Prof.Dr. Kristaq Kume
Nderi i Kombit
Rasti i Hungarise tregoi se edhe në sisteme të forta dhe të konsoliduara politikisht, ndryshimi është i mundur kur krijohet një kombinim i tre faktorëve: pakënaqësi e akumuluar, një figurë që arrin ta artikulojë atë dhe, mbi të gjitha, një mobilizim i gjerë qytetar.
Zgjedhjet e fundit në Hungari, që sollën në pushtet Péter Magyar dhe mbyllën një cikël të gjatë qeverisjeje të Viktor Orbán, ofrojnë disa mësime të rëndësishme për çdo shoqëri që kërkon ndryshim në vetqeverisjen e saj dhe jo rotacion të aktoreve politik .
Rasti i Hungarise tregoi se edhe në sisteme të forta dhe të konsoliduara politikisht, ndryshimi është i mundur kur krijohet një kombinim i tre faktorëve: pakënaqësi e akumuluar, një figurë që arrin ta artikulojë atë dhe, mbi të gjitha, një mobilizim i gjerë qytetar. Pjesëmarrja në votime ne Hungari arriti nivele rekord, mbi 77%, duke reflektuar, në këtë mënyrë, një angazhim të jashtëzakonshëm publik për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve. Po ashtu, faktorë si korrupsioni, frenimi në zhvillimin ekonomik, problemet në shërbimet publike etj.. luajtën rol vendimtar në orientimin e votës. Megjithë këtë është e rëndësishme të theksohet se rasti hungarez nuk duhet të shikohet si një model që mund të kopjohet mekanikisht dhe të ketë rezultate si ato që u arritën në Hungari.
Një analizë jo domosdoshmërisht e thelluar e zgjedhjeve të fundit në Hungari tregon se ndryshimi i arritur është pasojë e veprimit dhe bashkëveprimit të tre faktorëve: (i) ekzistenca e një figure që vinte nga brenda sistemit dhe kishte kredibilitet si “insider”, (ii) një opozitë që arriti të konsolidohet rreth një alternative të vetme dhe (iii) një nivel shumë i lartë mobilizimi elektoral, që e ktheu zgjedhjen në moment vendimtar për shumicën e qytetarëve. Ky kombinim faktorësh arriti të krijonte “momentin kritik demokratik”, pasojë e të cilit ishte fitorja e zgjedhjeve nga opozita megjithëse mazhoranca kishte ndërtuar dhe konsoliduar një sistem shumë të fortë qeverisësh në favor të interesit të saj.
Nisur nga fakti se si në Hungari edhe në Shqipëri, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të vendosin përballë opozitës, një maxhorancë që do të kërkojë mandatit të pestë radhasi për të qeverisur vendin, nuk janë të paktë zërat qerrjeshtojnë një varg arsyesh, në bazë e të cilave synojnë të arrijnë në përfundimin se ngjarja e ardhëshme zgjedhore në Shqipëri do të jetë si ajo e pak ditëve me parë në Hungari. Mendoj se kjo formulë ose “modeli hungarez” nuk ka gjasa që të transferohet dhe të funksionojë me sukses edhe në Shqipëri. Në Shqipëri, disa nga këto kushtet që u renditen më sipër si faktorë, që ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve në Hungari, mungojnë ose funksionojnë ndryshe.
Mendoj se kjo formulë ose “modeli hungarez” nuk ka gjasa që të transferohet dhe të funksionojë me sukses edhe në Shqipëri. Së pari, figura shqiptare e “insider-it që rebelohet” ka shumë më pak besueshmëri publike. Së dyti, polarizimi politik i gjatë dhe i ngurtësuar rreth figurave qendrore politike e bën shumë më të vështirë krijimin e një alternative të re që të perceptohet si reale dhe e pavarur.Së treti, dhe më e rëndësishmja, pjesëmarrja qytetare në Shqipëri nuk ka arritur ende atë nivel mobilizimi që e kthen zgjedhjen nëpërmjet votës në një akt kolektiv ndryshimi.

