Prof.Dr. Kastriot Islami: Mandati i tretë për të shpëtuar paratë dhe ndëshkimin

265
Sigal

Qeveria dështoi në menaxhimin e krizës sanitare edhe në fillim edhe tani në vijim. Infektimet gjatë verës për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë u rritën në vend që të uleshin. Vjeshta ka çuar në rritje me disa herë të të infektuarëve dhe të vdekjeve.Vendi është më i izoluari edhe në rajon edhe në Europë për shkak të shifrave të larta të rasteve aktive dhe për rrjedhojë shqiptarët nuk mund të lëvizin më lirisht drejt vendeve kryesore te Europës. Dimri pritet të jetë i vështirë, si përsa i përket menaxhimit të të shtruarëve nëpër spitale, ashtu edhe numrit të vdekjeve, të cilat parashikohen nga institute të famshme europiane të arrijnë vlera të larta e të frikshme. Le të shpresojmë që shqiptarët do të ndërgjegjësohen për t’u ruajtur nga kjo sëmundje, se qeveria do të vazhdojë me mashtrime e gënjeshtra. Masa e fundit e Ramës me këshilla nga ata “ekspertë” me të cilët ka dalë lakuriq, janë aprofesionale e qesharake dhe për rrjedhojë të dështuara që në konceptim. Shqipëria gjatë 8 -vjetëve të fundit rezulton vendi më i varfër në Europë dhe më i keqqeverisuri,  gjë që e tregon qartë fakti se para, gjatë dhe pas pandemisë, qytetarët shqiptarë ishin azilkërkuesit kryesorë në vendet e BE-së duke ja kaluar edhe vendeve në luftë si Siria e Palestina, apo vendeve pas lufte të tilla si Afganistani apo Iraku, apo vendeve më të varfëra të Afrikës si Nigeria. Gjendja ka qenë katastrofike, për shkak vetëm të keqqevesisjes para dy ngjarjeve dramatike, tërmeteve të vjeshtës 2019 dhe pandemisë COVID-19 që nisi në shkurt 2020 e vazhdon aktualisht. Thënë ndryshe, kriza erdhi nga “tepsia” dhe jo nga “tërmetet apo pandemia”, sepse gropa e thellë ku gjendet ekonomia shqiptare s’u hap as nga tërmetet dhe as nga pandemia COVID-19. Atë e kishte hapur shumë të thellë babëzia e Ramës për të vjedhur të gjithë tepsinë i vetëm. Tërmetet dhe pandemia e thelluan edhe më shumë, për më tepër që Rama i keqmenaxhoi me mashtrime e gënjeshtra edhe këto dy momente. Madje, Rama vazhdoi të vidhte edhe 1,3 miliardë eurot e deklaruara nga vendet e BE-së për pasojat e tërmeteve.  Rama vazhdoi të vidhte edhe nga paratë për mjetet mbrojtëse dhe medikamentet e deri edhe për maskat gjatë pandemisë COVID-19. Gropa është hapur dhe thelluar vetëm nga babëzia e Ramës, nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria e tij ekzemplare. Vendi ka një borxh të frikshëm që mendohet të arrijë vetëm nga babëzia e keqqeverisja deri në 115 përqind të PBB në fillim të vitit 20121. Borxh që lidhet me vjedhjet e pasurisë kombëtare dhe të buxhetit publik; me dhënien klienteliste të PPP; me keqmenaxhimin e buxhetit, kultivimin e marijuanës dhe trafiqet e drogave, me pastrimin e parave. Të gjithë këto të deklaruara në raportet ndërkombëtare nga SHBA, BE dhe organizmat e specializuar. Ky është një borxh që është dyfishuar gjatë tetë viteve të fundit të qeverisura nga Rama. Gjatë kësaj kohe, kjo qeveri ka marrë pothuajse 1 miliardë euro borxh çdo vit, pra gjithsej 7,2 miliard euro në 7 vjet qeverisje ndërkohë që PBB është rritur me vetem 1,2 miliard euro. Kjo do të thotë ndryshe, se rreth 6 miliardë euro janë zhdukur, pra kanë shkuar në xhepat e hajdutëve të qeverisë, oligarkëve dhe klientelës së saj. Ndërkohë që mbi 40 përqind e familjeve llogariten nën pragun e varfërisë, pra për të jetuar me më pak 5 mijë lekë të vjetra në ditë. Edhe pandemia është keqmenaxhuar nga qeveria Rama. Thënë ndryshe, pra gjendja është rënduar ekonomikisht, financiarisht dhe nga pikëpamja sociale, jo nga COVID, por mbi të gjitha nga keqeverisja para e gjatë pandemisë. Dy krizat, sanitare e sociale janë bashkuar në një e ndikojnë negativisht te njëra tjetra për shkak të