Programi i Ramës është tepsia, qeveria jonë do të ulë taksat

446
Sigal

Kryemadhi, kryetarja e LSI: Deputetët socialistë që u kërkuan votat, të takohen me banorët e “Unazës së Re”

Gjatë takimit me strukturat drejtuese të partisë, Monika Kryemadhi tha se për LSI nuk ka ndarje dhe diferencime mes qytetarëve. Kryemadhi tha se LSI ka një program të qartë për t’ju shërbyer qytetarëve, për të ulur taksat dhe krijuar zhvillim, ndryshe nga kryeministri Rama, i cili nuk ka një program konkret politik, porse programi i tij është vetëm tepsia, kusia dhe kazani.

Kryemadhi: Qeveria jonë do të ulë taksat

“Edi Rama nuk ka program politik, Edi Rama ka tepsinë, kusinë edhe kazanin. Edi Rama nuk ka as ulje taksash. Ne si LSI e kemi thënë dhe e themi: do të ulim taksat, do t’i krijojmë mundësinë njerëzve që të punojnë dhe jetojnë në vendin e tyre me taksa më të ulëta ku institucionet e shtetit shqiptar mos jenë kamxhiku mbi kokën e tyre, por të jenë bashkëpunëtorë të qytetarëve dhe të bizneseve shqiptare sepse ne sot kemi nevojë për klimë të mirë biznesi dhe pune. Sa energji elektrike shet shteti shqiptar nga liqeni i Fierzës dhe sa ju ka dhënë këtyre 150 familjeve, të cilat kanë mbi 27 vjet që jetojnë në atë zonë dhe nuk ndalon me grabitjen e pronës, por tallet me ta.

Deputetët socialistë të shkojnë tek banorët

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka kërkuar nga deputetët e Partisë Socialiste që të solidarizohen dhe të takohen me banorët e Unazës së Re, ashtu siç u trokitën në dyer për tu kërkuar votat në fushatën elektorale. Dua t’u bëj një thirrje kolegëve socialist, për ata socialistë që kanë mbetur në shpirt e në zemër, për ata socialistë që kanë trokitur në dyert e tyre në fushatat elektorale, duke filluar nga Musa Ulqini, Besnik Bare e shumë e shumë të tjerë të shkojnë e të paktën të pinë një kafe të zezë me ata banorë, të shkojnë e t’u thonë: Ne nuk kemi fuqi ta ndryshojmë këtë realitet, por jemi me shpirt e me zemër me ju. Të shkojnë e të thonë që ne nuk jemi dakord me këtë turp të Edi Ramës, sepse kjo tregon se u ka mbetur pak socializëm brenda shpirtit të tyre. Nëse ata nuk do ta bëjnë do të më vijë shumë keq, sepse vitet më të bukura të jetës sime ja kam kushtuar një partie, e cila vetëm për njerëzit nuk ka menduar, por ka menduar vetëm për veten e saj që prej themelimit të saj për një grup njerëzish dhe vazhdon të mendojë tashmë për një grup kriminelësh”, tha Kryemadhi. Kryetarja e LSI ka komentuar edhe skenat e propagandës të Rilindjes, me njerëz të cilët në fakt nuk janë banorë protestues të Unazës së Re, por punonjës të bashkisë, të cilët shfaqen të kënaqur për të lënë shtëpitë e tyre dhe për të pranuar banesat sociale.