Së pari, figura shqiptare e “insider-it që rebelohet” ka shumë më pak besueshmëri publike. Në një kontekst ku mosbesimi ndaj elitave politike aktuale është i lartë dhe i përhapur, çdo figurë që vjen nga sistemi shpesh perceptohet si pjesë e problemit, jo si zgjidhje.
Së dyti, polarizimi politik i gjatë dhe i ngurtësuar rreth figurave qendrore politike e bën shumë më të vështirë krijimin e një alternative të re që të perceptohet si reale dhe e pavarur.
Së treti, dhe më e rëndësishmja, pjesëmarrja qytetare në Shqipëri nuk ka arritur ende atë nivel mobilizimi që e kthen zgjedhjen nëpërmjet votës në një akt kolektiv ndryshimi. Ndryshe nga Hungaria, ku vota u pa si instrument real për të ndikuar sistemin, në Shqipëri ajo shpesh perceptohet si një proces pa ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme.
Natyrisht, duhet të theksohet se, këto dallime nuk e bëjnë ndryshimin në Shqipëri të pamundur , por e bëjnë të qartë se për ta arritur këtë ndryshim duhet të ndiqet rrugë tjetër.
Në Shqipëri është bërë pothuajse si një aksiomë e pashkruar qasja sipas të cilës, ndryshimi politik nis si angazhim dhe veprim i partive. Ndryshimi artikulohet, organizohet dhe drejtohet nga partitë për t`u arritur dhe, më pas, u kërkohet qytetarëve ta mbështesin. Për vite me radhë, kjo qasje ka prodhuar një cikël të mbyllur mosbesimi dhe rritjen përherë e me shumë të mosvlerësimit të fuqisë së votës, rritje tek qytetarët e ndijesisë e të qenit me shumë spektator se sa aktor kryesor në një proces zgjedhor. Rezultati është i dukshëm, pjesëmarrje në zgjedhje është zvogëluar, apatia politike dhe një ndjenjë e përhapur se vota nuk ndryshon asgjë thelbësore ka fituar përherë e me shumë terren.
Është koha për një kthesë konceptuale dhe praktike. Qasja tradicionale “partitë prodhojnë ofertën, qytetarët zgjedhin oferten” e ka konsumuar gati deri në atrofizim besimin publik. Kur alternativa perceptohet si rotacion i të njëjtëve aktorë, pjesëmarrja në zgjedhje nuk shihet më si mjet ndryshimi, por si formalitet. Kjo është arsyeja kryesore pse çdo thirrje për pjesëmarrje më të madhe në zgjedhje ka mbetur shpesh në nivelin e një retorikë, pa efekt real. Ndërkohë duhet të theksohet se problemi nuk është vetëm te partitë, tek sjellja e tyre me njera tjetren. Me shumë problematike dhe me efekte negative jane mënyrat se si partitë politike ndërtojnë marrëdhënia midis tyre dhe qytetarëve. Një proces që nis nga lart-poshtë, nga partitë tek qytetari, po tregon gjithnje e më shumë se nuk arrin të prodhojë angazhim të qëndrueshëm, nuk realizon bashkveprimin efektiv nga poshtë-lart, që është kusht i domosdoshëm për të bërë të mundur ndryshimin.
Në vend të modelit klasik, ku partitë politike kërkojnë mbështetjen e qytetarëve për ndryshim, Shqipëria ka nevojë për një përmbysje të këtij raporti. Eshtë koha që ndryshimi të kërkohet nga qytetarët, qytetarët duhet të artikullohen dhe të vete angazhohen për formimin dhe rritjen e vazhdueshme të frymës që mbështet nevojën për ndryshim. Eshtë koha kur nevoja për të ndërtuar dhe zbatuar një model të ri veprimi dhe qasjeje ndaj votës dhe zgjedhjeve duhet të konsiderohet shumë e rëndësishme nga shoqëria e jonë. Koha kerkon nxitjen dhe zhvillimin e një lëvizjeje që lind nga qytetarët, një lëvizje që artikulon kërkesa të qarta dhe krijon presion të vazhdueshëm mbi klasën politike. Kjo nuk është thjesht një ide teorike, por një domosdoshmëri praktike në kushtet aktuale të besimit të ulët publik. Në këtë model, qytetarët nuk janë thjeshtë votues që reagojnë ndaj ofertës politike, por aktorë që e krijojnë atë përmes kërkesave të tyre. Per ndërtimin dhe implementimin me sukses të një modeli të tillë duhet që puna të mbështetet në disa parime themelore:
Së pari, të artikulohen kërkesave të thjeshta dhe konkrete. Jo programe të gjata e teknike, por disa prioritete të qarta që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme: transparenca e parave publike, barazia para ligjit, meritokracia në administratë, dhe zgjedhje reale e të ndershme.
