Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Dosjet e ministrave dhe zyrtarëve të korruptuar “prova e zjarrit” për drejtësinë e politizuar

140

Intervistë me Prof. Dr. Elmaz Sherifi/ Politika duhet ta bëjë shtatorin vërtetë “të nxehtë”, sepse reformat në vend po dështojnë njëra pas tjetrës. Besueshmëria ndaj Reformës në Drejtësi po dobësohet nga përpjekjet për kontroll politik dhe standardet e dyfishta në kontrollin ligjor mbi gjyqtarët dhe prokurorët. Vettingu duhej të fillonte nga deputetët që e votuan, anëtarët e komisioneve të Vettingut (KPK dhe KPA) dhe pastaj të niste kontrolli mbi gjyqtarët dhe prokurorët. Të gjithë nënpunësit e administratës, ministrat,deputetët dhe politikanët duhet ti nënshtrohen testit të drogës, njëllojë si në SHBA.

Sigal

“Presim të shohim sa do e rriti temperaturën politike opozita, e cila ka bërë shumë paralajmërime dhe ka hedhur tezën se do të ketë zhvillime të vrullshme politike para zgjedhjeve lokale. Vlerësoj se opozita dhe konkretisht PD pa zgjidhur problemet e saj të brendshme e ka shumë të vështirë përballjen në zgjedhjet vendore.”

Shqipëria është përfshirë nga një sërë reformash në vitet e fundit, por çdo ditë e më shumë shohim se këto reforma kanë qenë vetëm një mundësi për të krijuar shtigje për mënyra të reja korrupsioni. Ndërsa opozita e bashkuar paralajmëron një shtator të nxehtë në familjet e thjeshta shqiptare ku kriza është ulur këmbëkryq. Ndërsa pasiguria për jetën po bëhet gjithnjë e më e pranishme kur në spitale nuk merr shërbim, kur në mungesë të një pune të rinjtë i drejtohen krimit ose arratisë. Por dështimin e reformave po e pësojnë më shumë qytetarët, të cilëve mjafton t’u përmendësh ‘incenerator’ dhe mund të tregojnë për rritjen e taksave dhe mungesën e shërbimeve bazë. Për situatën politike në vend Gazeta “Telegraf” ka realizuar një intervistë me Profesorin Elmaz Sherifi.

Politika ka lajmëruar për një “shtator të nxehtë”! Si e shihni opozitën në përballjen e zgjedhjeve vendore?

Qeverisjes në Shqipëri i mungojnë shumë elementë thelbësor të qeverisjes demokratike. Pushtetet e shtetit janë shumë larg standardeve të shtetit të së drejtës, kontrolli e balancimi i tyre nuk realizohet, sepse pushteti ekzekutiv i dominon pushtetet e tjera dhe opozita parlamentare është mjaft e dobët, për shkaqet e saj të brendëshme. Një nga deformimet e tjera të demokracisë është vetëpërjashtimi i opozitës nga vetëqeverisja vendore dhe pushteti është njëngjyrësh në qeverisjen qendrore e lokale. Jemi në shtator e megjithëse ka filluar vjeshta, temperaturat janë të larta. Presim të shohim sa do e rriti temperaturën politike opozita, e cila ka bërë shumë paralajmërime dhe ka hedhur tezën se do të ketë zhvillime të vrullshme politike para zgjedhjeve locale? Vlerësoj se opozita dhe konkretisht PD pa zgjidhur problemet e saj të brendshme e ka shumë të vështirë përballjen në zgjedhjet vendore. Mungon autoriteti institucional i lidershipit, pasi ai “vallzon” midis ligjëshmërisë dhe legjitimitetit. Kjo çështje nuk është zgjidhur nga pushteti gjyqësor dhe si pasojë vendimin e kryesisë për të shkarkuar kryetarin e grupit parlamentar Alibej dhe zëvendësimin e tij me nënkryetarin e partisë, nuk e përfilli pjesa maxhoritare e grupit duke rikonfirmuar kryetarin e zgjedhur prej tyre.

