Prof. Dr. Kristaq Kume: Lista me kandidatë të pavarur, kërkesë dhe mundësi për funksionim efektiv të demokracisë përfaqësuese

Prof. Dr. Kristaq Kume

 

Për të bërë të mundur ndryshimet e kërkuara në Kodin zgjedhor janë të hapura dy mundësi:  paraqitja e projekt-ligjit në Kuvend për t`u mbështetur nga deputet ose grupdeputetësh për t`u përfshirë në problematikën që do të trajtohet si pjesë e Reformës zgjedhore dheparaqitja e projekt ligjit  si nismë ligjvënëse, që duhet të mbështetet nga jo më pak se 20000 zgjedhës.

Sigal

Në fillim të viteve `90 shqiptarët u angazhuan në një proces të thellë politik, ekonomik e social, kryefjalë e të cilit ishte ndryshimi i sistemit të qeverisjes të vendit. Në aspektin politik baza mbi të cilën do të realizohej ky proces ishte ndërtimi i sistemit pluralist shumëpartiak, institucionalizimi i votës së lirë dhe zhvillimi i zgjedhjeve demokratike. Parimet në baze e të cilëve kërkohej të veprojë dhe të zhvillohet ky sistem janë parimet sipas të cilave funksionon demokracia përfaqësuese dhe demokracia e drejpërdrejtë. Ndërkohë, për funksionimin e sistemit shoqëria duhet të angazhohej për ndërtimin e sistemit partiak.

Partitë politike në një shoqëri që funksionon sipas parimeve të demokracisë përfaqësuese janë institucionet kryesore, që bëjnë të mundur funksionimin e sistemit demokratik. Duke qenë grupime vullnetare të qytetarëve, që i bashkojnë idetë dhe objektivat e njëjta për zhvillimin ekonomik, politik e social të vendit, partitë politike janë subjekte elektorale, që kërkojnë dhe marrin përsipër qeverisjen e vendit në nivelin qëndror e lokal. Këtë partitë politike e kryejnë si një e drejtë dhe detyrë që ju delegohet nga qytetarët nëpërmjet proceseve zgjedhore periodike. Ky mekanizëm tregon qartë rëndësinë, vlerën e madhe dhe thelbësore që ka funksionimi i partive politike si institucione demokratike në zhvillimin e demokracia përfaqësuese. Çdo shmangie nga parimet demokratike të funksionimit në partitë politike ka pasoja të mëdha në vetë funksionimin normal dhe efektiv të demokracisë.

Sistemi partiak në Shqipëri ka si karakteristikë dallues të tij numrin e madh të partive politike. Ndërkohë duke ju referuar pjesëmarrjes së tyre në proceset zgjedhore dhe rezultateve të arritura, duhet të thuhet se numri efektiv i partive politike është shumë më i vogël se sa janë të rregjistruara në Rregjistrin e partive politike. Megjithë këtë, ky fakt nuk ka pse të përdoret si argument për cilësinë e sistemit partiak në vendin tonë. Tregues të tjerë, shumë më të rëndësishëm e domethënës duhet të merren në konsideratë.

Analiza e mënyrës se si funksionon sistemi partiak dhe partitë politike në Shqipëri, vlerësimet për rolin dhe efektet e tyre në zhvillimin e sistemit demokratik, ekonomisë dhe shoqërisë në përgjithësi, pa vështirësi të shpien në përfundimin se partitë politike, në veçanti partitë kryesore, gjatë periudhës së trazicionit, në jo pak raste dhe për jo pak çështje dhe probleme me të cilat është përballuar shoqëria dhe vendi i ynë, më shumë se sa si institucione që i kanë shërbyer zgjedhjes, kanë qenë faktor nxitës për shfaqjen e tyre. Në veçanti një dukuri e tillë është ndeshur më shpesh pas ndryshimeve të bëra në Kushtetutën e Republikës, në vitin 2008.

 Çdo shmangie nga parimet demokratike të funksionimit në partitë politike ka pasoja të mëdha në vetë funksionimin normal dhe efektiv të demokracisë.Sistemi partiak në Shqipëri ka si karakteristikë dallues të tij numrin e madh të partive politike. Ndërkohë duke ju referuar pjesëmarrjes së tyre në proceset zgjedhore dhe rezultateve të arritura, duhet të thuhet se numri efektiv i partive politike është shumë më i vogël se sa janë të rregjistruara në Rregjistrin e partive politike

Shmangia nga parimet që rregullojnë fuksionimin demokratik të partive politike, shprehje e qartë e të cilës është forcimi i sjelljes autokratike të lidershipit të tyre është një ndër indikatorët që tregon se tek partitë politike, në veçanti tek partitë që qytetarët ju delegojnë të drejtën për vendimmarrje dhe qeverisje, ushtrimi jo efektiv i demokracisë është me pasoja për gjithë vendin e shoqërinë. Kjo e bën të domosdoshme nevojën për ndërhyrje, për të ndërtuar mekanizma dhe rrugë, të cilat do të zvogëlojnë sa më shumë të jetë e mundur efektin negativ të mungesave në funksionimin e demokracisë brenda partive politike.  Për të trajtuar dhe gjetur zgjedhje për këtë problem, me të cilin aktualisht është përballuar vendi dhe shoqëria e jonë, sistemi i ynë demokratik qeverisës nuk ofron zgjidhje të shumta. Ndërkohë është e rëndësishme të theksohet se zgjidhja gjendet brenda vetë sistemit. Zgjidhja duhet të kërkohet tek mekanizmat dhe rrugët që sistemi i ynë qeverisës ka të përcaktuar. Ky është një sistem në themel të të cilit qendron institucioni i votës dhe si gjenerues dhe rregullues kryesor të tij ka proceset zgjedhore demokratike. Ndaj dhe zgjidhja duhet kërkuar tek vota dhe tek zgjedhjet.

