Prof. Alqi Naqellari: Tek ne mendimi ekonomik shkencor nuk gjykohet, nuk analizohet dhe nuk vlerësohet

709
Sigal

Puna shkencore për një ekonomist shikohet në mendimin ekonomik, në një konkluzion ekonomik që një ekonomist jep, sa i bazuar është ai shkencërisht, sa janë aplikuar metodat shkencore për realizimin e tij dhe sa është i aplikueshëm ky konkluzion ekonomik. Nëse është i aplikueshëm, sa i shërben fushës ekonomike, sa i shërben financave, Bankës Qendrore, problemeve shoqërore etj. Nëse një konkluzion ekonomik është i zbatueshëm dhe me përfitim për shoqërinë, atëherë këtë punim e quaj punë shkencore. Po a bëhet shkencë ekonomike në Shqipëri. Disa nga këto përgjigje do t’i japë Prof. Naqellari në këtë bisedë për “Telegraf”.

A bëhet shkencë në Shqipëri?


Po në Shqipëri bëhet shkencë, por ajo shkencë që bëhet, nuk njihet dhe nuk vlerësohet nga askush, kur them askush kuptoj faktin që nuk vlerësohet nga institucionet apo organizmat që kanë interes, kështu nuk vlerësohet nga Qeveria, nga Banka Qendrore, nga institucionet e pavarura, nga ndërmarrjet private, nga universitetet, nga OJF-të etj. Shkencën në Shqipëri e shikoj në dy plane. Plani i pare është Akademia e Shkencave dhe plani i dytë janë Institucionet Akademike, siç janë Universitetet, Shkollat e Larta, Institutet e Kërkimeve, etj. Në Shqipëri funksionon Akademia e Shkencave, e cila normalisht duhet të bëjë shkencë. Kjo do të thotë që të realizojë punime shkencore në interes të Shqipërisë, në fushën e shkencave natyrore, ekonomike, politike, të shkencave ekzakte etj, etj. Akademia e Shkencave nuk i realizon dot këto detyra sepse pas viteve 90 ajo u shndërrua më së shumti si një institucion honorifik, sesa një institucion serioz shkencor. Para riorganizimit të saj ajo kishte 13 Institute Studimesh, të cilët bënin mirëfilli punë shkencore, pavarësisht nga vëllimi apo cilësia e tyre, sepse kishte edhe institute që vegjetonin ose shkencëtarë që i zinte gjumi mbi tavolina. Në fund të fundit nga ajo Akademi kanë dalë punime serioze e dinjitoze që e kanë prezantuar Shqipërinë denjësisht në arenën ndërkombëtare. Aty kemi pasur kolosë të mendimit në fushën e kërkimeve historike, gjuhësore, gjeografike, arkeologjike, në fushën e florës dhe faunës, në fushën e hidrometeorologjisë, të ekonomisë etj. Sot nga ajo Akademi e dikurshme kanë mbetur vetëm pak institucione dhe akoma më pak akademikë të cilët nuk mund të mbulojnë dot më kërkesat dhe nevojat e vendit. Plani i dytë janë Institucionet Akademikë si Universitetet shtetërore e private, Shkollat e Larta, Institutet Private etj. Janë pikërisht këto institucione që realizojnë punën kryesore shkencore në Shqipëri. Do përqendrohem kryesisht në fushën e ekonomisë, sepse atë e njoh edhe më mirë.

 Si e kuptoni ju punën shkencore?

Përgjigje. Punën shkencore për një ekonomist e shikoj në mendimin ekonomik, në një konkluzion ekonomik që një ekonomist jep, sa i bazuar është ai shkencërisht, sa janë aplikuar metodat shkencore për realizimin e tij dhe sa është i aplikueshëm ky konkluzion ekonomik. Nëse është i aplikueshëm sa i shërben fushës ekonomike, sa i shërben financave, Bankës Qendrore, problemeve shoqërore etj. Nëse një konkluzion ekonomik është i zbatueshëm dhe me përfitim për shoqërinë atëherë këtë punim e quaj punë shkencore. Të bësh shkencë nuk do thotë vetëm të shpikësh një robot që flet, apo një program që lufton viruset. Në fushën e ekonomisë kemi të bëjmë me fenomene ekonomike që përballemi me pasojat e tyre. Në Shqipëri thuajse të gjithë pedagogët e Universiteteve dhe Shkollave të Larta merren me punë shkencore, bëjnë studime shkencore, shkruajnë artikuj shkencorë, disertacione etj. Kështu në Shqipëri mund të shkruhen në një vit me mijëra artikuj shkencorë të fushave të ndryshme. Kemi një prurje të lartë në fushën e mendimit shkencor. Arsyeja pse shkruajnë pedagogët është e thjeshtë. Atyre ju kërkohet që për të fituar grada dhe tituj shkencor, të shkruajnë në revista shkencore dhe për Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtar


Çfarë bëhet me gjithë këtë prurje të mendimit ekonomik? Ku shkon dhe si vlerësohet?

