Presidenti Meta vlerëson poeten Zhuliana Jorganxhi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”

461
Sigal

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot poeten e shquar Zhuliana Jorganxhi me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Me mirënjohje ndaj punës së çmuar si artiste e fjalës shqipe; për krijimtarinë e saj të begatë me përkushtim dhe atdhetarizëm për këngët shqiptare, duke dhënë shembullin si frymëzuese dhe pararendëse e një brezi të mrekullueshëm krijuesish. Në vlerësim të veprës si intelektuale e vijës së parë, e cila përmes mesazheve dhe kumteve të saj, ndihmoi në veçanti për emancipimin e gruas dhe rinisë shqiptare”.

Në një ceremonie solemne, organizuar në nder të Jorganxhi, Meta gjatë fjalës së tij drejtuar artistëve, personaliteve të artit dhe kulturës, kreu i shtetit shprehu vlerësime për poeten.

“Të nderuar personalitete të artit e kulturës, të nderuar familjarë, të nderuar pjesëmarrës.

Jam i lumtur që ndodhemi sot, së bashku, për të vlerësuar një personalitet të shquar të letërsisë dhe artit shqiptar, poeten e mirënjohur Zhuliana Jorganxhi. Ky aktivitet në kuadër të nismës “Artistët Shqiptarë në Presidencë”, është një nismë që shërben për të vlerësuar dhe lartësuar punën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të artistëve tanë në fushën e artit dhe të kulturës.

Thuhet që arti i kapërcen kohërat dhe kjo shprehje gjen kuptim të plotë në veprimtarinë e poetes Zhuliana Jorganxhi, që vazhdon të mbetet edhe pas më shumë se 50 vitesh, një nga emrat më të rëndësishëm të shkollës shqiptare të këngës dhe të poezisë.

E lindur në qytetin e Korçës, në një familje me tradita të hershme patriotike dhe muzikore, Zhuliana Jorganxhi u rrit mes muzikës dhe poetikës së këngëve korçare, duke ndjekur natyrshëm rrugën e artit.

Aktiviteti i saj letrar fillon që në moshë të hershme dhe poezitë e saj shohin dritën e botimit kur ajo ishte vetëm 17 vjeç. Por, ajo çka e bëri Zhuliana Jorganxhi të quhet “Mbretëreshë e këngës shqiptare” është kontributi i jashtëzakonshëm në fushën e teksteve të këngës shqipe. Me thjeshtësinë, ëmbëlsinë dhe ndenjën e thellë, vargjet e krijuara nga Zhuliana kanë marrë madhështi dhe përjetësi.

Të gjithë ne jemi rritur duke dëgjuar emrin e saj si autore e teksteve të këngëve të festivaleve tona kombëtare, e lidhur kjo ngushtësisht me emrat e kompozitorëve dhe këngëtarëve më të shquar shqiptar.
Fjala e shkruar prej saj i ka dhënë vlerë muzikës dhe forcë tingullit, duke hyrë thellë në shpirtin e dëgjuesve. Zhuliana është një poete me ndjeshmëri të lartë jo vetëm shpirtërore, por edhe shoqërore.
Në vargjet e Zhulianës kanë zënë vend ngjarje të rëndësishme historike, momente të vështira të kaluara nga populli ynë, por edhe dashuria dhe miqësia.

Zhuliana Jorganxhi është jo vetëm poete e mirënjohur, mjeshtre e vargut poetik, por edhe një intelekuale e angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të kauzave të fëmijëve pa familje dhe pa kujdes prindëror. Personaliteti njerëzor, thjeshtësia, ngrohtësia shpirtërore dhe humanizmi i saj transmetohen si në krijimtarinë poetike dhe në veprimtarinë e saj si aktiviste e shoqërisë civile, duke na dhënë figurën jo vetëm të një artisti të jashtëzakonshëm, por edhe të një gruaje të jashtëzakonshme.
Për kontributin e madh për këngën shqipe, për përkushtimin dhe atdhetarizmin e saj, dhe për angazhimin e saj si intelektuale e vijës së pare, është kënaqësi të nderojmë sot zonjën Zhuliana Jorganxhi me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.”, tha Meta.