Prokuroria e Katanias, nis hetimi ndaj Tahirit

496
Hetim në Itali për Saimir Tahirin
Investigimi i gazetarëve vë në dyshim dëshminë e pafajësisë, publikuar nga ish-ministri i Brendshëm. Çfarë ndodhi më 27 tetor, udhëtimi i prokurorëve në Katania dhe faktet e reja
Saimir Tahiri dyshohet të ketë mashtruar opinionin publik dhe Kuvendin, vetëm 24 orë përpara se deputetët të votonin mbi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. Tahiri publikoi më 24 tetor 2017 një dokument, që ai deklaronte se ishte lëshuar nga prokuroria e Katanias dhe ku thuhej se për ish-ministrin nuk kishte hetime. Por sipas një investigimi të “Top Channel”, dëshmia e pafajësisë e publikuar nga Tahiri vihet në dyshim të thellë dhe mund të jetë e falsifikuar. Më 25 tetor 2017, Kuvendi vendosi të mos jepte autorizimin për arrestimin e Saimir Tahirit, të cilin e Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës. 

Investigimi
Emri i Saimir Tahirit për herë të parë doli nga dosja e Habilajve e Prokurorisë së Katanias. Për të vërtetuar që përdorimi i emrit të tij ishte rastësor dhe i papërfshirë në hetime, ish-ministri i Brendshëm doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se brenda 48 orëve kishte mundur të merrte nga Prokuroria e Katanias një vërtetim që dëshmonte se ai nuk është person nën hetim nga italianët. “Brenda 48 orëve me një kërkesë fare të thjeshtë, unë sigurova këtë dokument nga Prokuroria e Katanias. Ky dokument mban datën 23 dhe thotë se për sa i përket shtetasit Saimir Bashkim Tahiri, i lindur më 30 Tetor 1979, nuk rezulton sot dhe më herët deri në këtë datë, që të ketë pasur ndonjëherë procedim penal nga Prokuroria e Katanias”, deklaronte Tahiri më 24 tetor (duke treguar edhe dokumentin përkatës). “Top Channel” për shkak të çështjes tejet të ndjeshme dhe personit që përmendej në dosje, i kërkoi Prokurorisë së Katanias sqarime të mëtejshme për rastin në fjalë. Përgjigjja nga zyra e Prokurorit të Katanias ishte se “prokurori nuk e sheh të arsyeshme të përgjigjet”. Në këtë moment “Top Channel” kërkoi të dinte sesi mund të merrej një vërtetim i tillë. Për këtë, TCH pyeti një studio avokatie në Katania. Avokatja Carmen Gulizia shpjegoi se një vërtetim të tillë mund ta kërkojë çdo shtetas, italian ose jo, fizikisht ose me ndërmjetësinë e një avokati italian. Atëherë “Top Channel” autorizoi avokaten Karmen Gulizia që të kërkonte një vërtetim të tillë për ne. Pasi kërkesa u dorëzua, TCH priti 48 orë. Përgjigjja nuk erdhi. Përgjigjen avokatja e TCH mori pranë kancelarisë së Prokurorisë vetëm pas 7 ditësh. TCH u interesua nëse vonesa kishte të bënte me televizionin. Por avokatja italiane i shpjegoi “Top Channel” se një dokument i tillë nuk mund të merret për 48 orë. Edhe nëse do të ishin paraqitur vetë fizikisht pranë Prokurorisë së Katanias, afati nuk ndryshon.

