Pseudo-rilindja e ktheu vendin në vatër krimi / LSI reagon mbi raportin e OKB për drogën

361
Sigal

Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama ka reaguar në lidhje me raportin e OKB-së, e cila e shigjeton Shqipërinë si vend origjine i kanabisit.

Duke e cilësuar një realitet të rëndë dhe të trishtë, Luan Rama akuzoi qeverinë se është pjesë stimuluese dhe koordinuese të kësaj veprimtarie kriminale sipas tij.

Deklarata e plotë e Luan Ramës:

Në fundin e vitit, paralelisht me situatën e tensionuar politike dhe sociale në vend që është produkt i keqqeverisjes, vijnë edhe raportet ndërkombëtarë, që për fat të keq, vazhdojnë ta evidentojnë Shqipërinë si vendin kryesor të trafikimit të drogës në Evropë, e po kaq, ta evidentojnë atë edhe si një vend me probleme të mëdha me korrupsionin, krimin e organizuar, me pandëshkueshmërinë dhe me mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë.

Rasti më i fundit është raporti i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin, që analizon në detaje krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor.

Ky raport, i publikuar së fundmi, thekson se Shqipëria është vendi kryesor në Evropë i origjinës së kanabisit.

Kjo nuk është një e re padyshim dhe nuk përbën më lajm. Qeverisja e pseudorilindjes e shndërroi Shqipërinë në vatrën më të rrezikshme të krimit, kultivitimit dhe trafikimit të kanabisit në rajon dhe në Evropë, por e thënë nga një organizatë prestigjioze, nga një zyrë autoritare siç është zyra e Kombeve të Bashkuara që analizon dukuritë e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, kjo e vërtetë është padyshim një akuzë e rëndë dhe e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë shqiptare.

Sipas të njëjtit raport, bazuar në intervista të shumta që reporterët kanë mbledhur në terren, “trafiku i drogës dhe prodhimi, duket se shpesh janë të lidhura me krimin e organizuar, e megjithatë pjesëmarrja në krimin e organizuar ka nivele shumë të ulëta dënimi në Shqipëri”.

Pra, evidentohet raporti shumë i ulët të dënimeve të krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës në Shqipëri, çka evidenton në fakt problemin e madh që ekziston me sistemin e drejtësisë, me funksionimin e agjencive të zbatimit të ligjit.

Sipas të njëjtit raport, “krimi i organizuar ndikohet nga niveli i lartë i korrupsionit”, ndërkohë që zyra e OKB-së shprehet skeptike për ecurinë e procesit të vettingut në Shqipëri. “Ryshfeti, korrupsioni dhe pengimi i drejtësisë, thotë raporti, janë disa nga mjetet që lehtësojnë krimin e organizuar. Korrupsioni për të tepër, është një problem serioz në Shqipëri, veçanërisht brenda Policisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit”.

Janë konkluzione, janë përfundime shumë të rënda që nxjerrin blof gjithë propagandën, hipokrizinë dhe mashtrimin që me të madhe proklamon qeverisja, e cila në ikjen e saj përfundimisht nga skena politike, do t’i lërë për fat të keq Shqipërisë turpin e vendit me krimin e organizuar dhe me kultivimin apo trafikimin e drogës si vendi kryesor në Evropë.

I njejti raport thekson gjithashtu se Shqipëria ka qenë një vend i rëndësishëm tranzit përgjatë rrugës më të ngarkuar në botë të trafikimit të kokainës, rrugës ballkanike, e cila e ka origjinën në Afganistan dhe ka Evropën Perëndimore si destinacionin e saj përfundimtar.

Por, raporti thekson edhe se rëndësia e Shqipërisë si një vend transit për kokainën e Amerikës Latine në Evropën Perëndimore është rritur gjithnjë e më tepër. Grupet kriminale, thekson raporti, fitojnë terren në të gjithë Evropën.

Dhe pasi bën një analizë të detajuar të rasteve të korrupsionit, të rasteve të pandëshkueshmërisë dhe të mosveprimit të organeve të drejtësisë, raporti evidenton, si një problem tjetër të madh edhe pastrimin e parave, për të cilat Shqipëria gjithashtu vazhdon të jetë vendi kryesor i rajonit.

Duke iu referuar burimeve nga Këshilli i Evropës, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin thekson se, “niveli i provave të kërkuara për të vërtetuar krimin nuk është gjithmonë i qartë dhe procedurat e pastrimit të parave kryesisht pezullohen ose pushohen nga Prokuroria”.

Gjithsesi kjo situatë është padyshim vetëm njëra anë e medaljes, sepse për fat të keq, raportet e qeverisë me krimin janë shumë më të mëdha, janë shumë më tepër sesa vetëm me kultivimin dhe me trafikimin e drogës.

Raporti është një pamje reale e situatës kriminale në Shqipëri. Është një realitet i trishtë, i rëndë që tregon jo vetëm pafuqishmërinë e qeverisë për të zbatuar ligjin në ndëshkim të krimit dhe të korrupsionit, por ç‘është më e keqja, lë të kuptohet se qeveria është vetë pjesë stimuluese, motivuese dhe koordinuese e gjithë kësaj veprimtarie kriminale.

Nuk është hera e parë, ne edhe në raste të tjera kemi denoncuar me fakte dhe me prova lidhjen e qeverisjes me krimin dhe rolin e krimit në politikat qeverisëse të vendit.

Por ky raport dëshmon edhe njëherë sesa falsitet, sesa hipokrizi dhe ligësi ka në gjithë atë propagandë të shëmtuar të qeverisë, e cila nuk ka asnjë lidhje tjetër me këtë vend apo me qytetarët e këtij vendi, përveç lidhjeve të krimit, të korrupsionit, të drogës, përveç lidhjeve të pandëshkueshmërisë.

Për këtë arsye, por jo vetëm për këtë, për këtë motiv, por jo vetëm për këtë, por për shkak të dështimit në të gjithë parametrat e qeverisjes Shqipëria është sot jashtë axhendës për çeljen e negociatave me BE-në, sepse prej kësaj qeverisjeje Shqipëria është sot vendi kryesor në Evropë i origjinës së drogës, i trafikimit të drogës, i pandëshkueshmërisë dhe i korrupsionit.

Çfarë duhet më shumë se kaq që qytetarët të kuptojnë që kjo qeveri që ka kultivuar krimin, drogën, trafikimin e saj dhe korrupsionin e pandëshkueshmërinë, të ndëshkohet, sepse vetëm kështu shpëton Shqipëria.

Vetëm duke ndëshkuar shkaktarët, fajtorët, përgjegjësit kryesorë të kësaj situate, Shqipëria do të mund të rikthehet në normalitetin e vet, do të mund t’i rikthehet ëndrrës, aspiratës së 30 viteve më parë të penguar e të sabotuar qëllimshëm nga trafikantët e fshehur pas emrit të Rilindjes, për Shqipërinë Evropiane.

Sepse vetëm duke e larguar këtë qeveri të krimit dhe të korrupsionit, do të mund që në këtë vend të fitojë përfundimisht autoriteti i ligjit mbi krimin, të fitojë përfundimisht autoriteti dhe forca e institucioneve që zbatojnë ligjin përballë pandëshkueshmërisë.