Presidenti Nishani priti Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Darko Pajović

555
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, zotin Darko Pajović. Presidenti Nishani uroi zotin Pajović për detyrën e re dhe shprehu kënaqësinë e veçantë që kjo vizitë e tij në Tiranë përkon me ratifikimin në Parlamentin shqiptar të Protokollit të Anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Kreu i Shtetit vuri në dukje se përparimi i Malit të Zi në NATO është rruga më e mirë që drejtuesit shtetërorë kanë ndjekur për vendin dhe popullin e tyre, por njëkohësisht ky është një sinjal tejet pozitiv për rajonin dhe një vlerë e shtuar për Aleancën në shërbim të paqes, sigurisë dhe begatisë.

Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria vazhdon të ndjekë një politikë të jashtme të konsoliduar në drejtim të zhvillimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit të hapur e të sinqertë me të gjitha vendet e rajonit, dhe se është përgjegjësia e drejtuesve të vendeve tona të ushqejnë dhe promovojnë më shumë mirëbesim për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët.

Kreu i Shtetit vlerësoi gjithashtu rolin e pakicës shqiptare në Mal të Zi që shërben si urë miqësie dhe përbën element stabiliteti dhe kohezioni të brendshëm, duke u renditur gjithmonë në krah të forcave zhvilluese e përparuese, dhe që vazhdon të japë një kontribut të qenësishëm në shtet-ndërtimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Malit të Zi. Në këtë kontekst Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria mbetet e vëmendshme ndaj plotësimit të kërkesave legjitime të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, dhe veçanërisht ndaj zbatimit të angazhimeve ligjore që ndërmerren në këtë kuadër.

Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, Presidenti Nishani u shpreh se duhen shfrytëzuar edhe më mirë potencialet ndërmjet dy vendeve veçanërisht në tregti, energji, turizëm dhe infrastrukturë, çka mund ta çojë bashkëpunimin mes dy vendeve në një nivel të ri më të avancuar.

Duke përcjellë edhe një herë kënaqësinë për këtë vizitë, Presidenti i Republikës përcolli mbresat e tij për vizitën e shkëlqyer dypalëshe që zhvilloi më herët si dhe për festimet në kuadër të përvjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi.