Ditën e sotme, Presidenti i vendit tonë, Ilir Meta me anë të një mesazhi të shpërndarë në rrjetet sociale ka nderuar në ditën e tij të lindjes, kujtimin e mikrobiologut të shquar, Bilal Golemit.
“Një nga etërit themelues të mjekësisë sonë veterinare, ai ishte i pari që hapi laboratorin bakterologjik dhe hartoi ligjin mbi shërbimin veterinar, që falë ideve progresive dhe një veprimtarie të jashtëzakonshme shkencore, do të përzgjidhej në vitet ’50 nga Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë, si një prej ekspertëve më të vyer të saj.”, – shprehet Meta në mesazhin e tij.
Mesazhi i tij i plotë:
Në ditën e tij të lindjes, nderojmë sot kujtimin e një prej korifejve të shkencës shqiptare me dimensione ndërkombëtare, mikrobiologun e shquar, Bilal Golemi.
Një nga etërit themelues të mjekësisë sonë veterinare, ai ishte i pari që hapi laboratorin bakterologjik dhe hartoi ligjin mbi shërbimin veterinar, që falë ideve progresive dhe një veprimtarie të jashtëzakonshme shkencore, do të përzgjidhej në vitet ’50 nga Organizata Ndërkombëtare e Shëndetësisë, si një prej ekspertëve më të vyer të saj.
Edhe pse i ndarë nga jeta në moshë të re, kontributi dhe vepra e Bilal Golemit, kanë zënë vendin e merituar në panteonin e vlerave të shkencës shqiptare, duke mbetur një model frymëzues për gjeneratat e reja.
Në këto kohë plot sfida për mjekësinë, i nxis të rinjtë shqiptarë të fokusohen te shkencat e aplikuara si veterinaria dhe mikrobiologjia, që garantojnë vende të sigurta pune dhe karrierë të suksesshme.





















