Prof. Dr. Kristaq Kume
Nderi i Kombit
Në Kosovë rezultati politik i zgjedhjeve parlamentare del vetëm pas rreth 2-3 orëve pas mbylljes së procesit të votimit. Kjo diferencë në bazën e saj ka vendimin e marrë nga klasa politike në Kosovë, të fiksuar në Kodin zgjedhor.

Këtë vit në Kosovë dhe në Shqipëri zhvillohen zgjedhje parlamentare. Në Kosovë zgjedhjet u zhvilluan me 9 shkurt. Në Shqipëri, Presidenti i Republikës ka vendosur që zgjedhjet të zhvillohen më 11 Maj 2025. Në të dy vendet zgjedhjet parlamentare zhvillohen në përputhje me kërkesat e sistemit proporcional, me një zonë zgjedhore në Kosovë dhe me 12 zona zgjedhore në Shqipëri. Në Kosovë votohet me listë 100 përqind të hapur të kandidatëve. Zgjedhësi në Kosovë, krahas votimit për subjektin politik, ka të drejtë të votojë, me votë parapëlqyese, për një deri në dhjetë kandidatët e listës shumëemërore të subjektit përkatës. Ndarja e mandateve midis kandidatëve bëhet vetëm pas rirenditjes së tyre në bazë të numrit të votave parapëlqyese që fitojnë. Në Shqipëri, lista e kandidatëve është e hapur për vetëm 2/3 të saj. Zgjedhësi mund të votojë vetëm për një kandidat. Subjekti zgjedhor paraqet në KQZ një listë me numër kandidatësh sa 1/3 e numrit të përgjithshëm të mandateve që i takojnë zonës zgjedhore përkatëse. Kjo është listë e mbyllur. Mandatet që fiton subjekti zgjedhor shpërndahen tek kandidatët e kësaj liste, duke filluar nga kandidati i renditur i pari. Nëse subjekti ka fituar më shumë mandate se sa është numri i kandidatëve në listën e mbyllur, mandatet e mbetura shpërndahen tek kandidatët e listës së hapur pasi ata rirenditen në bazë të votave parapëlqyese që fitojnë. Si shihet, megjithatë, në Kosovë dhe në Shqipëri sistemi zgjedhor është proporcional, por zbatimi i tij dallon në mënyrë të ndjeshme. Në veçanti, bie në sy ndryshimi i rëndësishëm në mundësitë që i jepet zgjedhësit që, me votën parapëlqyese, të bëhet edhe ai pjesë e vendimit për kandidatët e listës që marrin mandatin e përfaqësimit në parlament. Ky dallim, në mënyrën e zbatimit të sistemit zgjedhor, është një nga argumentat e rëndësishëm në mbështetje të pohimit për ekzistencën e dallimeve të rëndësishme në sjelljen e klasës politike në Shqipëri dhe në Kosovë. Ndërkohë, vetëm nëpërmjet një analize jo shumë të komplikuar krahasuese të kuadrit legjislativ zgjedhor në Shqipëri dhe Kosovë, mund të identifikohen pa vështirësi dallime, të cilat mund të përdoren si argumenta për ndryshimet e dallueshme në sjelljen e partive politike në Shqipëri dhe Kosovë ndaj proceseve zgjedhore. Përveç sa më sipër, ndër to mund të renditen:
E drejta për të votuar nga jashtë territorit të vendit. Legjislacioni në Kosovë ju jep të drejtën zgjedhësve të votojnë nga jashtë territorit të vendit nëse dëshirojnë. Për këtë, ata duhet të paraqesin në KQZ kërkesën për votim nga jashtë vendit të shoqëruar me një prej tre dokumenteve – Kartën e identitetit, Pasaporten ose Lejen e drejtimit të automjetit (patentën), të lëshuar nga Republika e Kosovës. Nëse asnjë prej këtyre tre dokumenteve nuk është i vlefshëm, për të pranuar kërkesën për votim nga jashtë vendit, zgjedhësi duhet të paraqesë edhe një dokument identifikimi të lëshuar nga vendi në të