Sigal

Jakup B. GJOÇA

Qeveria ka përgatitur 2 projektligje, ku kërkon që të “vendosë” rregull në mediat online. Kryeministri ka pretenduar se qëllimi është të formalizojë sajtet, të mbajnë përgjegjësi për lajmet rrema dhe shpifjet. Është hera e dytë që kryeministri Rama ndërmerr iniciativa të tilla, që në të vërtetë synojnë që të marrë nën kontroll median, të censurojë kritikën, sidomos akuzat e medias për korrupsionin e qeverisë.

Anti-shpifja, censura qeveritare

Këto 2 projekt-ligje të qeverisë për median online janë cilësuar si censurë ndaj fjalës së lirë. Madje, edhe organizmat ndërkombëtare në Tiranë janë shprehur kundër këtyre projektligjeve. Kështu, dje disa organizata të gazetarëve dhe të mbrojtjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri i bënë thirrje qeverisë që të heqë dorë nga plani për rregullimin e mediave online, të cilin e cilësuan rrezik për lirinë e shprehjes dhe demokracinë në vend. Deklarata e përbashkët e BIRN Albania, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë, AIS/Open Data Albania, Civil Rights Defenders, Këshilli Shqiptar i Medias dhe Qendra Shqiptare MediaLook thekson se projektligjet cenojnë demokracinë në vend dhe lirinë e medias. “Këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin,” vërejtën organizatat firmëtare.

Projektligjet e qeverisë

Në dhjetor 2018, Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Drejtësisë propozuan ndryshimin e ligjit funksional të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP si dhe Autoritetit të Medias Audiovizuale (AMA) me synimin e krijimit të një regjistri të çdo faqeje në internet dhe dhënies së të drejtës te një institucioni të quajtur “Këshilli i Ankesave” për gjobitje të mediave në bazë të kërkesave të të tretëve, ose të urdhërojë mbylljen e mediave, ose të aksesit në faqe interneti në territorin e Republikës së Shqipërisë. Projektligjet për “Disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9918 Datë 19.5.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar- u japin të drejtë AMA-s ose Tatimeve të gjobisin dhe mbyllin median online, pa një procedurë të mirëfilltë ligjore, duke rritur rrezikshëm nivelin e censurës e vetë/censurës ekzistuese në median shqiptare.

Reagimet e ndërkombëtarëve

Veprimet në kuadër të të ashtuquajturës “paketë anti-shpifje” të qeverisë Rama u kritikuan në tetor nga përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Désir, që i cilësoi ato si me pasoja negative për lirinë e medias. Edhe katër organizata ndërkombëtare të lirisë së medias, Federata Evropiane e Gazetarëve, Qendra Evropiane për Liri të Medias dhe të Shtypit, PEN International dhe Reporterët pa Kufi, i dërguan një letër publike kryeministrit Edi Rama në dhjetor duke i kërkuar të tërheqë projektligjet. Seancat dëgjimore për projektligjin, ku organizatat e gazetarëve dhe ato të të drejtave të njeriut në Shqipëri kanë marrë pjesë, u shoqëruan me përsëritjen e thirrjes së këtyre të fundit për autoritetet që të tërheqin projektligjet. “Nëse maxhoranca socialiste do të miratojë këto dy projektligje, demokracia jonë hibride do rrëshqasë drejt modelit të një regjimi autoritar,” u shprehën organizatat në deklaratën e tyre. “Kjo, pasi në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët,” shtuan ato. Shtatë organizatat hodhën gjithashtu poshtë pretendimin e AMA-s dhe zyrtarëve të qeverisë, përfshirë kryeministrin Rama se projektligjet në fjalë mbështeten në “modelin kroat”.

Hapa mbrapa në procesin e integrimit

Nga verifikimet tona, në Kroaci nuk ekziston asnjë legjislacion i ngjashëm për mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e medias në internet,” vërejtën ato. Media online është vënë gjithashtu në një targetim të posaçëm, vërejtur kjo edhe nga tatimi në masën 20% që i bën ligji për TVSH medias online, tarifë kjo që për median vizive është ulur në 6%. Organizatat bënë thirrje për korrigjim të tatimit për median online, si dhe nxitën qeverinë të shohë vetërregullimin e medias dhe edukimin e publikut përmes fushatave për rritjen e njohurive mbi median, propagandën, dizinformimin apo lajmet e rreme si mjetet e duhura për të luftuar problemet në komunikimin online dhe jashtë rrjetit. “Duke marrë parasysh detyrimet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Evropian, ne vërejmë se të dy projektligjet e propozuara përbëjnë hap pas në procesin e integrimit,” përfunduan shtatë organizatat deklaratën e tyre.