatë transporti jemi dakord për një periudhë 30-ditore, të shtyjmë hapat që kemi ndërmarrë, për zbatimin e ligjit 8808, “Për transportin publik qytetas, për njerëzit në nevojë” dhe shpresojmë që brenda një periudhe 30 ditore do jetë më se e mjaftueshme nga ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, ashtu edhe nga kryeministria, përcaktimi i një projekt-vendimi, VKM për alokimin e fondeve si dhe përcaktimin e të drejtave të secilit që përfiton transportin falas.”

 

Pyetje nga gazetarët:

 Nëse brenda 30 ditëve nuk do të zgjidhet, cili do të jetë reagimi juaj?

 Z. Bozdo: Kjo është një pikë që është diskutuar. Më lejoni t’ju them se 30 ditë janë absolutisht të mjaftueshme, edhe sipas angazhimit të vetë ministrit, të shkruar, për të prodhuar një VKM  e cila duhej të ishte prodhuar më parë, bashkë me fondet përkatëse. Ne nuk duam të themi sot asgjë. Kjo tryezë e mbledhur sot në frymën e bashkëpunimit do të mblidhet përsëri për të vendosur sipas rastit të gjithë veprimet që duhen ndërmarrë në mbështetje të ligjit, në të drejtë të ligjit dhe në të drejtën që ligji u njeh si operatorëve ashtu edhe shoqatave përkatëse.

Gjatë këtij muaji, do vijojë normalisht qarkullimi?

 Z. Bozdo: Fakti që ne jemi të tre palët të përfaqësuara sot në tryezë nënkupton pikërisht këtë, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Koha njëmujore do të thotë që shërbimi do të vazhdojë të jepet pa asnjë lloj problemi, siç është dhënë deri më sot. Ne besojmë se brenda një muaji, gjithçka do të jetë e zgjidhur. Janë të gjitha mjetet. Po nuk mungoi vullneti, gjithçka do të zgjidhet në të mirë të qytetarëve të Tiranës dhe atyre që marrin këtë lloj shërbimi. Rezervojmë të drejtën sigurisht, në qoftë se ata që janë përgjegjës për këtë punë nuk do veprojnë, të mblidhemi dhe me konsensus të vendosim për hapat e tjerë që duhen ndërmarrë.