Hyqmet Zane: Ernest Koliqi përballë Enver Hoxhës

465
Sigal

Në kujtim të aktit madhor të ministrit të arsimit Ernest Koliqi, 12 prill 1939 – 3 dhjetor 1941

Nga Hyqmet ZANE

Vendimet historike merren nga burra historikë, kudo ku ato janë ekzekutuar në çdo vend të botës. Kjo vlen veçanërisht edhe për personalitetin e ish ministrit të arsimit Ernest Koliqi në kohën kur ai u bë dishepull i shqiptarizmës. Ishin vite lufte, vërtet, por gjithësesi ata që drejtonin jetën publike të këtij vendi ditën të shfrytëzojnë gjithçka në shërbim të kombit. Vendimi i marrë në atë shtator, si sot e 80 -vjet më parë, nga ish ministri i arsimit i asaj kohe, Ernest Koliqi, është gdhendur në kujtesën e brezave si një akt sublim i një shqiptari të madh. Vërtet ishte luftë, por shkollë gjithësesi bëhej ashtu si dhe sot. Ndryshimi qëndron në atë se shkollat shqipe, nuk ishin të konfirmuara në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri, pikërisht atje ku gëlonte shqiptarizmi, se institucionet shkollore shqiptare ishin të ndaluara nga pushtuesit shekullorë serbo-grekë. Rreth 400 normalistë morën me vete bekimin dhe uratën e një ministri që nënshkroi vendimin prej shqiptari që djemtë dhe vajzat e arsimuara në Normalen e Elbasanit e më tej të hapnin shkolla ku të mësohej shqipja dhe të shkruhej gjuha e ëmbël naimjane. Vërtet ishte luftë, por ministri i arsimit i asaj kohe i shpalli luftë asimilimit të shqipes në trojet tona shumë shekullore. 400 normalistët nga e gjithë Shqipëria, pjesa më e madhe nga Elbasani, u kthyen në shqiponja të gjuhës dhe të këndimit, duke hapur shkolla në Prizren dhe në Tetovë, në Podgoricë dhe në Prishtinë, në Gostivar dhe në Gjakovë, në Ulqin dhe në Filat, vetëm e vetëm të fitohej beteja e shqiptarizmit.

Ernest Koliqi ishte ministri i arsimit i kohës që sfidoi kohën dhe bëri atë që të meritonte nderimin e brezave të të tërë nxënësve që dolën nga bankat e shkollave shqiptare, atje, ku i thonë bukës bukë dhe ujit ujë. Për 80 -vjet shqipja triumfoi si ajo manushaqja bukuroshe e Naimit që çeli mes ferrash për të kundërmuar si lahuta e malsisë që mbushi vendin me burrni. Askush tjetër nuk kishte bërë një akt të tillë, akt i cili rradhitet krah Shpalljes së Pavarasisë, rradhitet krah Mbretërisë Shqiptare, ashtu siç do të doja ta renditja krah lëvizjeve të mëdha që sjellin po aq ndryshime të mëdha në jetën e një vendi. Çdo normalist kishte me vete në çantën e tij një vendim ministror të një njeriu të madh, vendim i cili u jepte krenari, dinjitet dhe i bënte mësuesit e trojeve shqiptare ambasadorë të shkollës shqipe. Nuk ishte e pakët, aq më tepër e lehtë që në mes të pushtuesve greko-serbë të hapje shkolla shqipe. Simbolikisht do të përmendja 2 nga njerëzit që sot nuk jetojnë më, por vepra e tyre ejeton edhe sot në mendjet e ish- nxënësve të  tyre si, Mehmet Gjevori që lindi si djalë Elbasani dhe u bë bir i Kosovës në Prishtinë. Ai e nderoi ministrin e tij si nxënës i Harri Fulcit dhe u bë kryemësuesi i Kosovës, i nderuar dhe i respektuar me madhështi nga brezat e nxënësve që ai mësoi. Ndërsa Jonuz Balla, ky bir malësori kujtonte me nderim atë vit të shenjtëruar, siç e quante ai, që iu besua ai vendim i madh që të shkonte në Tetovë e Gostivar, në Manastir dhe kudo që e lypi nevoja dhe të hapte shkolla shqipe. Ai, ashtu si dhe Mehmet Gjevori, u persekutuan nga regjimi sllavo-komunist, por ata, si dhe 400 normalistët e tjerë, një pjesë e të cilëve formuan edhe familje në tokat shqiptare, e kishin hedhur farën e rilindasve dhe ajo kishte zënë rrënjë. Nuk mund të harrosh dhjetra dhe dhjetra arsimtarë që në at

o vite lufte me një flamur kuq e zi në gji, mes peripecive të kohës shkuan atje, ku e kërkonte momenti historik, duke i qënë mirënjohës ministrit të tyre Ernest Koliqi.

