Presidenti Meta vlerëson zonjën Sylviane Muselier me Dekoratën “Nënë Tereza”

558
Presidenti i Republikës, Ilir Meta gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar nga Presidentja e Komisionit të Rajonit të Aix-en-Provence, Agnès Rampal dhe Zëvendëspresidentja e këtij rajoni, Caroline Pozmentier, nderoi zonjën Sylviane Muselier me Dekoratën “Nënë Tereza” në mirënjohje të thellë për kontributin e vyer shumëvjeçar në ndihmesë të fëmijëve të sëmurë e familjeve shqiptare në nevojë nëpërmjet përkujdesjes së veçantë dhe ndihmave humanitare e mjekësore, si dhe në vlerësim të lartë për promovimin e imazhit dhe vlerave të rralla të Shqipërisë e shqiptarëve në Francë. 

Presidenti Meta gjatë fjalës së rastit theksoi se kishte nderin të vlerësonte në emër të shtetit dhe qytetarëve shqiptarë një zonjë, një bamirëse të rrallë, e cila rrjedh nga një familje fisnikësh, duke qenë edhe luftëtare e Rezistencës franceze, edhe mbreterore, edhe republikane, edhe demokrate.

“Nëse historia e vendit dhe e popullit tim ka nxjerrë figurën e bamirëses mbarëbotërore, Shenjtores sonë “Nënë Tereza”, popujt dhe vendet e tjera i kanë dhuruar njerëzit shumë figura të ndritura dhe zonja me shpirt të dhembshur e bujar, që me jetët dhe veprat e tyre kanë zbutur mjerimin, kanë shëruar plagët e kanë ulur ndjeshëm varfërinë. Një ndër to, padyshim është edhe zonja Sylviane Muselier.” – u shpreh Presidenti Meta.

“Në sajë të përkushtimit të paepur, dashurisë dhe dhembshurisë së pakursyer, shpirtit bamirës dhe tejet njerëzor, zonja Muselier u rikthye në vendin e shqiponjave për të vazhduar traditën familjare të përkujdesjes për shqiptarët.

Personat me aftësi të kufizuara, paraplegjikët, fëmijët e varfër e të paushqyer, vogëlushët e sëmurë në spitalin e fëmijëve ishin dhe janë ata që do t’i jenë përjetë mirënjohës ndihmës, përkujdesjes dhe mjekimit me ilaçet dhe pajisjet e dhuruara me aq bujari nga kjo zonjë e nderuar.

Nëse Nënë Tereza na ka mësuar që të bëjmë gjithmonë vepra të vogla mirësie, por me dashuri të madhe, shembulli dhe jeta e zonjës Muselier na mëson që bota nuk është e përkryer dhe se vetëm në saje të përkujdesjes, bamirësisë dhe veprave të mira për të tjerët, njerëzimi do të përmirësohet edhe e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë më e mirë!

Dashuria e saj për Shqipërinë buron nga dashuria e saj e pafund për Mbretëreshën Geraldinë, motrën saj më të madhe, e cila vazhdon të frymëzojë shumë njerëz në Francë, Hungari, Austri dhe në Botë, për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ju, e nderuara zonja Muselier keni merituar mirënjohjen dhe lutjet e falënderimit të një popullit të tërë. Ju faleminderit nga zemra zonja Muselier për gjithçka keni bërë për përhapjen dhe lartësimin e imazhit dhe vlerave më të mira të shqiptarëve në Francë dhe jo vetëm! Mirënjohje të thellë dhe për faktin se jeni një burim i jashtëzakonshëm dhe i pashtershëm mirësie njerëzore!”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Të pranishmit e shumtë në këtë veprimtari ndoqën me ëndje edhe koncertin e orkestrës “French Riviera Soloists” me artistët shqiptarë dhe francezë si dhe sopranon Blerta Zhegu.
Sigal