Presidenti Meta pret delegacionin nga Organizata Pan-Shqiptare “Vatra” në SHBA, Kryetari Elmi Berisha: Shqetësim i diasporës, zgjedhjet të jenë të drejta

153
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, priti sot një delegacion të kryesisë së Organizatës Pan-Shqiptare “Vatra” të SHBA-së, të udhëhequr nga Kryetari i saj, zoti Elmi Berisha.

Zoti Berisha e informoi Presidentin Meta, se qëllimi i vizitës së këtij delegacioni është që të përcjellë mbarëvajtjen e zgjedhjeve tepër të rëndësishme parlamentare të 25 prillit 2021.

“Shqetësimi i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është që ky proces zgjedhor të jetë sa më i rregullt, i drejtë, i barabartë dhe pa probleme, si dhe të ketë një rezultat pozitiv për rrugën europiane të Shqipërisë dhe për bashkëpunimin e sinqertë me SHBA”, – theksoi gjatë takimit zoti Berisha, në emër të Organizatës “Vatra”.

Presidenti Meta falënderoi përzemërsisht përfaqësuesit e “Vatrës” për vizitën në këtë kohë në Shqipëri dhe sidomos për interesimin e tyre dhe të bashkëatdhetarëve shqiptaro-amerikanë për procesin zgjedhor.

Presidenti Meta e informoi delegacionin e “Vatra” me parregullsitë, që po vërehen gjatë këtij procesi, mbi të gjitha, për vjedhjen e paligjshme dhe keqpërdorimin e të dhënave personale të shtetasve, që është një krim shtetëror dhe me pasoja të mëdha.

Kreu i Shtetit nënvizoi gjithashtu shqetësimin e tij për klimën dhe situatën tepër të rënduar, që po nxitet nga mazhoranca në pushtet, dhe nga kryeministri aktual i vendit.

Presidenti Meta shprehu angazhimin e tij maksimal për zhvillimin sa më korrekt të procesit zgjedhor dhe mbarëvajtjen e tij, duke theksuar se do të jetë kudo në Shqipëri në mbrojtje të votës së lirë, të Kushtetutës dhe të demokracisë.

Presidenti Meta inkurajoi gjithashtu drejtësinë, që të vendosë përpara përgjegjësisë ligjore çdo shkaktar të prishjes se procesit zgjedhor, në veçanti të vjedhjes, blerjes dhe manipulimit të votave.