Në bashkëpunim edhe me kolegët e “MeridioNews”, TCH iu drejtua atëherë dy studiove të tjera në Katania, përfshirë kreun e dhomës penale të Katanias, të cilët siguruan dokumente të tjerë, kësaj herë të shtetasve italianë, të cilëve u janë mbuluar emrat për efekt privatësie. Ajo që TCH vuri re fillimisht, është që afati i marrjes së dokumenteve është për të gjithë mbi një javë pas depozitimit të kërkesës. Në njërin prej dokumenteve nuk ka firmë, por është një skan-kod shtesë në të djathtë lart. Avokatët sqaruan se nëse dokumenti merret në mënyrë elektronike me e-mail, i vihet ky skankod shtesë. Nëse merret fizikisht, me postë apo pranë sekretarisë, ka firmë. Përveç kësaj, dokumentet janë identikë me dokumentin e TCH. Por, të krahasosh dokumentin e TCH me dokumentin e paraqitur nga ish-ministri Tahiri, me sy të lirë këto 2 dokumente janë shumë të ndryshëm, edhe në përmbajtje, por sidomos në formë. “Dokument të tillë nuk kam parë kurrë. Jo vetëm që nuk kam parë, por nuk janë të tillë dhe mund ta shohim. Është e dukshme! mungojnë një sërë gjërash. Së pari nuk është logo e Republikës së Italisë, që duhet të jetë në çdo akt zyrtar italian. Nuk është barkodi, që është një kod që shërben për të identifikuar aktin dhe cili e ka lëshuar këtë akt. Ka një numër protokolli dhe mbi të gjitha, këtu thuhet: Nuk rezultojnë regjistrime. Duket sikur dikush e ka parë këtë dhe e ka shkruar në mënyrë pak të shpejtë, sepse ligji italian nuk thotë nëse ka apo jo regjistrime, por thotë: Nuk rezultojnë regjistrime të mundshme për t’u njoftuar. Por e përsëris, ka një dallueshmëri objektive. Mjafton që të shikoni, ky është origjinali ky është dokumenti që më keni treguar. Janë të papërputhshëm! Jo të ndryshëm, të papërputhshëm. Ky është një dokument fals. Domethënë, nuk mund ta them që është fals, është një krim i rëndë “falsifikimi i akteve publike”. Është një nga krimet më të rënda të parashikuara në Kodin tonë Penal”, thotë avokati, Gofrredo D’Antona. TCH foli edhe me kryetarin e Dhomës Penale të Katanias. “Absolutisht më duket një dokument jo origjinal, duke marrë parasysh që dokumenti i Prokurorisë, pra ai zyrtari, ka një bar kod, ka kokën me logon, ka një kod të skanueshëm. Ky është modeli që lëshohet nga Prokuroria e Katanias. Nuk më rezulton që të ekzistojnë të tjera. Kjo vulë nuk mund te them ç’është, por nuk mund të përjashtoj që të jetë e vërtetë. Por ama nuk tregon se cili është burimi që e ka vendosur. Ka një firmë me stilolaps, por jo emrin e punonjësit të Kancelerisë që e ka lëshuar. Mirëpo, nuk është e thënë që edhe nëse ekziston një procedim penal në ngarkim, ai të shkruhet dhe të jetë pjesë e dokumentit të lëshuar, sepse në shumicën e rasteve në certifikatë shkruhet: nuk rezultojnë regjistrime të mundshme për t’u njoftuar. Çka do të thotë që një subjekt mund të jetë i hetuar për krime të rënda, por pa iu komunikuar kjo, sepse duke qenë një sekret hetimor është e natyrshme që nuk do të tregohet në një dokument që i lëshohet subjektit, që është objekt i atij hetimi”, thotë Enriko Trantino, kryetar i Dhomës Penale të Katanias.

Pra në bazë të këtij investigimi dhe intervistave, duket që kemi të bëjmë me 2 vërtetime të ndryshme; ai i siguruar nga TCH, nëpërmjet avokates Karmen Gulizia dhe ai i zotit Tahiri me mangësitë e formës dhe të përmbajtjes që ka. “Top Channel” siguroi që vërtetimi i marrë nga ata ka dalë nga Prokuroria e Katanias, zyrtar dhe sipas afateve që parashikon procedura. “A mund të thotë zoti Tahiri të njëjtën gjë për dokumentin e tij? Dhe më kryesorja, siç thotë edhe kryetari i Dhomës Penale të Katanias, edhe po të ishte një dokument origjinal, nuk vërteton në mënyrë të prerë nëse ndaj Saimir Tahirit ka apo jo ndjekje penale nga Prokuroria e Katanias”, thuhet në materialin e “Top Channel”.

Çfarë tha ish-ministri:
“Letra e Prokurorisë Katania ku pranon se nuk ka asnjë hetim ndaj meje. Po Prokuroria jonë si donte të më arrestonte me 48 orë letra gazetash? Unë tashmë jam një qytetar pa asnjë pushtet. E si i tillë, brenda 48 orëve sigurova këtë përgjigje nga Prokuroria e Katanias. Prokuroria e Katanias, që ka hetuar 4 vjet një grup kriminal, e thotë shumë qartë që nuk ka asnjë lidhje me mua. E kur është kështu, si ka mundësi që prokuroria jonë, brenda 48 orëve, me letra që i morën në redaksi gazetash, kërkuan arrestimin tim. A nuk iu thanë prokurorët shqiptarë publikut se prisnin letra nga Italia? Kaq të vështirë e kishin të merrnin këtë informacion që mora unë brenda 48 orëve? Kaq të vështirë e kanë të kuptonin se “Saimiri” që përmendet me kamion, me linjë kamionësh, që ngarkon edhe thasë droge, nuk jam e as mund të jem unë?”

Saimir Tahiri, 24 tetor 2017
Sigal