Foto ekskluzive për Telegraf.al
Aty para fillimit të viteve ‘2000, për shkaqe të ndryshme, bashkë me Skënderin, kishim ardhur nga Vlora për të banuar me familjet tona në Tiranë, ai në kryeqytet, unë në vendlindje. Skënder Kamberi ishte piktor shumë i njohur në vend edhe jashtë tij, ku kishte hapur disa ekspozita vetjake, dhe për kontribut të vyer ishte nderuar me titullin e lartë “Piktor i Popullit”. Po ashtu, disa vepra të tij ishin futur në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, e mjaft të tjera edhe blerë nga koleksionistë pasionantë të penelit. Unë kisha më pak se dhjetë vjet që fotografoja peizazhe në bregdetin e Vlorës me një aparat amatorësh, megjithatë, disa shkrepje fotografike panoramike më ishin botuar në gazetën javore kulturore “Drita”. Kështu shpesh e shihja me vëmendje Skënderin kur pikturonte peizazhe, për të mësuar diçka nga mënyra se si i zgjidhte pamjet që do të hidhte në telajo, ose letër, çka mendoj se ndikoi edhe tek unë në fotografimin e peizazheve.
Takimet me Skënderin për kafe ishin të shpeshta, ndërsa në disa të diela dilnim edhe në rrethinat e Tiranës, që ofrojnë mjaft pamje tërheqëse natyrore, të dy për të përngrirë bukuritë e pamjeve, ai në kanavacë dhe unë në film celuloidi. Të mos harrojmë se ne vinim nga Vlora, bregdeti i të cilës mbetet burim i pashtershëm peizazhesh të pafundme dhe të mahnitëshme në çdo ditë të vitit dhe në çfardollojë moti. Sidoqoftë edhe pamjet natyrore të kodrave të buta rreth qytetit të Tiranës, siç u cek mësipër, kishin bukurinë e tyre të veçantë, çka të dyve nisi të na pëlqente.
Kështu, ndodhi edhe atë të diel tetori të vitit 2000, kur u nisëm me makinë në drejtim të Elbasanit. Diku, para se të ngjiteshim në Ibë, ndaluam dhe shkuam në krahun e majtë të rrugës, Skënderi me kutinë e ngjyrave, trekëmbëshin dhe telajon, ndërsa unë me aparatin me film “Minolta” në krah. Shpejt u ndamë në drejtime të ndryshme e, unë pa e zgjatur bëra disa shkrepje, mandej u ktheva nga kishte shkuar Skënderi, që kishte filluar të pikturonte. Pamja e tij duke pikturuar m’u duk tërheqëse, dhe, pa iu afruar vendosa ta fotografojë, madje edhe pa e lajmëruar. Prita pak të ndërpriste lëvizjet e tij karakteristike gjatë punës që ta fotografoja në prehje.
Pasi e “futa” në objektiv, duke përfshirë edhe pak Malin e Dajtit, e shkrepa disa herë aparatin. Iu afrova Skënderit dhe pasi i hodha një sy pamjes së natyrës që kishte “shtrirë” në telajo, ai më pyeti nëse e kisha shkrepur aparatin, iu përgjigja se kisha kapur dy-tri peizazhe fotografike, por të kam fotografuar edhe ty duke pikturuar. Qeshi dhe më tha: pse nuk më the gjë, por më ke fotografuar fshehurazi, nuk di si më ke “kapur”? Atë do ta shohim kur të lahet filmi dhe stampohen fotot-iu përgjigja. Vazhdova t’i thosha se këto lloj fotosh, pra në padijeni të subjektit, janë më të natyrshme e të vërteta, dhe në përgjithësi edhe më të pëlqyeshme nga njohësitë e fotografisë dhe njëkohësisht më jetëgjata.
Pas ndonjë jave fotot ishin gati në letër e, kur ia tregova Skënderit, i pëlqeu të gjitha. Mua më “ngjit” më shumë kjo ku ai është në këmbë duke shikuar dhe pëthithur me sy pamjen, për ta përpunuar e gati për ta hedhur në telajo në krahasim me të tjerat ku paraqitet duke punuar mbi telajo. Nën atë shikim të vëmendshëm të tij, mund të imagjinohet se shpirti i artistit punonte me përqëndrim të plotë në ato çaste.
Para disa ditësh (2 shkurt 2025) Skënder Kamberi festoi 86 vjetorin e lindjes së tij. Me këtë rast, i uroj për së largu nga zemra: Shëndet dhe shumë mbarësi mikut tim, Skënder Kamberi, piktorit të shquar vlonjat!