Prof. Përparim Kabo: Politika gabon me fenë, ekstremizmi fetar luftohet me edukim laik

1416
Sigal

Rezear Xhaxhiu


Filozofi, antropologu dhe njëherësh lektor prej 10 vitesh në universitetet shqiptare, Përparim Kabo është kundër vendimit të kryeministrit dhe ministres së Arsimit, Lindita Nikolla për futjen e fesë në kurrikulat shkollore. Në një intervistë për emisionin “Natë më Xhaxhiun”, ai argumenton se sipas një neni të caktuar, njohjen me Kushtetutën, që Shqipëria nuk ka një fe zyrtare, që qeveria është e baraslarguar nga besimet, që kultet fetare organizohen në mënyrë të pavarur dhe nëse do të ndërtojë një marrëveshje me qeverinë, do të kalojë në Parlament 

Do doja të bënim së bashku një kapërcim në kohë, si ka qenë në optikën tuaj sistemi arsimor në çerek shekullin, të post 90-ës?

Përderisa kryeministri në mënyrë të beftë, duke na befasuar të gjithëve i ngarkoi shkollës së një shteti laik, edukimin mbi fenë apo mbi historinë e fesë apo kulturën fetare, është e natyrshme të bëjmë një pyetje. Çfarë ka ndodhur me shkollën tonë në këto 25 vjet? Në fillim të viteve 90 hyri në fuqi procesi i ç’ideolizimit të shkollës, që ishte i nevojshëm, por që bëri edhe gabime, sepse largoi nga kurrikula e shkollës rolin e filozofisë që ka një rendësi të jashtëzakonshme në marrëdhënie me religjionin. Fillimisht u fol për shkollën e ç’ideologjizuar, pastaj për shkollën që do të drejtonte menaxherët e ardhshëm, sot flitet për shkollën që do të sjellë në foskusin e saj, kompetencën shkencore dhe profesionale. Bile, sot më tepër flitet për arsimin profesional, sesa një edukim të përgjithshëm. Ka pasur ndryshime strukturore, sepse nga sistemi 8-vjeçar u kalua në sistemin 9-vjeçar, shkolla e mesme mbeti me tre vjet dhe kemi zgjerim të arsimit nga arsim publik në arsim privat. Dhe këtu kemi një risi, një arsim privat edhe fetar, në nivelet e shkollave të mesëm, por edhe të universiteteve. Kështu që shkolla te ne nuk është akoma në një nivel të tillë, të përfundimit të reformimit, qoftë arsimi i lartë, qoftë arsimi i mesëm, në përgjithësi sistemi arsimor. Dhe pikërisht në këtë kohë, i kërkohet të marri përsipër, në mënyrë kurikullare edhe një detyrë kaq e ndjeshme.

Ju folët shkurtimisht për shkollën në këto 25 vjet, por jam kurioz të di mendimin tuaj si ka lëvizur sistemi fetar në Shqipëri, në Shqipërinë e Tolerancës fetare në këto 25 vite? 