cilin ai banon. Votimi mund të bëhet në zyrat e përfaqësive diplomatike të Kosovës, me postë në kutinë postale në vendin ku banon zgjedhësi ose me postë në kutinë postale të KQZ, në Prishtinë. Në Shqipëri, zgjedhësit që dëshirojnë të votojnë nga jashtë vendit u kërkohet që, krahas adresës ku kërkojnë t’iu dërgohet fleta e votimit, të paraqesin edhe një dokument të lëshuar nga vendi ku banon, si provë shkresore për adresën që kanë deklaruar. Zgjedhësi shqiptar mund të votojë nga jashtë vendit vetëm nëpërmjet postës. Zgjedhësi nga Kosova, në rast të mospranimit të kërkesës për të votuar nga jashtë, mund të bëjë ankim në KQZ, ku, me vendim të KQZ, ngrihet dhe funksionon një komision, që shqyrton ankesat e tilla dhe ku, si instancë fundore për shqyrtimin e këtyre ankesave, është Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Për të njëjtën kërkesë, zgjedhësi shqiptar duhet t’i drejtohet Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë. Si shihet, kërkesat dhe mundësitë për të votuar nga jashtë territorit të vendit janë më të favorshme për zgjedhësit nga Kosova se sa për ata nga Shqipëria. Dallime të tilla, si rregull, janë rrjedhojë e qasjes së partive politike ndaj kësaj mënyre të votimit, qasje e cila është dukshëm më pak e ndikuar nga mosbesimi dhe dëshira e shtuar për ta pasur sa më shumë nën kontroll këtë procedurë në Kosovë se sa në Shqipëri.

Mundësi për të votuar pa qenë e detyrueshme që zgjedhësi me aftësi të kufizuara, i moshuar me vështirësi lëvizjeje, i sëmurë, tetraplegjik ose paraplegjik të paraqitet fizikisht në qendrën e votimit. Në Kosovë kjo është e mundur. Në Shqipëri zgjedhësi mund të votojë vetëm nëse paraqitet fizikisht në qendrën e votimit. Procedura e votimit me kuti të lëvizshme konsiderohet dhe përdoret pa asnjë paragjykim në Kosovë, ndërkohë në Shqipëri mund ta shtrosh për diskutim këtë çështje.
Në Kosovë rezultati politik i zgjedhjeve parlamentare del vetëm pas rreth 2-3 orëve pas mbylljes së procesit të votimit. Kjo diferencë në bazën e saj ka vendimin e marrë nga klasa politike në Kosovë, të fiksuar në Kodin zgjedhor. Në Kosovë rezultatin politik, votat e fituara nga subjektet zgjedhore i nxjerrin komisionet në qendrat e votimit. Në qendrat e numërimit bëhet vetëm ndarja e mandateve midis kandidatëve të subjekteve zgjedhore sipas numrit të mandateve që çdo subjekt fiton dhe numrit të votave parapëlqyese, që fiton secili nga kandidatët e listës shumëemërore të subjektit përkatës. Në Shqipëri duhen ditë që të dalë ky rezultat. Votat vlerësohen dhe numërohen në mënyrë të përqendruar. Vetëm para zgjedhjeve, që janë zhvilluar në vitin 2003 komisionet e qendrave të votimit numëronin votat dhe nxirrnin rezultate. Megjithëse situatat aktuale të krahasuara me ato të kohës kur u mor vendimi për numërim të përqendruar kanë ndryshuar dukshëm, në sensin pozitiv, partitë politike në Shqipëri janë shumë larg diskutimit për të rikthyer këtë mënyrë të nxjerrjes së rezultatit. Ndërkohë, zgjedhësit që i shërben nxjerrjes së shpejtë të rezultatit e kërkojnë tek përdorimi i teknologjisë së informacionit, megjithëse kostoja e këtij përdorimi mund t’i rritë në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për zgjedhje.