Këtu qëndron problemi. Mendimi ekonomik shkencor nuk gjykohet, nuk analizohet dhe nuk vlerësohet. Për pasojë ai mbetet inegzistent për shoqërinë, për shtetin, për qeverinë, për institucionet e pavarura shtetërore, për sistemin financiar dhe bankar, ndërsa nëpërmjet tyre autorët përfitojnë tituj e grada shkencore. Në këtë analizë do të përqendrohem në disa pika, që janë të prekshme për çdo pedagog dhe për çdo studiues. Këto do t’i shikoj në dy periudha dhe do përqendrohem në:
1. Revistat shkencore
2. Tekstet universitare injorohen
3. Monografitë injorohen

1)-Pas viteve ‘90 kanë ndodhur mjaft ndryshime në sistemin arsimor shqiptar dhe në këtë kuadër edhe në fushën e kualifikimit shkencor. Para vitit ‘90 të përfitoje një gradë apo titull shkencor, të kërkohej, veç kushteve të tjera të botoje artikuj në revista shkencore, të kishe shkruar tekste, monografi, të kishe marrë pjesë në projekte, etj. Në atë periudhë ka pasur pak Revista Shkencore dhe shumë autorë që kërkonin të shkruanin. Konkurrenca ka qenë mjaftë e madhe, prandaj artikujt duhej të ishin mjaftë cilësor. Aty konkurroje me personalitete të ekonomisë shqiptare. Artikulli recensohej prej dy personave me Titull Shkencor. Nëse ata e shikonin që artikulli kishte vlera ai e merrte lejen për botim, ndryshe nuk botohej. Pra ishte shumë e vështirë të shkruaje dhe të botoje një artikull. Askush nuk të detyronte që të kishe shkruar artikull në revista shkencore jashtë vendit. Nëse botohej, për këtë artikull nuk paguhej asnjë lekë.
2)- Tekstet universitare, pavarësisht nga pjesa politike, partishmëria proletare që i përshkruante ishin cilësore:
E para, nuk kishin gabime ortografike, por edhe nëse kishin ato në faqen e fundit kishin një shtesë me korrigjime gabimesh.
E dyta, nuk kishin gabime teknike në koncepte, sepse ato ishin të përshtatura ose të përkthyera nga tekstet e lindjes, nga ku u përgatitën edhe kuadrot e parë shqiptarë.
E treta, tekstet hartoheshin nga pedagogët me tituj ose grada shkencore dhe jo nga asistentët.
E katërta, tekstet ishin shkalla më e lartë e kualifikimit të një pedagogu. Jo çdo kush mund të shkruante tekste mësimore. Tekste shkruanin vetëm pedagogët me eksperiencë të gjatë në punë, që kishin punuar në ekonomi, që e njihnin konkretisht atë.
E pesta, tekstet diskutoheshin në seksion dhe nga seksioni kalonin në katedër me dy recensentë. Ato i nënshtroheshin një gjykimi shumë të hollësishëm, etj.
3)-Monografitë vlerësoheshin dhe përgjithësisht fillonin nga tema e disertacionit. Shumë herë pedagogët stimuloheshin për ta kthyer disertacionin në monografi. Nuk ishte e thjeshtë të shkruaje një monografi, sepse kërkonte të dhëna konkrete nga prodhimi, apo të studioje një fenomen, pasi në atë kohë kishte koncepte të tjera nga këto që kemi sot. Edhe këto vlerësoheshin maksimalisht për kualifikim.

Çfarë po ndodh sot, nuk kemi tekste, monografi apo revista shkencore?

Po, kemi, por janë të pa vlerësueshme nga organizmat që duhet t’i vlerësojnë.

Ku e shikoni mosvlerësimin e tyre?

