Sigal

Një punëtor i Albpetrolit ka dëmtuar krahun në punë, mirëpo ngjarja është fshehur edhe nga spitali, edhe nga Albpetroli, por edhe prokuroria dhe policia e Shtetit nuk bën asgjë, pavarësisht apelit të familjarëve. Mjekët e spitalit të Traumës nuk japin kartelë, që aksidenti është shkaktuar në punë.

Bashkëshortja : Prokuroria s’na ka marrë në pyetje

Bashkëshortja e 48-vjeçarit Ali Gropa, punonjësi i Albpetrol i cili humbi krahun e tij në punë, u shpreh se askush nuk nga prokuroria nuk është interesuar për këtë ngjarje. Tefta Gropa, tregon e tronditur se bashkëshorti i saj ka prerë dorën komplet, ndërkohë që shton se kompania ka mbuluar shpenzimet e spitalit. Po ashtu ajo rrëfen se gjendja e bashkëshortit të saj është shumë e rënduar psikologjikisht dhe nuk është në gjendje që të komunikojë. “Dora i është prerë komplet, nuk kishte mundësi për ta rikthyer në gjendjen e mëparshme. Deri më sot nuk kam gjë kundër tyre. Kompania është interesuar, por dorën nuk ja kthen njeri. U aksidentua në punë, shokët e dërguan në spital me mjete rrethanore. Fillimisht e çuan në spitalin e Vlorës dhe më pas në Tiranë. Shpenzimet i mbuloi kompania. Nuk jam në gjendje të flas sepse e kam mendjen tek halli që më ka rënë. Jam e tronditur nuk flas dot. Jo nuk ka ardhur asnjë prokuror apo polic. Ato të kompanisë janë të interesuar. Bashkëshorti nuk është në gjendje të komunikojë. Ai është keq. Atij i dalin lotët nga halli që i ra. Kam dy vajza dhe i kemi sytë nga ai, mbante familjen”, u shpreh Tefta Gropa. Ndërkohë vajza e Ali Gropës shprehet se ngjarjen e ka marrë vesh nga i ati, dhe po sipas saj askush nga firma nuk është interesuar për to. “Më mori babi në telefon dhe më thotë se e humba dorën, e preva. Jo nuk ka ardhur asnjë person nga firma”, shprehet e tronditur vajza tij.