paaftësisë, babëzisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë Rama. Masat drastike të qeverisë Rama në mars-prilll 2020, e futën ekonominë edhe më thellë në gropë. Mashtrimet me ndihmën për bizneset shkaktuan falimentimin e shumë bizneseve. Po ashtu mashtrimet e qeverisë gjatë pandemisë kanë çuar në varfëri ekstreme shumë familje që sapo kishin filluar të dilnin nga gropa e varfërisë. Mashtrimet dhe taksat idioteske të qeverisë shkatërruan përfundimisht shtresën e mesme. Qeveria vazhdon të keqmenaxhojë krizën sanitare duke gënjyer e mashtruar duke kryer numrin më të ulët të testimeve për frymë në Europë e rajon. Shqipëria ka kryer deritani vetëm 3,2 testime për 100 banorë ose thënë ndryshe, në Shqipëri janë testuar vetëm 3,2 % e popullsisë. Kurse në SHBA e vendet e BE-së kjo shifër ka arritur në vlerat mbi 50 % dhe në rajon rreth 10-12 %. Rritja ekonomike e Shqipërisë llogaritet të arrijë -10 % në 2021 dhe kjo është e tmerrshme kur borxhi mund të arrijë 115 % të PBB. Ose ndryshe, çdo familje shqiptare do të ketë rreth 22 mijë euro borxh, ndërkohë që në 2013 kishte vetëm rreth 12 mijë euro borxh, pra për vetëm 7 vjet të qeverisjes Rama, borxhi familjar u rrit me 9,6 mijë euro. Dhe kjo ardhur nga babëzia, injoranca dhe papërgjegjshmëria e qeverisë Rama. Borxhin Rama mendon t’ja shesë ndonjë kompanie private që ndryshe do të thotë që Shqipëria të humbasë sovranitetin, pra të shitet. Prandaj Rama e kërkon me ngulm mandatin e tretë. Thënë më shkoqur, Rama pasi i varfëroi, nënshtroi dhe i detyroi shqiptarët të emigrojnë iu kërkon mandatin e tretë që të shesë vendin, me shpresën se kështu do të mund të shpëtojë nga ndëshkimi. Rreth 38 milionë qytetarë të planetit janë infektuar nga SARS-COV- 2.  Kjo shifër është rreth 5 përqind e popullsisë se planetit qe ka arritur 8 miliardë. Rreth 60 mijë qytetarë infektohen çdo ditë, sa një qytet mesatar shqiptar. Kanë vdekur deri tani mbi 1 milion qytetarë të planetit, pra 2,6 përqind e të infektuarëve. Janë shëruar rreth 30 milionë vetë, pra 30 herë më shumë se ç’kanë vdekur. Janë ende në trajtim rreth 10 milionë qytetarë. Janë kryer mbi 500 milion testime dhe Shqipëria me rreth 90 teste është e fundit në Europë dhe nga vendet demokratike perëndimore, duke testuar vetë, rreth 3 vetë në 100. Vaksina ende nuk është gjetur dhe kjo ka ngjallur frikë në të gjithë planetin. Po ashtu ende nuk ka një medikament që mund të të shpëtojë me siguri nga vdekja. Situata për rrjedhojë është ende e frikshme dhe tejet e pasigurtë. Mendohet se kriza sanitare do të mbyllet e para; do të vazhdojë disa vite kriza ekonomike e sociale. Mbetet të menaxhohet me tej pjesa më e vështirë e kësaj krize, ajo pjesë që lidhet me kalimin drejt rendit të ri global,  që për momentin është ende në fillesat e saj duhet pritur ndoshta për të shikuar më qartë se çfarë do të mund të ndodhë dhe sa do të zgjasë, e deri kur. Por kjo nuk do të thotë aspak që kriza sanitare është konspirative dhe e sajuar. Sipas Bankës Botërore, Prodhimi Global Bruto në nivel planetar mendohet të ulet me 5,2 % që konsiderohet ulja më e madhe pas Luftës së II Botërore. Kurse të ardhurat mesatare për çdo qytetar apo familje të globit mendohet të ulen me 3,6 %, që është një shifër e konsiderueshme. Kurse në Shqipëri, numri i infektimeve ka arritur mbi 15 mijë, ndërkohë që shifra e vdekjeve ka arritur rreth 450. Spitalet janë gati të përmbytuara me rreth 300 të shtruar nga COVID-19, nga të cilët 20 në terapi intensive dhe rreth 10 të intubuar. Ndërkohë që mjekët janë pa mjetet e nevojshme mbrojtëse dhe për të shtruarit medikamentet janë ende të pamjaftueshme dhe jo bashkohore për të trajtuar COVID-19.  Përballimi i sëmundjes në shtëpitë e tyre arrin disa mijra euro dhe prakitikisht është i pamundur, sepse është shumë i shtrenjtë për buxhetin e familjeve shqiptare.