Prof. Dr. Lush Susaj: Pak kujtesë mbi masakrën e vitit 1996 dhe zjarrin përcëllues të vitit 1997

412
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Krismat dhe oshëtimat” e masakrës elektorale 2021

Pak kujtesë mbi masakrën e vitit 1996 dhe zjarrin përcëllues të vitit 1997

Në këto 31 vite, për fatin e keq, kam patur rastin që të shoh me sytë e mi e nga afër pjesmarrjen e hapur të policies në deformimin e vullnetit politik dhe manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale të vitit 1996. Në atë kohë, bandat e krimit të mbështetura nga SHIK dhe nga policia, u sulën duke dhunuar hapur ligjet, rregullat elementare të votimit dhe bashkëjetesës, qendrat e votimit, komisionerët dhe fletët në kutitë e votimit. Të tilla skena janë parë e treguar në të gjithë Shqipërinë. Nga ajo kohë, mbaj mend fytyrat e policëve dhe të nënoficerëve të ShIK-ut, të cilët shoqëronin dhe kontrollonin në distance lëvizjet dhe “aksionet” idiote të djemve të rinj të qytetit, të cilët futeshin nëpër qendrat e votimit dhe hidhnin në kuti fletët e plotësuara.

– Nga dhunimi i zgjedhjeve të vitit 1996, nuk pati asgjë të mirë, ashtu si përsëritja e tanishme 

– Gjatë ditëve 24 dhe 25 Prill 2021, njëlloj sikur në vitin 1996, shikonim makinat e patrullave të policisë

Kjo ka qenë mënyra më e trashë, më  e bujshme dhe më e dhimbshme e dhunimit shtetëror të një procesi zgjedhor, shoqëruar edhe me disa kredi të vogla bujqësore të dhëna në mënyrë selektive për militantët dhe drejtuesit e strukturave të parties- shtet. Ajo që nuk më hiqet kurrë nga mendja, ka të bëjë me mashtrimin dhe me keqpërdorimin e njohur të djemëve të rinj të qyteteve, të cilët dhunonin pa mëshirë komisionerët dhe mbushnin kutitë me fletëvotimi të plotësuara, pa e ditur e pa e kuptuar se ata po ndiznin zjarrin e një rrebelimi të njohur antishtet e antishqiptar të viteve 1997-1998. Asnjëri prej këtyre adoleshentëve nuk e dinte dhe nuk arriti që të kuptonte atë që po bënte. Asnjëri nuk e dinte që në atë ditë, ata sistemuan turrën e druve të një zjarri të madh që do të ndizej në Mars të vitit 1997, e ku u dogjën vetë të parët. Për lexuesin, e sidomos për rininë, për forcat e rendit dhe për drejtuesit lokalë të strukturave të ndryshme politike, dua që të kujtoj dy fakte të hidhura, e që nuk duhen harruar kurrë.

Së pari, do ju lutesha që secili të hedhë një vështrim mbi ngjarjet e dhunimit të zgjedhjeve të vitit 1996, që të kuptohet edhe më mirë se si të gjithë adoleshentët, policët dhe SHIK-asit e keqpërdorur, patën një fund të llahtarshëm. Përpiquni që të kujtoni për pak momente atë që realisht ka ndodhur kudo në lagjet dhe në qytetet tona. Kështu mund të kujtoni të kuptoni mënyrën se se si nga dhunimi i zgjedhjeve të vitit 1996, nuk pati asgjë të mirë. Përkundrazi, është ndezur mosbindja dhe rrebelimi antishtet e viteve 1997-1998, kohë kur janë djegur fshatra dhe qytete, prona dhe institucione, e më e keqja janë vrarë adoleshentë, banorë dhe policë të pafajshëm. Njëkohësisht nuk duhet të harrojmë kurrë që me anë të këtij zjarri, politikanët e korruptuar, arritën të amnistojnë e të mbulojnë krimet e dhunës dhe vjedhjes së njohur të pronave ushtarake e civile në të gjithë Shqipërinë. Pas masakrës së llahtarshme e të mirorganizuar shtetërore të 25 Prillit 2021, çdo ditë më kujtohen ata adoleshentë e policë që unë kam parë në vitin 1996, duke dhunuar kutitë dhe qendrat e votimit, e që për fatin e keq të tyre, disa kanë përfunduar në burgje, kurse pjesa më e madhe janë vrarë e nuk jetojnë më.