Ndërsa Parlamenti synon që të miratojë ligj për hapjen e dosjeve dhe dekomunistizimin, kreu i Partisë së Lirisë ka ngritur një padi për shpifje ndaj Autoritetit të Dosjeve. Duke qenë edhe një sprovë për të treguar se drejtësia nuk është e kapur, si mendoni se do të jetë rezultati i kësaj beteje ligjore?

Kur isha deputet i Partisë Socialiste kam kërkuar në forumet partiake dhe në grupin parlamentar hapjen e dosjeve të politikanëve. Kur themeluam Lidhjen për Drejtësi e Progres kam kërkuar me një Konferencë Shtypi pastrimin e politikës nëpërmjet hapjes së dosjeve në radhë të parë ligjbërësve. Kryetari i Partisë së Lirisë e ka të gjithë të drejtën kushtetuese të ngrej padi ndaj Autoritetit të dosjeve. Në Partinë Socialiste jam marrë si jurist me çështjet që u krijuan nga ligji që miratoi në mënyrë të njëanshme PD për përjashtimin e politikanëve nga zgjedhjet e “famshme” parlamentare të vitit 1996. Dhe atëherë kolegëve që prekeshin nga ligji u sugjerova t’i drejtoheshin gjykatës. Ndre Legisi e bëri padinë dhe e fitoi gjyqin. Le të presim vendimin e gjykatës edhe për rastin konkret.

“Me sa kam informacion nga shqiptarë, që janë të punësuar në administratën e SHBA-së, kryerja e testit të drogës është kriter rekrutimi. Mendoj se edhe në Shqipëri krahas pastrimit të politikanëve me hapjen e dosjeve edhe testi i drogës duhet të bëhet ligjor.”

Po kërkohet prej kohësh që të gjithë deputetët, funksionarët e lartë të shtetit, qeverisë, institucioneve të pavarura dhe drejtuesve të lartë të shtetit, përfshi edhe ushtarakë, punonjësit e policisë dhe diplomacisë të bëjnë testin e drogës. A mendoni se ky test ka vlera për pastërtinë e figurës së funksionarëve dhe për individët përdorues një goditje pasi tregon lidhjen e tyre me trafikantët dhe shpërndarësit e drogës?

Shqipëria trajtohet nga disa institucione ndërkombëtare si vend i kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike dhe si pasojë mundësia e marrjes së lëndëve narkotike nga politikanë e zyrtarë është shumë e madhe. Me sa kam informacion nga shqiptarë, që janë të punësuar në administratën e SHBA-së, kryerja e testit të drogës është kriter rekrutimi. Mendoj se edhe në Shqipëri krahas pastrimit të politikanëve me hapjen e dosjeve edhe testi i drogës duhet të bëhet ligjor aq më tepër tani që trafikantë dhe kriminelë të penduar po tregojnë lidhjen kauzale të politikanëve dhe qeveritarëve me botën kriminale.

Si mendoni se po vijon Vettingu në Drejtësi kur sondazhet e bëra nga Eurobarometër tregojnë se shqiptarët nuk kanë besim te drejtësia e re? Madje edhe një pjesë e drejtuesve të komisionit të ligjeve, kanë deklaruar se ndihen të turpëruar nga vendimet partiake të anëtarëve të KPA-së, ku 30% e tyre janë shkarkuar dhe të tjerë pritet të ndëshkohen përfalsifikim dokumentash kur kandiduan dhe u zgjodhën ? Ju keni paralajmëruar vazhdimisht se kjo reformë është jo profesionale dhe klienteliste dhe bëhet për të kapur drejtësinë dhe larguar të pabindurit ndaj pushtetit?

Që në diskutimet e para për Reformën në Drejtësi kam shprehur mendimin se ajo nuk mund të sjell standardet demokratike me aq shumë institucione dhe me ndryshime aq të shumta edhe të Kushtetutës. Besueshmëria e saj po dobësohet nga përpjekjet për kontroll politik dhe mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara dhe standardet e dyfishta në kontrollin ligjor mbi gjyqtarët dhe prokurorët. Gjithsesi jemi para një fakti që vetëm duhet të shpresojmë për më të mirën e mundëshme, duke rritur interesimin dhe monitorimin kushtetues e institucional mbi organet e Vettingut. Unë kam mbrojtur tezën se fillimisht duhej Vetting mbi politikanët, që miratuan ligjet e reformës dhe mbi qeveritarët e niveleve të larta. “Prova e zjarrit” për organet e ngarkuara me ligj janë dyzinat e dosjeve të depozituara për ministra e deputetë. Unë dua të besoj se zhvillimet do të jenë të vrullshme dhe pozitive.

