Progres-raporti 2015, Bregu-BE: Afate kohore dhe monitorim më të rreptë

394
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu, ka kërkuar afate kohore dhe monitorim më të rreptë të Shqipërisë nga Bashkimit Europian për përmbushjen e reformave për hapjen e negociatave.
Duke analizuar progresraportin për vendin tonë, Bregu tha se koha e pakufinjtë në dispozicion dhe mospërcaktimi i asnjë datë e sigurt në proçes i shtyn politikanët tek përqëndrimi në interesat politike të tyre.
Bregu:“Koha e pakufijtë në dispozicion dhe asnjë datë e sigurt në proçes i shtyn pa droje politikanët qeverisës tek përqëndrimi vetëm tek interesat personale politike. Në vend të motivimit për të ecur më shpejt duke mos pasur rival kohën përqëndrohen tek klientelizimi dhe autoritarizmi. Besoj se ky duhet të jetë shqetësimi ynë, i përkthyer në gjuhën e progresraportit dhe KE në reforma të papërmbushuara mjaftueshëm për Shqipërinë sa për të merituar hapjen e negociatave këtë vit. Kushtëzimi duhet të ketë afate kohore dhe monitorim më të rreptë. Shqiptarët e dinë realitetin në të cilin jetojnë dhe asnjë raport nuk u thotë dot më shumë. Por prej të premtes përgjumja i ka pasojat e qarta ndaj më mirë të shkundemi të gjithë bashkë”.
Sipas Bregut, nëse prespektiva e anëtarësimit bëhet e paqartë dhe e largët, në Shqipëri por dhe Ballkanin Perëndimor ky lloj vakumi ligjor do të sillte destabilitet.
Bregu:“Një qasje ku vendimarrja politike të mos plastinizohet dhe të përfundojë në deklarata takimesh më së shumti, një qasje që të na vërë ne para presionit real për zbatimin e detyrimeve me kalendare kohore të qarta.Hapja e negociatave me Shqipërinë nuk mund të jetë një garë pa kohë, këtu ne, pala shqiptare jemi të gjithë dakord.Nëse prespektiva e anëtarësimit bëhet e paqartë dhe e largët, nëse ngelet në një gjendje pezull, në vendet tona ky lloj vakumi vendimarrje mund të shkaktojë më shumë destabilitet”.
Deputetja demokrate nga ana tjetër vlerësoi se ngjarjet në Paris do të japin ndikimin e vet në politikën e jashtme të BE-së sa i takon zgjerimit.
Bregu: “Prej të premtes ka ardhur koha që zgjerimi nuk mund të jetë më pjesë e politikës së jashtme të BE dhe Ballkanit Perëndimor, por çështje e politikës së tij të brendshme. Prej të premtes më pak dëshirë do ketë për ta përmendur apo për të dëgjuar për zgjerimin e Europës me vende të reja. Nëse duhet të lëvizim të gjithë në një kohë, ky Ballkani ynë dhe kjo Europa jonë qasja përbashkuese sot është siguria dhe stabiliteti në çdo aspekt. Vetëm në emër të parimeve “Të gjithë ne jemi europianë” mund të ketë një investim afatgjatë në siguri dhe stabilitet”.
Sigal