Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi seancë dëgjimore me ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, për t’u njohur me gjendjen e pushtetit vendor dhe sfidat e tij.Gjatë fjalës së tij, ministri Demo paraqiti perfomancën dhe shërbimet e reformës territoriale të miratuar në vitin 2014, e cila u implementua në vitin 2015.
“Kemi 61 bashki, 12 qarqe. Ajo çfarë është për t’u nënvizuar është fakti se nëse i referohemi një dekade më pas kemi një pasqyrë të qartë mbi atë që ka funksionuar dhe ku duhet të ketë përmirësime të domosdoshme”, u shpreh ai.“Reforma e vitit 2015 krijoi një konsolidim të hartës territoriale, krijoi një zgjerim të funksioneve vendore, ku shtuan 7 funksione bazë për bashkitë, përmirësoi mirëqeverisjen vendore dhe krijoi kushtet e duhura për të pasur një mirëmenaxhim bazuar dhe mbi performancë. Sot kemi një sistem vendor që funksionon dhe kjo është falë reformës”, tha Demo.Por shtoi ministri, tani kemi kushte që kanë ndryshuar pas 10 vitesh. Ai u ndal tek ndryshimet demografike.Kemi një territor që sfidat që ballafaqohen, janë ndryshe nga 10 vite më parë. Sfida që do të kemi janë të atilla që kërkojnë një përmirësim të gjithë sistemit që kemi në nivel vendor”, tha ai. Demo theksoi se treguesit financiarë tregojnë se reformat pati një efekt pozitiv.“Të ardhurat vendore në krahasim me 2015 janë rritur me 166%. Këto janë të ardhura që vet bashkitë gjenerojnë në buxhetin lokal. Pesha në buxhet e të ardhurave vendore është rritur nga 36 në 51%. Investimet për frymë janë rritur në 78% dhe detyrimet e prapambeturat që u trashëguan në 2015 janë ulur nga 12 miliardë lekë që ishte për të gjitha bashkitë në vend në 3,2 miliardë lekë që është sot”, tha ai. Në aspektin territorial, Demo theksoi se “kemi eliminuar fragmentimin formal, por barazitë janë shumë të theksuara në nivel lokal midis bashkive”.“Pushteti vendor tashmë ka 41 funksione, 7 prej tyre u janë kaluar bashkive në reformën e fundit, por jo gjithmonë të shoqëruara në kapacitet njerëzore dhe me paqartësi ligjore”, tha ai.Sipas Demos, problematike “mbetet varësia nga transferta e buxhetit qendror dhe kapacitet të kufizuara nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik. Këto kapacitete janë më të theksuara në bashkitë e vogla”.“Riorganizimi territorial nuk e ka zgjidhur pabarazinë e kapaciteteve, madhësia e bashkive vazhdon që të ndikojë ndjeshëm në performancë. Bashkitë që janë mbi 50 mijë banorë janë mbi mesataren kombëtare dhe bashkitë nën 50 mijë banorë, përgjithësisht janë nën mesataren. Kjo lidhet me vetë potencialin që bashkitë kanë”, tha Demo.Sipas ministrit, disa bashki mbeten shumë të vogla për të qenë eficiente për sa i përket përdorimit të ekonomisë së shkallës.




















