Qëndresa Qytetare ka depozituar ditën e sotme në SPAK kërkesën për verifikimin dhe hetimin e shkeljeve të konsumuara nga 22 Kryetarë Bashkish në zgjedhjet e 14 majit, nëpërmjet përdorimit të aseteve publike dhe mos përmbushjes se detyrimeve ligjore te parashikuara ne Kodin Zgjedhor. Qëndresa Qytetare, në një raport të detajuar, thotë se veprimet e kryetarëve të bashkive plotësojnë të gjitha elementet e figurave të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar në nenin 248, të Kodit Penal, si dhe të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, të parashikuar në nenin 327/a, të Kodit Penal. Sipas raportit, 5 nga 22 Kryetarët apo ish kryetaret e ndëshkuar te Bashkive rezultojnë përsëritës ne shkeljet e tyre, madje disa nga këto subjekte gëzojnë aktualisht pozitën e personit nën hetim për vepra të ndryshme penale, ose statusin e të pandehurit apo të dënuarit.“Ky fakt shton dhe më shumë dyshimet se këto subjekte, nuk kanë respektuar dispozitat e Kodit Zgjedhor në të njëjtën mënyrë sikundër nuk kanë respektuar legjislacionin në fuqi përsa lidhet me veprat penale për të cilat janë nën hetim apo akuzohen të kenë kryer”, thotë Qëndresa Qytetare.
Nisur nga ky konstatim, Qëndresa Qytetare thotë se inkurajon SPAK dhe drejtuesin e saj që pas verifikimit të rasteve, të fillojë ushtrimin e ndjekjes penale me qëllim jo vetëm dhënien e drejtësisë, por dhe dekurajimin e sjelljeve që shtrembërojnë barazinë e subjekteve në zgjedhje dhe dëmtojnë zgjedhjet e lira dhe të barabarta.“Nga ana tjetër inkurajojmë Departamentin e Administratës publike, të marrë masat e duhura disiplinore për 31 Sekretaret e Përgjithshëm dhe zyrtaret me status te nëpunësit civil, të gjendur me shkelje në zgjedhjet e 14 Majit. Inkurajojmë KQZ t’i adresoje në kohë në organet e hetimit penal të gjitha rastet e evidentuara me dyshime për figura të veprave penale në zgjedhjet vendore apo qendrore”, -thuhet në konkluzionet e raportit.“Çdokush që do të vendosë partinë përpara detyrës publike do duhet të përballet me drejtësinë”- shton më tej.