Oshëtimat e masakrës elektorale e bëjnë jetën politike të padurueshme

– Përdorimi i policisë, administratës, adoleshentëve, parave dhe bandave në dhunimin e zgjedhjeve të vitit 1996, ndodhën edhe në 25 Prill 2021

Së dyti, që të gjithë e dinë faktin që partia- shtet e vitit 1996 dhe Sali Berisha, që në atë kohë ishte drejtuesi dhe sundimtari absolut i shtetit dhe partisë, nuk arriti që të ketë urtësi e as arsye politike për të parë e dëgjuar krismat dhe oshëtimat e dhunimit shtetëror të zgjedhjeve. Përkundrazi, vazhduan me ato kapardisjet dhe propagandën e njohur fyese e përçarëse derisa plasi në Vlorë e në të gjithë Shqipërinë. Fillimet dhe pasojat e kësaj plasje dihen nga të gjithë.

Harresa është idiotësi dhe fatkeqësi e madhe.

Kujtesa e shkurtër është fatkeqësi për faktin se ngjarjet, pavarësisht nga mospranimi apo nga propaganda dhe represioni, kur janë harruar, janë përsëritur në përmasa edhe më të mëdha. Nuk është koha për të bërë të paditurin apo për të heshtur e për t’u sjellë sikur nuk ka ndodhur asgjë, apo sikur ka ndodhur diçka e zakonshme. Heshtja dhe kapërdimja e dhunimit  të zgjedhjeve të një vendi të vogël, e me një kulturë dhe demokraci hibride otomano-komuniste, është e rrezikshme dhe plotësisht e pamundur. Për mua dhe mijëra të tjerë si unë, nuk mund të mos ekzistojë analiza krahasuese e përdorimit të policisë, administratës, adoleshentëve, parave dhe bandave në dhunimin e zgjedhjeve të vitit 1996, por edhe në procesin zgjedhor të 25 Prillit 2021. Për fatin e keq, edhe gjatë ditëve 24 dhe 25 Prill 2021, njëlloj sikur në vitin 1996, shikonim makinat e patrullave të policisë, të cilat ndryshe nga ditët e tjera, nuk patrullonin me tre policë me uniforma të rregullta. Përkundrazi, gjatë ditëve të fundit të zgjedhjeve në timon qëndronte një polic me uniformë, ndërsa në krahun tjetër ndodhej një civil me bark të madh e me një çantë të zezë përpara. Makinat ndalonin përpara lokaleve, në kthesa dhe tek dera e tyre afroheshin menjëherë një apo dy djem të ri, të cilët merrnin diçka nga civili i ulur në vend të parë, e më pas largoheshin. Ata që afroheshin tek makina e policisë, njëlloj sikurse ata të vitit 1996, ishin adoleshentë dhe militantë që premtonin e që bënin ndere  me legalizimet, me zgjerimin e lokaleve në dëm të hapësirave publike, që jepnin grante, financime apo që bënin edhe emërime 2-3 mujore në administratë, etj.

“Pas masakrës së llahtarshme e të mirorganizuar shtetërore të 25 Prillit 2021, çdo ditë më kujtohen ata adoleshentë e policë, që unë kam parë në vitin 1996, duke dhunuar kutitë dhe qendrat e votimit”

Pa përmendur këtu listën emërore të çdo familje polici dhe zyrtari që ka qenë nën presion të jashtëzakonshëm për të votuar partinë- shtet dhe sundimtarin e kohës. Edhe mund të ndodhë që një drejtuesi shtetëror t’i dalë situata nga kontrolli, e kështu të cënohet rendi, siguria dhe procesi zgjedhorë pa dijeninë dhe dëshirën e tij. Do të doja të ishte kështu, por për fat të keq, midis proceseve zgjedhore të dhunuara e të deformuara të viteve 1996 dhe 2021, shoh një ngjashmëri të madhe e dekurajuese. Midis tyre ka një ngjashmëri të frikshme për ekonominë, për politikën, për rininë, për familjen dhe për shtetin ligjor në Shqipëri. Është e vërtetë që partia- shtet dhe sundimtari absolut i vitit 1996, kurrë nuk e pranuan autorësinë e zjarrit dhe të traditës së pështirë të shkatërrimit të mekanizmit dhe të forcës unifikuese e zhvillimore të votës së lirë. Po aq e vërtetë dhe shkatërrimtare është edhe heshtja, propaganda dhe kapardisja idiote e parties- shtet dhe e sundimtarit absolut të Shqipërisë së vitit 2021, që nuk pranon e as nuk don të dëgjojë për asgjë. Për fatin e keq, askush nuk e ka ndërmend të bisedojë, as të pranojë, e as të merret me zgjidhjen politike e ligjore të asaj që është dhunuar, manipuluar e as të asaj që është shkatërruar e humbur. Partia sunduese duket që është më e interesuar për fatin e Sali Berishës së dalë në pension dhe për emrat që mund të bëhën mohues të masakrës zgjedhore dhe baltëhedhës mbi Lulzim Bashën dhe popullin që mbështet PD, të cilën shqiptarët e shohin si forca më antikomuniste dhe më pro-amerikane në Shqipëri.

