Publicisti Veton Surroi: Situata politike në Kosovë nuk duhet të bëhet pengesë për përballimin e krizës së koronavirusit

375
Sigal

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar ditën e sotme nga Lëvizja Vetëvendosje, dërgimin e emrit të kandidatit për kryeministër, pas rrëzimit të qeverisë në Kuvend.

Procesi i krijimit të qeverisë së re nënkupton një negociata dhe debate të gjata mes partive.

Publicisti Veton Surroi deklaron se situata politike nuk duhet të bëhet pengesë për përballimin e krizës së koronavirusit.

Në analizën e tij, Surroi shprehet se partitë duhet të vazhdojnë konsultat që mund të sjellin qeveri të re ose zgjedhje të parakohshme, por qeveria e Albin Kurtit nuk duhet të humbasë kohë për marrjen e masave kundër koronavirusit.

Analiza e plotë e Veton Surroit:

Pas Letër-Kërkesës për nominim
Nga Veton Surroi
1. Letra e presidentit dërguar LVV me kërkesë për mandatar është fillim i një procesi kushtetues për një zgjidhje pas mocionit të mosbesimit. Ky fillim nuk paragjykon rezultatin ngase brenda këtij procesi janë edhe mundësia për dhënie mandati një partie tjetër si dhe shpërndarja e Kuvendit.
2. Procesi kushtetues është i rëndësishëm por më me rëndësi është situata me pandeminë COVID-19, si krizën më të madhe në rruzull pas Luftës së Dytë Botërore. Parësore mbetet që Qeveria në detyrë, me ministrat që janë në detyrë, të vazhdojë me koordinimin e suksesshëm të luftës kundër pandemisë dhe efekteve sociale që i krijon ajo.
3. Afati që e pret këtë Qeveri është ai i përgatitjes, deri më 13 prill i masave të reja të distancimit social e të kufizimit të qarkullimit konform Atkgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
4. Partitë politike dhe opinioni publik nuk duhet të jenë të shtrënguar nga afatet tjera. Më me rëndësi se kur do t’i gjendet zgjidhja Qeverisë së re (me mandat të LVV, mandat të ndonjë partie tjetër apo zgjedhjeve parlamentare) është cilësia e gjetjes së zgjidhjes. Pra duke respektuar nevojën që të luftohet pandemia dhe nevojën që zgjidhja të jetë respektuese e Kushtetutës.
5. LVV si dhe partitë tjera, brenda kushteve të pandemisë , kanë mundësi që të kryejnë konsultimet e brendshme( me anëtarësi) e të jashtme (me parti politike, shoqëri civile, etj). Qeveria në detyrë duhet të vazhdojë punën e vet, duke mos qenë peng e procesit të nevojshëm për konsultime politike dhe kohës që mund të kërkojnë këto.