Prof. Kume për çështjen “Balluku”: GJK të sqarojë nëse ka mbivendosje të pushteteve, Pritja e Këshillit të Mandateve për vendimin, jo normale!

Ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, ka komentuar ngërçin në Gjykatën Kushtetuese lidhur me marrjen e një vendimi për çështjen “Balluku”.

Kume theksoi se Kryeministri i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që problemi të zgjidhet përfundimisht, duke nënvizuar se kjo çështje ka një rëndësi të veçantë institucionale. Sipas tij, është e domosdoshme të sqarohet nëse në këtë rast kemi një mbivendosje të kompetencave mes pushteteve.

Sigal

“Nëse jemi përballë një kërkese të tillë, duhet të sqarohet përfundimisht mbivendosja e pushteteve. Gjykata Kushtetuese duhet ta zgjidhë këtë çështje, pavarësisht kohës që i nevojitet për ta trajtuar”, u shpreh Kume.

Ai theksoi se Gjykata Kushtetuese merret gjithmonë me çështje teknike që lidhen me ligjin dhe zbatimin e tij, dhe jo me raste personale, ndaj vendimi i saj pritet të ketë vlerë parimore.

Nga ana tjetër, Kume u shpreh kritik ndaj pritjes së Këshillit të Mandateve për një vendim nga GJK. Sipas tij, nuk është normale që ky institucion të presë, pasi kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit ndaj Belinda Ballukut nuk ka lidhje formale apo direkte me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese.

“SPAK i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë konkrete dhe kjo procedurë nuk ka pse të bllokohet duke pritur një vendim të GJK-së”, përfundoi Kume.