Prof. Dr. Kastriot Islami: Rama me shumë gjasa është PERVERS NARCIST

613
Sigal

Prof. Dr. Kastriot Islami

Këto ditë që Rama po i kundërvihet  edhe SHBA-së edhe BE-së,  po dëgjoja një psikologe franceze të fliste në “Youtube” për sindromin e perversit narcist. Para disa vitesh në parlament kur mburrej duke thënë se “kam qënë antikomunist para viteve ’90”,  i kam thënë nga foltorja e kuvendit: -“Ti je, dhe ke qenë thjesht një pervers, pinjoll komunist dhe me mendime komuniste të rrezikshme, sepse te jesh pervers, nuk do të thotë aspak se je antikomunist”. Nga sjellja e tij në kuvend, por edhe më parë e më pas, kam krijuar bindjen e thellë se  banori i bunkerit të Surrelit është Pervers Narcist. Nga dëgjimi i psikologes franceze, por edhe nga marrëzitë e këtyre ditëve, kjo bindje m’u përforcua.

Çfarë është perversi narcist

Psikologia franceze në fillim shtron pyetjen: Si mund të dallohet përmes 10 pikave një pervers narcist? Kurse unë duke e dëgjuar këtë psikologe shtroja pyetjen: Sa afër një perversi narcist është Edi Rama?

Pyetja 1 që shtronte psikologia franceze ishte: Çfarë është perversi narcist? Ja dhe përgjigja e saj: Perversi narcist është një person që mendon për veten e tij se është tërësisht pa vlerë, ai e urren veten e tij në ekstrem, sepse i duket vetja krejt e pavlerë, dhe prej këndej i buron nevoja/dëshira,  që t’i japë vlerë vetes duke zhvlerësuar të tjerët, dhe këtë e bën që të tjerët ta duan, ta vlerësojnë, dhe të duket me vlera në sytë e të tjerëve.

Shkaqet përse një individ shndërrohet në pervers narcist

Pyetja  2 që shtrohet: Përse një individ është pervers narcist?  Ka 3 arsye kryesore që një individ rezulton pervers narcist, arsye që vijnë nga fëmijëria, nga edukimi që i kanë dhënë prindërit kur ka qenë fëmijë. Ja 3 shkaqet kryesore:

Shkaku 1: Prindërit kanë qenë neglizhentë me të dhe nuk kanë treguar kujdesin e vëmendjen e duhur ndaj fëmijës së tyre, pra ata nuk kanë dëgjuar as nevojat e tij, as kërkesat e tij, as frikën e tij, pra nuk kanë komunikuar më atë siç duhet, duke i krijuar përshtypjen se ai është pa vlerë.  Më vonë një individ i tillë do të shndërrohej në pervers narcist. Pra, një fëmijë i gjendur në këto rrethana, kur rritet krijon për veten e tij mendimin se është i pavlerë derisa prindët nuk i kanë kushtuar vëmendjen dhe kujdesin e duhur.  Dhe një fëmijë i tillë, sapo bie në kontakt  me shokët e tij, fillon të mendojë sesi të vetëvlerësohet duke zhvlerësuar të tjerët duke i sharë e ofenduar.

Shkaku 2: Prindërit kanë qenë shumë kërkues me fëmijën e tyre, kanë pasur pritshmëri të lartë prej tij, i kanë bërë shumë presion që ai të ishte  perfekt e shembullor, në shkollë, në sport, në  fushën artistike, dhe sa më shumë kalonte koha, atij i krijohej përshtypja se ai nuk ishte në nivelin e duhur, pra në nivelin që prisnin prindërit prej tij;  në këtë rast, me vetëdije apo pa dashje, prindërit e kishin zhvlerësuar fëmijën e tyre, dhe një fëmijë i tillë për t’u ndjerë i vlerësuar, fillon të zhvlerësojë të tjerët, të poshtërojë të tjerët, siç ai vete është ndjerë i poshtëruar nga prindërit e tij.

Shkaku 3: Një fëmijë që ka pasur fatin të ketë një nga prindërit pervers narcist, sepse është e pamundur që fëmija t’i ketë të dy prindërit perversë narcistë, sepse dy perversë narcistë nuk krijojnë dot çift mes tyre, sepse kur njeri është pervers narcist,  bashkëshorti, (bashkëshortja), është me siguri viktimë. Në këtë rast, prindi pervers narcist, nëse ka disa fëmijë, zgjedh atë që është më i ndjeshmi dhe i imponon gjithçka bën vetë, duke e kthyer në një farë mënyrë pa dashje, në “viktimë” të tij. Kjo skemë ndodh vetëm në 30 përqind të rasteve…

10 “cilësitë” e perversit narcist

Ja 10 “cilësi”/pika, që pas një analize të hollë, një individ do të mund të cilësohej  pervers narcist:

Pika e parë që bie në sy nga të gjithë, është se ai është i aftë të të bëjë për vete në takimet e para, pra është atraktiv/tërheqës i madh, sidomos në një çift. Bashkëshortja e tij sapo e njeh i tregon të tjerëve se ai është më i miri që ka njohur në jetën e saj, duke deklaruar se ai është xhentil i madh, është i mrekullueshëm.  Ai i krijon idenë se e dëgjon për gjithçka,  por në të vërtetë nuk e dëgjon fare, ose më saktë, bën sikur e dëgjon duke grumbulluar informacione për t’i përdorur më vonë kundër individit përballë/bashkëshortes.

Pika e dytë, me kalimin e kohës personi i afërt arrin në përfundimin se perversi narcist është person me dy faqe, më konkretisht, ai brenda shtëpisë është grindavec, ofendues, i bezdishshëm, kurse jashtë shtëpisë ai shfaqet simpatik, i këndshëm, tërheqës, veçanërisht me të tjerët.