Në Kosovë subjekt zgjedhor mund të jetë edhe një grup qytetarësh të paorganizuar në parti politike që në Kodin zgjedhor të Kosovës emërtohet “Nismë qytetare”. Nisma ka të drejtë të garojë me një listë me kandidatë. Në Shqipëri qytetarët të paorganizuar në parti politike mund të hyjnë në garën zgjedhore vetëm me një kandidat të pavarur. Efektet e këtyre dy zgjidhjeve të ndryshme janë të dukshme. Në Kuvendin e Kosovës ka të zgjedhur nga lista e Nismës qytetare. Në Kuvendin e Shqipërisë nuk ka pasur asnjëherë të zgjedhur nga kandidatët e pavarur të propozuar nga qytetarët.
Në Shqipëri mungon, thuajse plotësisht, ndjenja e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve, ndërkohë që në Kosovë edhe në këto zgjedhje, që janë në përfundim, drejtues të partive politike janë deklaruar se do ta pranojnë rezultatin.
Detyra për të monitoruar, vlerësuar dhe kontrolluar financimin e partive politike për fushatën zgjedhore, legjislacioni në të dy vendet ngarkon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Por ndërsa në Shqipëri, Kodi zgjedhor parashikon që këtë detyrë KQZ ta realizojë nëpërmjet aktivizimit të monitoruesve që i kontrakton, me kohë të pjesshme, midis specialistëve të certifikuar dhe auditeve financiare, në Kosovë Kodi zgjedhor parashikon ngritjen e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, si zyrë që është pjesë e strukturës organizative të KQZ, por që vepron në mënyrë të pavarur. Kjo zyrë ka buxhetin e saj dhe zbaton procedura të veçanta për rekrutimin e nënpunësve.
Dallime të rëndësishme në proceset zgjedhore që zhvillohen në Shqipëri dhe Kosovë mund të identifikohen edhe nëse i referohemi sjelljes së subjekteve zgjedhore, administratës zgjedhore, institucioneve ligjzbatuese dhe qytetarëve ndaj detyrave, detyrimeve dhe të drejtave që kanë në kuadër të një procesi zgjedhor. Ndër to, p.sh. dallim ka sjellja e subjekteve zgjedhore, partive politike, që garojnë në zgjedhje, ndaj procesit dhe rezultatit të tij. Në Shqipëri mungon, thuajse plotësisht, ndjenja e pranimit të rezultatit të zgjedhjeve, ndërkohë që në Kosovë edhe në këto zgjedhje, që janë në përfundim, drejtues të partive politike janë deklaruar se do ta pranojnë rezultatin. Zgjedhjet në Kosovë, si rregull, zhvillohen si procese që nuk shoqërohen me shkelje domethënëse të ligjit, të kërkesave dhe procedurave të parashikuara, ndërkohë që, në Shqipëri, deklarimet për sjelljen jo në përputhje me ligjin, të institucioneve, garueseve, institucioneve që ligji i ngarkon me detyra në kuadër të një procesi zgjedhor dhe zgjedhësve janë të shpeshta.
Shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë, megjithëse jemi një popull, kemi dallime dhe sjellje të ndryshme në proceset zgjedhore. Ndryshojmë në mënyrën se si i kemi ndërtuar rregullat për të ushtruar të drejtën e votës dhe se si i zbatojmë ato. Arsyet pse është kështu kërkojnë shumë për t’u trajtuar, identifikuar dhe shpjeguar. Por, më me rëndësi se sa kjo, vlerësoj se është analiza e këtyre ndryshimeve dhe evidentimi i diferencave, me synim përdorimin e tyre për ndërtimin e rrugëve, gjetjen e mundësive dhe instrumenteve me të cilat do të bëjmë të mundur që të marrim më të mirën e realizuar nga ne shqiptarët për ta zbatuar, sipas rastit, në Shqipëri ose në Kosovë.






