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Neni 68, pika 1, përcaktohet se “Kandidatët  për  deputetë  paraqiten  në  nivel  zone  zgjedhore  nga  partitë  politike  ose  nga  zgjedhësit”. Si shihet, Kushtetuta e jonë njeh vetëm dy subjekte, partitë politike dhe qytetarët, si subjekte që kanë të drejtën për të propozuar kandidatë për deputet, për kryetar të bashkive dhe kandidatë për antarë në këshillat bashkiak. Në Kushtetutë nuk ka asnjë diferencë ose dallim në këtë të drejtë që ajo ju njeh të dy këtyre subjekteve.

Kandidatet e partive politike që përfitojnë, mandatet e partive të vogla, shoqatave  dhe  kandidatëve të  pavarur.

Në Kodin zgjedhor janë përcaktuar rregullat dhe procedurat, që duhet të zbatohen prej partive politike dhe qytetarëve, për të ushtruar të drejtën kushtetuese për propozimin e kanditatëve. Në përputhje me kërkesat e sistemit zgjedhor propocional rajonal, që parashikohet në Kushtetutë për zgjedhjet për Kuvendin, partitë politike kanë të drejtën të propozojnë dhe të garojnë në zgjedhje, me listë shumemërore kandidatësh, në çdo zonë zgjedhore, që në Kodin aktual janë 12 gjithsejt. Qytetarët kanë të drejtë të propozojnë në çdo zonë zgjedhore vetëm një kandidat të pavaruar. Natyrisht që grupe të ndryshme qytetarësh, në të njëjtën zonë zgjedhore mund të propozojnë secili prej tyre një kandidatë të pavaruar dhe, praktikisht në një zonë zgjedhore mund të jenë në garë më shumë se sa një kandidat i pavarur. Por, ky përcaktim ligjor nuk ju ofron kushte të barabarta gare kandidatëve që propozojnë partitë politike dhe kandidatëve të pavarur. Mandatet që fitojnë kandidatët e partive politike janë rezultat i shumimit të votave që marrin të gjithë kandidatët e listës së partisë parkatëse. Ndërkohë, kandidatët e pavarur mund të fitojnë mandat vetëm kur çdo njeri prej tyre, pavarësisht të tjerëve, arrin të fitojë numrin e nevojshëm të votave që duhen për nje mandat në njësinë zgjedhore përkatëse. Kështu mund të ndodh që në njësinë zgjedhore të garojnë p.sh. pesë kandidatë të pavaruar. Secili prej tyre supozojmë se arrin të fitojë 4000 vota, ndërkohë numri i votave që duhet për të fituar një mandat në njësinë zgjedhore përkatëse rezulton të jetë 4500 vota. Në këto kushte asnjë nga kandidatët e pavarur nuk e fiton mandatin e deputetit. Ndërkohë, në rast se edhe kandidatët e pavaruar do të garonin në një listë të përbashkët ata do të fitonin gjithsejt sëbashku 20000 vota. Për rrjedhojë katër prej tyre do të fitonin mandatin e deputetit. Situatë e njëjtë është edhe për garën zgjedhore dhe zgjedhjen e antarëve të këshillave bashkiak. Partitë politike garojnë me listë me kandidatë, qytetarët garojnë vetëm me një kandidat të pavaruar.

Zgjedhja ligjore e përcaktuar në Kodin zgjedhor për mënyrën se si garojnë në zgjedhjet parlamentare ose vendore, partitë politike dhe qytetarët, ka bërë që partitë politike dhe, në mënyrë të veçantë lidershipi i tyre, të jenë përcaktuesit kryesor të kandidatëve për deputet, kryetar bashkie ose antar në këshillin bashkiak dhe, praktikisht të jenë edhe ushtruesit e vetëm të pushteteve, qëndror e lokal. Ndërkohë rezultatet e derisotme të kësaj mënyre të ushtrimit të demokracisë përfaqësuese në vendin tonë tregojnë se shmangiet nga parimet dhe rregullat se si duhet të funksionojë kjo demokraci janë domethënëse. Ndaj është e domosdoshme që të ndërhyhet dhe të gjenden rrugët dhe instrumenta për të ndryshuar këtë situatë.