Dhe vitet shkuan e shkuan rreth 80 dhe ai akt historik i këtij burri ka mbetur në qerthullin e tranzicioneve i panderuar për vlerat që mbart, aq më tepër që bëjmë fjalë për një vendim të shkruar shqip nga një shqiptar, për një vendim të nënshkruar nga një ministër shqiptar për një Shqipëri të Vërtet që duhej dhe duhet të flasë shqip. Nuk di se ç’duhet bërë për t’i dhënë vendin e merituar figurës së ministrit të arsimit Ernest Koliqi, që do të ishte edhe një rehabilitim i persekutimit që ju bë atij nga falangat sllavo komuniste. Kur mendon se persekutori tipik  stalinist Enver Hoxha, njeriu që nuk mbaroi njëherë një shkollë të lartë, e mohoi veprën e Ernest Koliqit dhe e shpalli atë heretike, kjo të sjell në kujtesë kryqëzimin e Jezu Krishtit dhe mohimin e shenjtërisë së veprave të madha, aq më tepër që si e tillë ishte edhe shqiptarizmi. Kur mendon dhe shikon se si pas 80 -vjetësh kujtohet Konferenca e Pezës, konferencë e cila vendimet i mori të mëdha, por realizimin e pati antishqiptar, këtu vihen ballë për ballë mes tyre Ernest Koliqi dhe Enver Hoxha, njëri ministër arsimi i Shqipërisë së Vërtetë, tjetri diktator i Shqipërisë së cunguar, njëri dishepull i shqiptarizmit, tjetri udhëheqës i anti shqiptarizmit.Nëse Konferenca e Pezës kishte si postulat “bashkimin e shqiptarëve pa dallim feje, krahine dhe ideje”, ato mbetën vetëm gjashtë fjalë që nuk u bënë kurrë realitet, janë gjashtë fjalë që u kthyen në të kundërtën e tyre dhe bënë atë që do të mbetet si postulati më i nëpërkëmbur, i cili dhunoi shqiptarët, i pushtoi ata më 29 nëntor dhe e ktheu këtë vënd në një ferr ku humbi dinjitet dhe e katandisi këtë vend dhe këtë popull në geton e Europës, ku shqiptarët u kthyen në kavie eksperimentale të një çmendurie me emrin Enver Hoxha. Të harrosh Ernest Koliqin dhe akt-vendimin e tij madhor në shërbim të kombit  dhe të kujtosh Konferencën e Pezës, si mbledhjen ku u sanksionua obskurantizmi komunist, kjo është një lloj si të rikthehesh në diktaturë.

Është mëkat dhe gjynah i madh të bësh krahasim mes Ernest Koliqit dhe Enver Hoxhës, se është një lloj sikur të vlerësosh Judën para Jezusit apo Profetit Muhamed. Janë dy epoka që vërtet ndryshuan, njëra solli bardhësinë e arsimimit të bijve të kombit kudo ne trojet shqiptare, ndërsa tjetra solli robërimin e bijve të shqipes. Krahasimin e bëj vetëm si një kujtesë për këdo dhe kushdo qoftë ai sot, ministër arsimi apo kryeministër, politikan apo president se, rikthimi i kujtesës historike për Ernest Koliqin është rikthim në vlerat e vërteta. Ndërsa rikthimi i kujtesës diabolike për Enver Hoxhën është rikthim në diktaturë, duke nëpërkëmbur dëshirën e një populli vërtet për liri dhe demokraci dhe jo për drapër dhe çekan. Enver Hoxha e mohoi , e shpërfilli, e denigroi Ernest Koliqin, ndërsa vepra e ministrit të arsimit Ernest Koliqi u lartësua vetiu se e tillë ishte ajo.Kurse një popull i tërë e errësoi , e denigroi  e poshtëroi dhe e urren emrin Enver Hoxha, se i tillë ishte ai. Nuk mund të kete më rikthim, se do “Enver Hoxha me blu xhins”, por do të ketë vlerësim për aktet e mëdha që e përbëjnë kombin siç është gjuha, arsimi, të mbrujtura me shqiptarizëm.