Në këto 25 vite, kemi ndryshime edhe në raportet e shoqërisë me religjionin. E festuam para ca kohësh meshën e parë të Kishës Katolike në Shkodër, mbas disa ditësh ka qenë edhe një fe e besimit mysliman, edhe ajo ka qenë një ngjarje shumë e rëndësishme, në lagjen ‘Xhabia” ku kanë shkuar edhe katolikë, thjesht për rikthimin fetar, mbas ndalimit që bëri sistemi komunist mbas viteve ’67. Pra kemi një rikthim të marrëveshjes historike, gjithëkohore që ka njeriu me besimin, me hapjen e kishave dhe xhamive, por kemi pasur edhe disa fenomene të cilat nuk kanë qenë brenda kontrollit. Pra kemi krijimin e Sinodit e Kishës Ortodokse me kryepeshkop joshqiptar, kemi rihapjen e Kishës Katolike me kontributin e një personaliteti të shquar që na u nda nga jeta Imzot Rrok Mirdita, që në mendimin tim është një ndër personalitetet më të shquara të 100 viteve të fundit. Kemi rihapjen e institucionit të besimit islam, edhe të sunitëve, edhe të bektashinjve. Fillimisht, kryetari i Komitetit Mysliman të Shqipërisë ka qenë Hafiz Sabri Koçi. Hafiz në liturgjinë e besimit islam do të thotë ‘njeriu që di të gjithë Kuranin”. Pastaj ai u zëvendësua nga një personalitet tjetër, por që kishte studiuar në Çeki, për gjeodezi dhe sot kemi një tjetër, që nuk ia di CV. Kemi dhe diçka tjetër, rindërtimin e institucioneve fetare, ekzistuese por dhe ndërtimin e tempujve sipas një harte që i përkon, periudhave të atyre perandorive që sollën besimin fetar në Shqipëri. Vazhdon tradita e bashkejetëses dhe harmonisë fetare, sepse termi ‘tolerancë fetare’ është term shumë pretencioz. Në kushtet kur niveli liturgjik, praktikantëve dhe besimtarëve por edhe niveli teologjik i atyre që predikojnë, sidomos i atyre në nivelet e dyta dhe të treta lë shumë për të dëshiruar, është shumë e vështirë të thuash që ne kemi të zhvilluar tolerancën fetare. 

Mes këtyre dy paraleleve që ju sapo i bëtë, të shkollës në këto 25 vite dhe të situatës fetare në këto 25 vite, shoqëria shqiptare që është në mes, mes fesë dhe dijeve shkencore, çfarë i ka ndodhur, në këtë mors? 

Nëse do ta marrin shoqërinë si popullsi, ajo ka fituar një të drejtë legjitime, që nuk e kishte në sistemin diktatorial, që nga ’67 deri në vitet ’90, pra iu kthyen kulteve fetare, iu kthyen tempujve fetarë, procesionit dhe ritualit fetar. Në ç’nivel bëhet kjo varet nëse je në një qendër urbane, je në një zonë rurale, kjo është për t’u diskutuar. Ndërsa se çfarë qëndrimi mbajti politika ndaj besimit fetar, këtu ka një tektonizëm relativisht jo shumë të kënaqshëm. Sepse nga një anë kemi njohjen në Kushtetutë, me nen të veçantë që Shqipëria nuk ka një fe zyrtare, që qeveria është e baraslarguar nga besimet, që kultet fetare organizohen në mënyrë të pavarur dhe nëse do të ndërtojë një marrëveshje me qeverinë do të kalojë në Parlament, që ato janë të regjistruara në gjykatë dhe që veprojnë në bazë të ligjit dhe të Kushtetutës, si subjekte që duhet të respektojnë ligjin, sepse i ndarë nga shteti, nuk do të thotë të jesh i pavarur nga ligji. Pra ligjin nuk mund ta shkelësh, po e shkele ligjin, ndëshkohesh. Por politika ka bërë gabime në lidhje me fenë.
– Regjistrimin në Konferencën Islamike pa marrë një pëlqim nga masa e gjithë shoqërisë. Pastaj është vazhduar me hapje shkollash, edhe këto me preferenca, sepse nëse do të me pyesnin mua, ne do të orientoheshim, ne shkojmë në BE. Pra, në vend që të hapeshin shkolla perëndimore, u hapën shkolla lindore. Në një mënyrë a tjetër, ‘e futën nën mëngë’ orientalen. 

– Ka dhe një sjellje tjetër, që kur ka festa fetare, liderët politikë, megjithëse janë liderë të një shteti laik mundohen të shpjegojnë kalendarin fetar, festën fetare. Por kam edhe një vërejtetje edhe për hierarkët fetarë, që në raste festash, në vend që t’i presin drejtuesit e lartë politikë, aty ku shkon dhe populli, i presin në zyra të veçanta. Një diferencë e tillë nuk i shkon besimit fetar. Kur shikon Papën sot, që i lan këmbët një njeriu dhe e kryen ritualin siç e kryente Jezusi. 

Në çfarë konteksti mund të jetë bërë qëndrimi i fundit nga Kryeministri Rama, pse pikërisht tani ky qëndrim? Mos vallë Rama kërkon të tërheqë një serbator votash nga komunitetet fetare? 