Duke patur si bazë arsyetimin e mësipër, Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve ka formuluar zgjidhen legjislative ose ndryshimet që duhet të bëhen në Kodin zgjedhor të Republikës për të bërë të mundur zvogëlimin e diferencës egzistuese midis partive politike dhe qytetarëve në ushtrimin e të drejtës së tyre kushtetuese për të propozuar kandidatë për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë dhe për Këshillat bashkiak. Në projekt ligjin e hartuar propozohet që në Kodin zgjedhor të përfshihet koncepti “Lista qytetare”, e cila është përkufizuar si një Listë me një ose më shumë kandidatë për deputet, kandidatë për antarë në këshillin e bashkisë, që nuk mbështeten nga asnjë parti politike dhe që propozohen nga zgjedhësit.

Në projekt-ligj janë trajtuar kërkesat që duhet të plotësohen dhe procedurat që duhet të ndiqen për regjistrimin e “Listës qytetare me kandidatë të pavaruar” që propozohen nga zgjedhësit. Sipas këtyre përcaktimeve, e drejta për të paraqitur Listë qytetare me kandidatë të pavarur mund të ushtrohet nga zgjedhësit, që janë të rregjistruar në njësinë zgjedhore ose bashkinë përkatëse. Ushtrimi i kësaj të drejte është shprehje e vullnetit të zgjedhësve në çdo njësi zgjedhore, ose bashki më vehte dhe nuk ndikohet nga ushtrimi ose jo i kësaj të drejte nga zgjedhës në njësi të tjera zgjedhore, ose bashki të tjera të vendit.

Nëpërmjet ndryshimeve që propozohen në këtë projekt ligj, synohet që:

– të rritet hapsira për ushtrimin e të drejtës kushtetuese të zgjedhësve për të propozuar kandidatë të pavarur për deputet dhe antarë të këshillave bashkiak,

-të forcohet roli dhe vlera e pjesëmarrjes së qytetarëve në formimin e institucioneve përfaqësuese, Kuvendin e Shqipërisë dhe organet e zgjedhura për vetëqeverisjen lokale,

-të ndërtohen raporte më të drejta në praktikën e ushtrimit të të drejtës kushtetuese prej partive politike dhe zgjedhësve, për paraqitjen e kandidatëve,

-të nxitet dhe mbështetet pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje dhe në qeverisjen e vendin, në nivel qëndor e lokal,

-të bëjnë më fuksionale demokracinë përfaqësuese.

Krijimi i hapsirave efektive ligjore për ushtrimin e të drejtës që kanë qytetarët për të propozuar kandidatë të pavarur për deputetë ose për antarë të këshillave bashkiak, nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje me “Listë kandidatësh të pavarur” vlerësohet si një mekanizëm efektiv rregullues edhe i vetë sistemit partiak në vendin tonë. Përfaqësimi i qytetarëve në organet e zgjedhura me kandidatë të tyre të pakushtëzuar nga partitë politike e vlerësojmë si një mundësi reale dhe shumë efektive për mirërregullimin e funksionimit të demokracisë në vendin tonë.

I shoqëruar ky ndryshim ligjor edhe me ndryshimin e propozuar më parë, në të cilin kërkohet që për efekt të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, Republika të ndahet në katër njësi zgjedhore, rajone zgjedhore:

  1. Rajoni verior, 27 deputetë, në të cilin përfshihen qarqet Dibër, Kukës, Shkodër, Pukë.
  2. Rajoni i Tiranës, 34 deputetë, në të cilin përfshihet qarku i Tiranës.
  3. Rajoni qëndror, 39 deputetë, në të cilin përfshihen qarku Durrës, Elbasan, Korçë dhe Berat.
  4. Rajoni jugor, 40 deputetë, në të cilin përfshihen qarket Fier, Vlorë, Gjirokastër.

Mundësitë për të rritur cilësisht nivelin e përfaqësimit të qytetarëve në Kuvendin e Shqipërisë bëhen përherë e më reale.

Për të bërë të mundur ndryshimet e kërkuara në Kodin zgjedhor janë të hapura dy mundësi:

(a) paraqitja e projekt-ligjit në Kuvend për t`u mbështetur nga deputet ose grupdeputetësh për t`u përfshirë në problematikën që do të trajtohet si pjesë e Reformës zgjedhore dhe

(b) paraqitja e projekt ligjit  si nismë ligjvënëse, që duhet të mbështetet nga jo më pak se 20000 zgjedhës.

Jemi të vendosur që të ecim njëkohësisht në të dy këto rrugë. Aktualisht Komisioni Qendor i Zgjedhjeve e ka miratuar kërkesën e bërë nga Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve dhe na ka pajisur me Formularin-tip për grumbullimin e firmave mbështetëse. Thirrja e jonë është për të gjithë qytetarët. Të bëhemi bashkë për të ushtruar fuqi vendimmarrëse sa më të mëdha për të rregulluar sa më mirë dhe sa më shumë jetën tonë të përditshme dhe të ardhmen tonë. Të mos e lëmë gjithçka në dorën e partive politike. Ashtu sikurse Kushtetutat, që kemi miratuar sëbashku me Referendum, na e jep të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje me kandidatët tanë të pavaraur, të bëhemi bashkë pë të marrë pjesë aktive në ndërtimin e institucioneve qëndore e lokale, që na qeverisin.