Presidenti Meta pret në takim Presidentin e Polonisë, Andrzej Duda: Partneritet i shkëlqyer

522
Sigal

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, priti në një takim Presidentin e Republikës së Polonisë, Andrzej Duda, i cili ishte njëkohësisht dhe i Ftuar Nderi i Samitit të Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, që u zhvillua në Tiranë, më 8-9 maj 2019.

Pas ceremonisë shtetërore të mirëseardhjes, dy Presidentët, zhvilluan një takim kokë më kokë e më pas një takim të zgjeruar mes dy delegacioneve.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet tradicionalisht shumë të mira e miqësore midis dy vendeve e popujve, që siç theksoi janë shumë më të thella në histori se marrëdhëniet diplomatike.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për vizitën e Presidentit Duda në Tiranë, si dhe pjesëmarrjen e tij në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, duke e konsideruar këtë vizitë, një mesazh të qartë mbështetës për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor në kuadër të agjendës evropiane.

Image

Duke u ndalur tek marrëdhëniet dypalëshe, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Polonia në fushat e arsimit, sportit, kulturës, inovacionit, mbrojtjes dhe administratës publike.

Të dy krerët e shteteve ndanë mendimin se më shumë duhet bërë në drejtim të nxitjes së bashkëpunimit ekonomik, e veçanërisht në fushën e turizmit, që vlerësohet me potenciale të mëdha në rritje.

Image

Presidenti Meta shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhduar dhe të qartë të Polonisë për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, e në mënyrë të veçantë për çeljen sa më shpejt të negociatave të anëtarësimit, si dhe në kuadër të Grupit të Vishegradit.

Presidenti Meta i uroi Presidentit Duda shumë suksese për organizimin e Samitit të ardhshëm për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit dhe shprehu besimin se ky samit do t’i çojë më tej projektet e nisura zhvillimore për rajonin tonë.

Duke u ndalur në zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Presidenti Meta nënvizoi se një nga çështjet më urgjente mbetet çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Presidenti Meta pranoi me kënaqësi ftesën e Presidentit Duda, për të vizituar Poloninë, më 1 shtator të këtij viti.

Image