Në gjykimin tim, vendin ku gjeti për ta deklaruar këtë nuk ishte vendi i duhur. Ne duhet të kuptojmë të gjithë që jemi në një shoqëri liberal-demokratike, ku arsimi është i pavarur nga politika, politika kurrikulare, se çfarë lëndësh duhet të zhvillohen në shkollë. Ne menduam se e kaluam sistemin diktatorial dhe ndryshimi, pikërisht ky ishte. Nëse flitet për edukim fetar dhe ai adresohet në rrezikun e rekrutimit të të rinjve, si xhihadistë ose si islamistë ekstremistë, kjo nuk zgjidhet përmes edukimit laik, si shërbëtorë e kulturës fetare, por nëpërmjet një edukimi laik, që nuk të lejon të bëhesh viktimë e fundamentalizmit, pra forco shkollën, edukimin shkollor, edukimin shkencor, edukimin filozofik, edukimin sportiv, edukimin moral, edukimin kozmo-politik, edukimin kulturor dhe nuk do ketë vend në ndërgjegjen e atij njeriu, që të zërë vend fondamentalizmi si një formë primitive e shpjegimit të botës, gjoja me tharmë fetare. 

Zonja ministre ka dashur të na qetësoj, kur ka thënë se janë ekspertët francezë që po punojnë për këtë risi, por çfarë vlere ka kjo, kur shohim që vetë francezët nuk kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet apo të ndërtojnë modele mes katolikëve francezë dhe magrebianëve, që jetojnë prej dekadash në Francë? 

Franca është vendi që dështoi pikërisht në një program të gjerë të vlerësuar nga Asambleja Kombëtare, për të krijuar atë që quajtën ‘kombi qytetar’. Një autore franceze, ajo edhe u dekorua nga Asambleja Kombëtare e Francës dhe ata thanë: “Nuk ka rëndësi nacionaliteti nga vjen, nuk ka rëndësi besimi fetar, mjafton të pranosh kulturën franko-fone, historinë e Francës dhe ti je pjesë e kombit të qytetarëve”. Ngjarjet e fundit treguan se, ky ishte një dështim i plotë i kësaj filozofie. Ç’kuptim ka kjo që thotë zonja ministre, se ekspertë francezë…pse çlidhje ka, ne jemi shtet i pavarur, pse Franca do na i bëj politikat arsimore? Ky nuk është argument. Se dëgjova dhe një argument tjetër: USAID do të na mbështes ne, por te USAID çon një projekt, ai të jep lekët, por ti duhet të studiosh realitetin dhe deklaratën më të mençur dhe më të argumentuar e ka dhënë ambasadori gjerman: ‘Është tjetër përvoja jonë, çdo vend mund ta zgjidhi këtë sipas përvojës së tij”. Pra ne do t’i referohemi përvojës sonë. Pyetja që doja t’i bëja ministres, se deklarata e saj ishte eklektike, nuk dha një përfundim të qartë, do jetë një kulturë fetare, apo një kulturë civilizimesh, as ajo nuk e kishte të qartë. Pyetja thelbësore është: Nga lindi kjo nevojë? Lindi si një nevojë arsimore dhe arsimi do t’i përgjigjet, apo lindi si një nevojë shoqërore dhe arsimi thërritet në ndihmë, është një krizë e religjionit në Shqipëri dhe ai nuk e zgjidh dot nga vetvetja. Një nga përfaqësueset më të në zë të katolicizmit fetar, që shkruan aq bukur, thotë që unë jam skeptik. Këtë edukim e bëjnë familja dhe institucionet fetare. Dëgjova dhe deklaratat e Nunsit Apostolik dhe kreut të Komunitetit Mysliman. Nunsi Apostoli tha se ka rëndësi edukimi moral dhe këtu ka një traditë të hershme. Shumë nga normat morale, pavarësisht se cilës feje i takojnë, kanë një kadencë tek sjellja civile e njeriut, kur flitet: “Respekto prindërit, mos vjedh, respekto të drejtat e të tjerëve, mos intrigo, mos vrit, etj”. Ndërsa kreu i Komitetit Mysliman foli për një fondamentalizëm dhe terrorizëm të egër. Nëse Komuniteti Mysliman, nuk është në gjendje ta zgjidhë këtë gjë, të thërrasim një tavolinë ekumenike, ku të jenë të gjitha besimet fetare, ata kanë edhe një komitet ndërfetar, shteti ka një komitet shtetëror të kulteve, të thërrasim akademikë, profesorë, historianë, antropologë, mjekë psikiatër, ekonomistë, bankierë, sepse varfëria është pjella e të gjitha këtyre. 

