Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Janari i përgjakur dhe parada e “Rilindjes”

232
Sigal

 

Janari i 2021 në SHBA, ngjason me janarin e 2011 në Shqipëri. Për të mbrojtur votën e lirë u vranë katër vetë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Për të njejtin motiv vdiqën katër protestues edhe në SHBA. Dallimi qëndron te organizuesit e protestës. Në Shqipëri i organizoi Rama në opozitë. Në SHBA i organizoi Presidenti në largim. Trump, reagoi menjëherë dhe pranoi kalimin paqësor të pushtetit më 20 janar, pa pretenduar mandatin e dytë, që të ishte tetë vjet në pushtet. Po Rama, ku ndodhej, kur protestuesit në SHBA pushtuan sallën, ku ishin mbledhur kongresmenët e senatorët? Pas tetë vjetëve në pushtet ai ishte duke përjetuar momentin spektakolar protokollar të organizuar nga Erdogani. Mund ta bëjmë një pyetje të “vogël”, të ligjshme? Sa herë e ka ftuar Erdogani Ramën ? Mesa di unë disa herë. Përse kjo pritje spektakolare, nuk i është bërë, kur e vizitoi për herë të parë, Turqinë, por pikërisht tani? Këtë detaj, askush nuk e ka prekur, sepse më tepër i tërheq parakalimi me kuaj, daulle dhe helmeta, si në kohën e Sulltanit të Madhërishëm. Në Konferencën e Shtypit “Sulltani Erdogan” dhe “Veziri i Vilajetit të Rumelisë”, gjetën kohën ta stigmatizojnë Perëndimin, dhe të promovojnë “Koalicionin e Bashkëpunimit”, që Rama të marrë mandatin e tretë dhe ta shpallë veten Sulltani i Vilajetit të Shqipërisë dhe ndërmjetës i Erdoganit në “Mesdhe” e negociator i tij në Eladhë, Greqi. Sot negociatori bëri takimin me kryeministrin Mitsotakis, por jo në kryeministri, por në shtëpinë e tij. Një formë e re pritje nga Greqia. Në vizitën e parë të Ramës, nga Turqia, në Greqi, drekuan në një lokal, larg medias. Tani do të mbyllen në shtëpi “për transparencë”! Tani Erdogan punon për rritjen e ndikimit të tij në Ballkan. Veriun e Ballkanit e kontrollon me Vuçiçin, bashkëpunëtorin mik të Ramës, prandaj edhe ministri i Jashtëm i Serbisë Daçiç i këndoi këngë turqisht, kur Erdogani e vizitoi Serbinë. Kosovën e kontrollonte me Thaçin. Shqipërinë ia ka besuar Ramës, e si shpërblim do e ndihmojë të rimarrë pushtetin, duke vendosur një rekord në Shqipëri, kur një parti e mban pushtetin dymbëdhjet vjet. Ngjarjet politike në SHBA dhe lëvizjet erdoganiste pasqyrojnë degjenerimin e qeverisjeve kudo në botë, prandaj ka mbërritur momenti i rikthimit të vlerat më të larta të qeverisjes kushtetuese e institucionale, por edhe me një moral të ri politik. Duhet hequr pushteti nga individët e ai duhet t’u rikthehet institucioneve. Ky është apeli i kohës edhe për Europën e Bashkuar, e cila punon me dy standarde e dy “shpejtësi lëvizje”. Një për shtetet evropiane, një për vendet e Ballkanit Perëndimor. Drejtuesit e BE nuk e kanë autoritetin e dikurshëm të burrave të shtetit, që e themeluan BE dhe nuk duhet të ndjekin politika naive, ose duke mbështetur politikanët e korruptuar, në emër të stabilitetit rajonal, dhe nuk duhet ta diskriminojnë Kosovën, të cilën nuk e njohin akoma pesë shtete anëtare të BE. As nuk mund të pretendojnë një marrëveshje të Kosovës me Serbinë, kur Vuçiç i deklaroi Trumpit dhe europianëve, se sa të jetë president, nuk do e njoh Kosovën! Konferenca e Paqes në Paris e 1920-ës i mbushi 100 vjet. Një model i ri qeverisje duhet krijuar!