Ymer Kurti:“Qeveria i ka “harruar” dhe braktisur emigrantët tanë”

677
Sigal

Ymer Kurti, Kryetar i Partisë për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve

– Zoti Kurti, cilat probleme të emigrantëve do të fokusonit ju, të cilat duhet të jenë në prioritetin e qeverisë së re?

– Shikoni në këtë fushatë parazgjedhore, se çfarë hipokrizi politike luan qeveria me emigrantët. Në ditët e fundit, Kryeministri hedh idenë e votimit të emigrantëve, në shtetin ku jetojnë e banojnë,  kur e di shumë mirë që në ditët e mbetura nuk mund të plotësohen kushtet teknike që të organizohet votimi i emigrantëve, në shtetet ku jetojnë. Problemi i pjesëmarrjes së emigrantëve për votime, e cila është një e drejtë kushtetuese. Qeveria për gjatë 8 vjetëve nuk ka dhënë asnjë ndihmesë emigrantëve, por, edhe i ka braktisur emigrantët,  të cilët, të detyruar nga kriza e madhe ekonomike në shtetet ku jetojnë, detyrohen që të rikthehen në Atdhe. Qeveria dhe shteti nuk i  ndihmon  emigrantët, që të riintegrohen duke u shtuar edhe më shumë barrën e fatkeqësive. Indiferenca e shtetit për krijimin e rikthimin e familjarëve të emigrantëve, mospajisja e dokumenteve të emigrantëve, sipas standardeve të Shengen-it. Pasojë e kësaj, janë diskriminimi që u bëhet emigrantëve. 75.000 emigrantë janë përjashtuar nga sistemi Shengen,  për mungesë dokumentacioni, sipas standardeve të Shengen. Shteti ynë nuk bën asgjë, që fëmijët e emigrantëve, brezi i dytë e i tretë  të mësojnë gjuhën shqipe,  historinë e popullit tonë. Kjo nuk është  neglizhencë, por krim  që i bëhet ndërgjegjes kombëtare. Por mendoj unë, se problemi më madhor i emigrantëve tanë është që të njihet  reciprokriteti i së drejtës së sigurimeve shoqërore  të emigrantëve.

– Cila do të ishte zgjidhja që ju kërkoni?

– Shteti dhe qeveria jonë duhet të nënshkruajnë me çdo shtet, në të cilin punojnë dhe jetojnë  emigrantë shqiptarë, një marrëveshje  të shkëmbimit reciprok të kontributeve të  sigurimeve shoqërore të emigrantëve tanë. Kjo do të thotë, që emigranti shqiptar të ketë të drejtën që të zgjedhë vendin ku do të marrë pension dhe të drejtën që të transferojë sigurimet shoqërore, që ka kontribuar, në atë shtet që ai preferon që të nxjerrë pensionin e vet.

– Ju çfarë propozoni?

– Duhet të krijohet një drejtori të Emigracionit, pranë MPJ, ose në MP. Zyrat e punës, pranë çdo bashkie, duhet të kenë evidencë të emigrantëve. Përfaqësitë diplomatike shqiptare janë shumë indiferent ndaj problemeve që kanë bashkatdhetarët tanë.

– Një nga problemet e mprehta, është rikthimi i emigrantëve. Mendoni se, qeveria ka strategji për ndihmesën dhe  riaktivizimin e tyre?

– Kjo qeveri ska strategji. Për të ardhmen, qeveria e re të studiojë një strategji, në bashkëpunim me BE, që të shpallet një amnisti e përgjithshme për faljen e përjashtimeve. Shteti duhet të ndihmojë emigrantët, nëpërmjet politikave fiskale, që të hapin  bizneset, sepse u dhanë premtime, por nuk u mbajtën.

Partia juaj përse u bashkua në aleancën e majtë?

Problemi i emigracionit është problem i gjithë spektrit politik, por qeveria aktuale prej 8 vjetësh, nuk arriti të zgjidhë problemet e emigrantëve. Ndaj mendojmë se me një qeverisje progresiste të PS-së, edhe trajtimi ndaj emigrantëve do të ndryshojë në të mirën e tyre.