“Edhe gjatë ditëve 24 dhe 25 Prill 2021, njëlloj sikur në vitin 1996, shikonim në makinat e patrullave të policisë, qëndronte një polic me uniformë, ndërsa në krahun tjetër ndodhej një civil me bark të madh e me një çantë të zezë përpara”

Oshëtimat e masakrës elektorale e bëjnë jetën politike të padurueshme

Faik Konica thoshte: “Koha kur rrojmë është koha e reklamës, dhe nuk duhet të çuditemi kur shohim mediokritetet e vëndit t’onë të hidhen përpara, dhe përpara, dhe përpara, duke mos bërë vënt përveç për shokë në shkallë (të caktuar) mëndore të tyre. Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira… por një bandë maskarenjsh dhe dallaverexhinjsh  kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh”

Populli ynë ka veti shumë të çmuara, ndërsa nuk mund të jem kurrë dakord me kujtesën e shkurtër, e as me grefosjen e gjaknxehtsinë për dhunë, për djegie e shkatërrime. Ai që korruptohet, që vjedh, që dhunon, që mashtron e që kërkon që të qëndrojë në pushtet me patjetër, nuk është politikan, e si i tillë duhet larguar me patjetër e vetëm me mjete demokratike. Forca e mjeteve demokratike është mijëra herë më e madhe se sa forca e akteve të dhunës. Nuk besoj se ka politikanë të ditur apo edhe mediokër në Shqipëri e në botë, që nuk e kupton që ndër të gjitha krimet e kësaj bote, krimi zgjedhor ka pasojat më të rënda. Dhe më e rënda e pasojave të krimit zgjedhor, patjetër që është shkatërrimi i kohezionit social dhe normalitetit të zhvillimit politik të një vendi. Dihet nga të gjithë që oshtimat e masakrës elektorale janë të forta, të vazhdueshme, të paparashikueshme e të papërballueshme për shtetin dhe shoqërinë tonë.

“Oshtimat e masakrës elektorale vijnë si oshëtima shurdhuese të emigrimit pa kthim të specialistëve, të krijuesve, të profesorëve, të intelektualëve dhe të kundërshtarëve të despotizmit, të cilët nuk mund të bëhen kurrë pjesë e korrupsionit”

Ato fillojnë dhe vijnë si oshëtima të prishjes së rendit e të qetësisë me vrasje e vjedhje ditën për diell. Vijnë si kanabizim i frikshëm i maleve e kodrave të Shqipërisë, e për pasojë shkatërrim total të punësimit dhe të bujqësisë, blegtorisë e turizmit. Vijnë si valë emigracioni dekurajues të rinisë dhe të familjeve të reja të cilat e shohin të pamundur jetën dhe rritjen e fëmijëve në një vend me pasiguri, me korrupsion dhe me kriminalitet të egër e të kudo ndodhur. Vijnë si oshëtima shurdhuese të emigrimit pa kthim të specialistëve, të krijuesve, të profesorëve, të intelektualëve dhe të kundërshtarëve të despotizmit, të cilët duket që janë të lodhur e që nuk mund të bëhen kurrë pjesë e korrupsionit dhe masakrës ndaj imazhit, historisë, financave dhe pasurive të vendit e popullit të tyre. Nga kjo pikëpamje, unë lus Zotin që të mos vdesë kurrë kujtesa dhe analiza për krismat dhe oshëtimat që burojnë nga dhunimi dhe deformimi i votës së lirë. Dihet që vetëm përmes  varfërisë dhe injorancës ekstreme, mund të arrihet mashtrimi dhe sundimi i përkohshëm i një populli që nuk harron, por kupton dhe reagon me shumë vonesë. Është koha që partitë dhe sundimtarët  absolutë të çdo ngjyre, të kuptojnë sa më parë përmasat dhe pasojat reale të varfërisë dhe të injorancës që kanë shkaktuar, mbi të gjitha duhet të kuptojnë e të reagojnë pa vonuar  ndaj krimeve zgjedhore. Besoj aq shumë në zgjuarsinë e shqiptarëve, besoj më shumë se në grykësinë dhe në frikën e abuzuesve dhe sundimtarëve që mendojnë se janë të pagabueshëm, të përjetshëm e të pazëvendësueshëm.