Në vijimësi të çështjes së Reformës në Drejtësi, pak ditë më parë kryeministri deklaroi se edhe pas Vettingut, vendimet që do japin gjyqësori do kontrollohen nga ILD, KLGJ dhe KLP . A mendoni se kjo është një shkelje dhe bëhet për të mbajtur nën presion drejtësinë, gjyqtarët dhe prokurorët?

Deklaratat e kryeministrit në lidhje me kontrollin politik e partiak mbi pushtetin gjyqësor janë të kritikueshme dhe pavarësisht qëllimeve politike partiake, ato nuk kanë për t’i “futur në korrnizë”  organet e ngarkuara me ligj.

“Që në diskutimet e para për Reformën në Drejtësi kam shprehur mendimin se ajo nuk mund të sjell standardet demokratike me aq shumë institucione dhe me ndryshime aq të shumta edhe të Kushtetutës. Besueshmëria e saj po dobësohet nga përpjekjet për kontroll politik dhe mungesa e burimeve njerëzore të kualifikuara dhe standardet e dyfishta në kontrollin ligjor mbi gjyqtarët dhe prokurorët.”

Si e shihni faktin që qeveria i jep personave në konflikt të pastër interesi, si bashkëshorti i ministres Xhaçka, statusin e investitorit strategjik, ndërsa disa të tjerëve, si pronari i një media në vend, i mësyn biznesin gjatë sezonit turistik?

Mendoj se veprimet me shkatërrimin e pronës ndaj atyre që konsiderohen legjitime se ka “shkelje ligjore” e kanë dëmtuar edhe më shumë imazhin e qeverisjes pasi ndërhyrjet janë haptas antiligjore. Urgjenca dhe mosrespektimi i procedurave ligjore, në fakt, jo ndaj “paligjshmërisë”, sepse aty, në ato mjedise kanë drekuar kryeministri, ministra e deputetë, por ndaj medias që ka një editorial që sot “drekuesëve” nuk ju pëlqen e nxjerr edhe më në dukje politikën selektuese dhe goditjen e “të pabindurve” dhe hapjen e hapësirave e financimin me çdo mjet jo ligjor të atyre që i shërbejnë. Qeverisjet autokratike armik kryesor kanë mendimin e lirë dhe mediat që e shpërndajnë atë mendim brenda statusit dhe detyrimin, që kanë te miliona të tjerë.

Në Open Balkan kryeministri i bëri thirrje BE të ndihmojë rajonin për të përballuar krizën energjetike megjithëse ju keni deklaruar se thirrja që bën Rama për liderët e rajonit duket si një thirrje për të anashkaluar BE? A do e shfrytëzojë kryeministri Rama krizën për të lejuar më shumë ndikim sllav në Shqipëri? Si do të ndikojë kjo në ekonominë e vendit tonë?

Deklaratat e bëra nga inicuesit e Open Ballkan dhe ministrat e jashtëm të Turqisë dhe Hungarisë në Samitin e Beogradit, ishin tej çdo imagjinate dhe qartazi apel për orientimin anti BE. Parlamenti i Shqipërisë duhet ta fusë në agjendën e vet diskutimin e tezave të hedhura, pasi pushteti ekzekutiv nuk e ka kompetencë, madje i ka tejkaluar kompetencat edhe me aq sa është bërë. Por edhe institucionet e BE duhet të reagojnë më shumë e më shpejt se cilido institucion  tjetër. Orientimi politik e gjeostrategjik i Shqipërisë duhet të orientohet vetëm ndaj vendeve europiane me demokraci, ekonomi dhe mirëqenie të lartë. Teza se Shqipëria nuk është as lindje as perëndim është shumë e tejkaluar. Duhet të ketë vetëm orientim euroatllantik !