Përgjigje: 1)-Revistat Shkencore shqiptare injorohen nga ligjet, që të japin të drejtën të fitosh një gradë apo titull shkencor. Nëse shikon kushtet për të fituar një gradë apo shkallë, theksi vendoset në revistat e huaja, ndërsa injorohen Revistat Shkencore të vendit. Nëse nuk ke 2 artikuj me faktor impakti jashtë Shqipërie apo me bord editorial ndërkombëtar, askush nuk të kualifikon. Në këtë mënyrë askush nga pedagogët nuk ka ndonjë konsideratë për Revistat Shkencore shqiptare. Çmimi për një artikull jashtë shkon deri në 300 $, ndërsa brenda vendit shkon deri në 90 euro. Ky është injorim që u bëhet revistave shkencore shqiptare të universiteteve sepse jemi ne që shkruajmë në revistat e huaja dhe që farë mirë mund të shkruajmë në revistat tona që injorohen prej ligjvënësve. Çfarë kanë Revistat e huaja më shumë nga revistat e Shqipërisë? Përgjigja është asnjë gjë, vetëm se kërkojnë një thes me para. Me dhjetëra artikuj të botuara në revistat tona janë më cilësore se një pjesë e artikujve të tyre. 

2)-Tekstet universitare injorohen, sepse është ideja se përkthehen shabllon. Të punojmë thonë me tekste të huaja, përgjithësisht në anglisht. Ky indiferentizëm vjen ngaqë hartimi i një teksti nuk të njihet nga ligji për kualifikimin shkencor, prandaj edhe pedagogët janë fare të pa interesuar për të hartuar tekste cilësore, ose në shumë lëndë nuk ka fare tekste në gjuhën shqipe. Ky është një turp, që në shekullin e 21 nuk ka tekste në gjuhën shqipe. Shumë nga tekstet që hartohen, janë të dobët sepse pedagogë të pa përgjegjshëm futin studentët ti përkthejnë dhe pa i redaktuar i faqosin dhe i botojnë me çmime marramendëse. Të vjen turp të shikosh libër universiteti që ka brenda dhjetëra gabime teknike dhe mijëra gabime ortografike. Askush nuk kërkon të miratohet në departament. Shikojnë ka apo jo ISBN. Në këtë mënyrë një pjesë e teksteve të sotëm janë për karton dhe jo për të mësuar studentët.
3)-Monografitë injorohen, sepse nëse në ligjin e parë vlerësoheshin me 4 artikuj, me ligjin e ri nuk vlerësohen fare. Pra Monografitë janë injoruar dhe askush nuk ka interes të shkruajë një të tillë. Ky veprim ka bërë dhe bën që pedagogët të botojnë 5 artikuj dhe të marin pjesë në 5 konferenca dhe kollaj bëhen profesorë e doktorë. Me të tilla kushte po frenohet artificialisht puna shkencore, kjo sepse një monografi kërkon punë disa vjeçare studimore. 

Çfarë duhet të bëjë qeveria për prurjet e mendimit ekonomik?

Përgjigje. Qeveria dhe gjithë Institucionet apo Organizmat përkatëse nuk dinë gjë fare se çfarë bëhet me shkencën në Shqipëri. Gjithë këto artikuj shkencorë dhe disertacione nuk i lexon askush prej tyre. Në këto Institucione ka zyra që merren me shtypin, që japin intervista, por se çfarë thuhet për punën e tyre nga ana shkencore këta nuk dinë asnjë gjë. Konkretisht për Deficitin dhe Borxhin Buxhetor, për Modelin Ekonomik, për Bilancin e pagesave janë shkruar me qindra artikuj shkencor brenda dhe jashtë Shqipërisë, janë mbrojtur me dhjetëra Disertacione. A di gjë M. Ekonomisë apo M. Financave për këto? Përgjigja është nuk dinë gjë. Janë shkruar me dhjetëra apo qindor artikuj për sistemin bankar, për kreditë e këqija, për inflacionin, për rolin e BQ në rritjen ekonomike, për B. Tregtare. A dinë gjë drejtuesit e bankave për këto artikuj?Nuk dinë gjë, sepse janë mbyllur në guaskën e tyre dhe nuk u vjen mirë që dikush ti kritikojë apo t’ju japi mendim. Qeveria me Ministritë përkatëse, Banka Qendrore dhe Institucionet e pavarura duhet të çelin një zyrë që të merret me artikujt shkencorë që shkruhen në interes të tyre, me temat e diplomave që janë me mijëra dhe me Disertacionet. Të mos merren vetëm me shtypin e përditshëm, kush i shau apo kush i lavdëroj por ta kthejnë kokën nga shkenca. Qeveria, punën e lavdërueshme që ka bërë me taksat, në evidentimin e subjekteve ekonomikë, në hartimin e regjistrit të tyre, duhet ta shtrijë edhe në sektorët e tjerë. Evidencat statistikore duhet të shërbejnë jo vetëm për të krahasuar planet me faktet e realizimit, por edhe për të parë mundësitë e rritjes së të ardhurave dhe të uljes së shpenzimeve.

Arben Progonati