Presidenti Meta takohet me Kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashtme në Kongresin Amerikan, Eliot Engel

471
Sigal

Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta u prit në Kongresin Amerikan nga Kongresmeni, Eliot Engel, njëkohësisht Kryetar i Komisionit për Politikën e Jashtme.

Presidenti Meta falënderoi Kongresmenin Engel për rolin e tij të pazëvendesueshëm, jo vetëm në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, por veçanërisht për angazhimin e tij të pakursyer për çështjen shqiptare në momentet më të vështira historike për kombin, çlirimin e pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Presidenti Meta shprehu besimin se z. Engel do të vijojë angazhimin e tij për të ndikuar në një vëmendje më të madhe të administratës amerikane, jo vetëm në raportet dypalëshe, por veçanërisht në sfidat euro-atlantike që po kalon rajoni.

“Një vëmendje e veçantë duhet të përfshijë Kosovën, që ndodhet në një moment të rëndësishëm për finalizimin e një marrëveshjeje me Serbinë, që do të jetë e qëndrueshme, afatgjatë dhe do të sjellë siguri dhe stabilitet në rajon”, – u shpreh Presidenti Meta.

Kongresmeni Eliot Engel siguroi Presidentin Meta për angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e arritjeve të derisotme në rajon falë përkushtimit të SHBA për paqen dhe lirinë.