Së dyti, të kryhet komunikim i drejtpërdrejtë me qytetarët. Në një realitet ku mediat shpesh perceptohen si të politizuara, komunikimi me qytetarët nëpërmjet lidhjeve direkte përmes platformave sociale dhe takimeve publike, krijon besim dhe ndjenjën e përfshirjese tek ta.
Së treti, të ndërtohet, në mënyrë graduale, një komuniteti me qytetarë aktiv. Lëvizja nuk duhet të nisë si strukturë e madhe, por si rrjet njerëzish që ndajnë të njëjtat shqetësime dhe janë të gatshëm të angazhohen, fillimisht në nivel lokal.
Aksioni fundor i veprimit qytetar eshte pjesmarrja në zgjedhje, si kusht kryesor për arritjen e çdo ndryshim të qëndrueshëm. Nderkohë duhet të mbahet përherë parasysh se, zgjedhjet nuk janë thjeshtë një ditë votimi. Ato janë një proces që kërkon besim, transparencë dhe pjesëmarrje të gjerë.
Një lëvizje qytetare e ndërtuar sipas modelit të treguar me siper mund të ndikojë drejtpërdrejt në procesin zgjedhor në dy mënyra:
Së pari, duke rritur ndërgjegjsimin dhe motivimin për të votuar. Kur qytetari ndjen se është pjesë e një kauze më të madhe, pjesëmarrja bëhet akt i vetëdijshëm, jo detyrim formal.
Së dyti, duke ushtruar presion për standarde më të larta zgjedhore. Kërkesa për transparencë dhe rregulla të drejta nuk mjafton të artikulohet dhe të kërkohet vetëm nga aktorët politikë, por shumë e rëndësishëm që një të artikulohet edhe nga vetë shoqëria.
Në modelin që propozohet, në bazën e të cilit qëndron parimi – Nga presioni qytetar tek reflektimi politik, partitë nuk përjashtohen, Ato detyrohen të përshtaten. Një lëvizje e fortë qytetare krijon një realitet të ri politik, ku partitë duhet të reflektojnë kërkesat e kësaj lëvizje saj nëse duan të mbeten relevante.
Ky është ndryshimi thelbësor: politika nuk udhëheq më qytetarët, por i ndjek ata.
Sigurisht, kjo qasje nuk është e lehtë. Rreziku i fragmentimit, mungesa e besimit fillestar dhe përpjekjet për ta kapur ose diskredituar lëvizjen qytetare, janë reale. Por alternativa aktuale, vazhdimi i veprimit dhe qasjes ndaj mundësive që ofrojnë zgjedhjet për qeverisje demokratike dhe efektive sipas modelit aktual, tashme i ka treguar kufizimet e mëdha të saj , efekti i të cilëve ndihet jo pak në cilësinë e jetës së qytetarëve. Eshtë koha të pranohet se ndryshimi nuk fillon me një lider apo një parti të re. Fillon me një ide të thjeshtë: qytetari nuk është spektator ai duhet te jetë aktor dhe të përkthehet në veprim, atëherë edhe zgjedhjet, si momenti kulmor i demokracisë, mund të rifitojnë kuptimin e tyre të vërtetë.Dhe ndoshta, për herë të parë pas shumë kohësh, pjesëmarrja nuk do të jetë thjeshtë statistikë, por shprehje reale e vullnetit qytetar.




