Pra, ju e përjashtoni mundësinë që është shkolla shqiptare e shek. 21, ka nevojë për gjetje të tilla apo janë institucionet fetare që po u vjen përshtat kjo risi? 

Çështja e parë që duhet qartësuar është kjo: Cili është shqetësimi dhe nga vjen? Ne kemi nevojë për kulturë më të mirë etike dhe sjellim në vëmendje edhe ndihmën që mund të japi etika fetare. Kemi nevojë për një njohje më të mirë të historisë fetare, e cila nuk mund të ndahet edhe nga historia e fesë. Kemi nevojë në shkollat tona për një edukim më të mirë filozofik dhe nuk mund të shkëputemi nga kontributi që kanë filozofia, religjioni. Ne, në Shqipëri kemi më shumë nevojë për një njohje më të mirë të civilizimeve dhe siç thonë autorët më në zë “Në thelb të civilizimit, religjioni, identiteti që vjen nga religjioni dhe identiteti që vjen nga gjuha”. Fillimisht duhet të përcaktojmë në matricën tonë, cili është shkaku, çfarë nevojash kemi, dhe kush është ai që e shtroi këtë problem. Është kryeministri, është ministrja, janë profesorët, janë specialistët e fushës, është religjioni, është faktori ndërkombëtar, është gjeo-politika rajonale, është një eksperiment i mundshëm.

Rama në fillim insiston, edhe ministrja kur thonë se do të jetë njohuri mbi fetë dhe jo mësim fetar, pra një kulturë e përgjithshme për doktrinat fetare. Çfarë mendoni ju se mund të përfshijë kjo kulturë, anën historike apo përmbajtjen filozofike? 

Fe të mirëfilltë nuk mund të bëhet, do ishte një kthim prapa, në mesjetë, por edhe kulturë mbi fetë… Çfarë është historia e fesë? Është historia kur lindi kjo. Feja katolike, ardhja e Abrahamit, sakrifikimi i Isakut, biseda e Jakobit me Perëndinë, populli izraelit, Moisiu, qëndrimi në Egjipt, ‘Duaje të huajin si veten tënde’, vajat në Malet Sinai, viçi jeshil, etj. Myslimanizmi, beteja e Medinës me Mekën, viti 622, lufta e Muhaviës, suniti i Sirisë me Imam Aliun, dhëndri i Muhamedit, ndarja në sunit dhe shiitë, ardhja e turqve dhe tartarëve, lindja e Islamit Fondamental, ardhja e tyre në kufijtë e Bizantit dhe pastaj krijimi i Perandorisë Osmane. Feja Ortodokse, ndarja e Perëndimit dhe Lindjes, pastaj zëvendësimi i latinishtes me greqishten, pastaj, murgjit, perandorët, rënia e Kostandinopojës. E çfarë fiton nxënësi me këto? Kjo mund të mësohet për 3-4 orë. Nëse do të studiohet historia e tyre, gjëja e parë që duhet të pranojë ministrja, dija fetare është dije kozmokonike, jep shpjegime mbi botën. Bota, krijimi i botës, marrëdhënie tij me Zotin. Kemi raportet e besimtarit me shtetin, raportet e besimtarit me të drejtën, ka të drejtë juridike, por ka edhe të drejtë fetare. Marrëdhëniet me pronën, marrëdhëniet me familjen, marrëdhëniet arsimin, me kulturën. Kam 10 vjet që lektoj, por 30 vjet që përgatitem.