Pika e tretë, tipike për një pervers narcist, është dhuna, që fillon si verbale, vazhdon psikologjike dhe përfundon deri fizike, pra fillon duke ofenduar, poshtëruar, më tej ushtron dhunë psikologjike, për ta zhvlerësuar  personin përballë, veçanërisht  bashkëshorten,  dhe në fund,  mund të arrijë deri në dhunë fizike.

Pika e katërt, perversi narcist e izolon “viktimën” e tij për ta vënë më mirë nën kontroll, apo më saktë, për të pasur më shumë mundësi për ta zhvlerësuar, këtë gjë ai e arrin duke i këputur të gjithë lidhjet sociale, me prindërit, me shokët, me miqtë, duke ia sharë dhe trajtuar ata si armiqësorë e të padëshirueshëm përmes sajesave e mashtrimeve.

Pika e pestë, për një pervers narcist paraja është shumë e rëndësishme.  Ai fillon duke i marrë ato nga shtëpia, duke i konsumuar pa hesap, duke sajuar projekte fallso, duke kërkuar borxhe që nuk i kthen kurrë, në fund ia merr kursimet edhe “viktimës”, në këtë rast për t’ja këputur të gjithë lidhjet,…pra për t’i bërë të pamundur edhe jetën ekonomike.

Pika e gjashtë, perversi narcist nuk e çan kokën fare se çfarë iu ndodh njerëzve pranë tij, nëse ata janë të sëmurë, nëse kanë ndonjë hall, ai sillet me ata, sikur ata nuk ekzistojnë.  Ai nuk ka as simpati, as ngrohtësi, as ndjesi, as butësi për hallet apo dhimbjet e tjetrit. Madje, nëse ju vuani, sidomos për shkakun e tij, ai ndjehet i lumtur dhe në kulmin e gëzimit, thënë ndryshe, ai vetëvlerësohet mbi vuajtjen dhe dhimbjen e tjetrit.

Pika e shtatë, perversi narcist, herë pas here aplikon “muajin e mjaltit”, kur shikon se “viktima” e tij apo bashkëshortja, apo personi përballë, nuk i duron dot më sjelljet e tij dhe ndjehet se ai/ajo është  ezauruar, ai fillon “muajin e mjaltit” duke u sjellë krejtësisht ndryshe, sikur të ishte një person tjetër dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë më pare.  Gjithçka e realizon dhe arrin përmes mashtrimeve duke tentuar t’ju mbushë mendjen se ka bërë gabime më parë dhe gjithçka negative që ka bërë në të shkuarën ka ndodhur se ka qenë i lodhur, apo më shumë halle e probleme, thënë më shkurt, ai bën lojën e “dushit skocez”, herë bëhet i “nxehtë”, herë shfaqet i “ftohtë”, duke  synuar t’ju mbajë të lidhur si viktimë.

Pika e tetë, një nga pikat më të “forta” të një perversi narcist, është se ai shfaqet për të gjithë gënjeshtar/mashtrues  i përsosur. Thënë ndryshe, ai është një actor, një kloun apo komedian shumë i mirë; ai di shumë mirë të gënjejë në mënyrë që tjerët ta admirojnë, ta vlerësojnë, e deri ta adhurojnë. Madje në disa raste, shkon shumë larg: kur personi përballë tij është i suksesshem, ai përmes gënjeshtrave ia përvetëson suksesin.  Ai shpesh përmes mashtrimeve përpiqet t’ju mbushë mendjen se ju e keni gabim dhe ai ka gjithnjë të drejtë.

Pika e nëntë, kur është në vështirësi perversi narcist di shumë mirë dhe në mënyrë të suksesshme të hiqet si viktimë, si fatkeq, qarraman, lëpirës, zvarranik, thënë ndryshe, është në gjendje të transformojë realitetin diskretitues ndaj tij, në favorin e tij. Në këtë rast tenton të vetëvlerësohet përmes viktimizimit të tij, duke menduar se të tjerët nuk po kuptojnë shumë mirë sakrificat e tij. Ky quhet viktimizim pervers.

Pika e dhjetë, perversi narcist është paranojak, pra është mosbesues ndaj viktimës së tij, por edhe ndaj të gjithëve. Dhe për këtë ngre një rrjet “spinunësh” që i detyron apo manipulon të tregojnë se çfarë bën viktima e tij dhe të gjithë këto sajesa, i përdor kundër viktimës së tij.

Në vend të një përfundimi

Dhjetë pikat tregojnë qartas, se perversi narcist funksionon si VAMPIR që ushqehet me vuajtjet e viktimës së tij, që ushqen gëzimin  me shqetësimet e lotët e viktimës së tij. Në përgjithësi viktima e një perversi narcist, sëmuret në fund,  dhe eksperienca ka treguar se viktimat e tij ose bëjnë aksidente ose sëmurën rëndë nga mendja. Perversi narcist nuk ndryshon kurrë, ai ndryshon viktimën, por vetë nuk ndryshon asnjë nga sjelljet e tij.

Përgjigja e pyetjes së shtruar në fillim që mundon shqiptarët

Modestisht, jo nga formimi, por nga eksperienca e gjatë, mund të them me bindje se Rama është një kandidat i përsosur që plotëson të gjithë 10 cilësitë për të qënë pervers narcist,  plotësisht apo pjesërisht! Pyesni edhe të tjerët që kanë qenë pranë ose shumë pranë tij, se unë kam arritur në këtë përfundim duke mos e pasur këtë afërsi.