Presidenti Meta: Në 25 prill forcat politike të distancojnë figurat me probleme me ligjin

190
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot në qytetin e Korçës në kuadër të nismës së ndërmarrë nga ”Aleanca për Dhurimin e Gjakut” në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Shqiptar. Meta ka dhënë një prononcim , ku ka folur për çështjet kryesore të ditëve të fundit.Ilir Meta thotë se më 25 prill do të fitojë e ardhmja europiane e Shqipërisë. Sipas tij kjo e fundit nuk mund të humbë.

Prononcim i Presidentit Meta për mediat nga qyteti i Korçës:

Pyetje: Zoti President, para pak ditësh i jeni drejtuar partive politike që listat duhet të jenë me kandidat të pastër…

Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste njëkohësisht kryeministri Rama,  është shprehur se ligji i dekriminalizimit është një deklaratë.. A dilni Ju garant që listat të mos kenë persona të cilët kanë probleme me ligjin?

Presidenti Meta: Nuk dëshiroj të hyj në detaje për këtë çështje. Fakti, që ne e kemi bërë një ligj për dekriminalizimin tregon, që ky ka qenë një problem serioz i politikës tonë, i Kuvendit, i pushtetit vendor dhe i niveleve të tjera të qeverisjes.

Është e domosdoshme, që në 25 prill, të tregohet një vullnet nga të gjitha forcat politike, mbi të gjitha nga vetë qytetarët shqiptarë, për t’u distancuar nga figurat, të cilat nuk e përfaqësojnë interesin e tyre më të lartë publik dhe që kanë ato probleme, që janë të qarta në ligjin e dekriminalizimit.

Partitë duhet të jenë gati, për figura  me integritet dhe me besimin e plotë të qytetarëve.

Pyetje: Zoti Meta, Fatos Nano ju ka faturuar 7 mëkatet e Biblës, si e komentoni?

Presidenti Meta: E kam thënë edhe më parë zero komente, për zerozeron.

Edhe të merresh me kumar, edhe të citosh Biblën, nuk shkon.

Pyetje: Zoti Presidenti,  dje kryeministri Rama ka bërë  me dije se Greqia është në të drejtën e vet për çështjen e detit…

Ndërkohë që e gjithë zhurma vjen nga opozita shqiptare ka cituar Kryeministri Rama..! Cili ështëkomenti juaj?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment përveç fakti,t që ne kemi një vendim të veçantë të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe të gjitha autorizimet janë dhënë në përputhje me vendimin  e Gjykatës Kushtetuese.

Çdo veprim individual nuk përfaqëson Republikën e Shqipërisë.

Pyetje:Zoti President, ju jeni shprehur se 25 prilli nuk do të jetë zgjedhje por referendum

Presidenti Meta: E padiskutueshme. Do të jetë një referendum shumë herë më i rëndësishëm se ai i nëntorit i vitit 1994, për të ardhmen e popullit shqiptar, sepse pas 30 vjetësh është vënë në diskutim e ardhmja europiane e Shqipërisë, njëprojekt që mbështetet nga 99% e qytetarëve shqiptarë dhe pas 30 vjetësh jemi kaq pas Serbisë, Malit të Zi dhe vendeve të tjera.

Në 25 prill duhet hequr pengesa kryesore e kësaj të ardhme europiane të popullit shqiptar.

Pyetje:Shqipëria jashtë Europës për shkak të mëkateve të politikës shqiptare?

Presidenti Meta:Pa asnjë diskutim. Shqipëria nuk kapasur asnjë problem tjetër madhor, përveçse vendosjes së interesit personal tëpushtetit të politikanëve dhe forcave të caktuara politike mbi atë kombëtar. Interesi kombëtar i të gjithë forcave politike dhe i qytetarëve shqiptarë, është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian sa më parë.

Pyetje: Zoti President, kryeministri dje nga Gjirokastra tha se, nuk është katastrofë largimi i shqiptarëve. Cili është komenti juaj?

Presidenti Meta:Në 25 prill shqiptarët do të votojnë kundër shpopullimit. Të gjitha statistikat tregojnë se nuk kemi largim nga Shqipëria, siç mund të flasim në rastin e Serbisë, Malit të Zi dhe vendeve të tjera. Në Shqipëri përmasat janëkatastrofike, kemi shpopullim. Këtë besoj e ndjejnë të gjithë sipërmarrësit, e ndjejnë të gjithë prindërit që kanë ngelur të vetmuar dhe 25 prilli është votë kundër shpopullimit.

Duhet të tregojmë kujdes për tërinjtë, që ata të rrinë këtu në Korçë, të rrinë në Shqipëri dhe të mos shkojnë të punojnë në Maqedoni. Përse ndodh kjo? Sepse mbështetet bujqësia në Maqedoni 10 herë më shumë se në Shqipëri dhe kjo nuk është diçka, që nuk mund të arrihet se, nuk po e krahasojmë me Danimarkën.

Pyetje:Cili është roli juaj në zgjedhje? Në njërën anë jeni President i Republikës dhe në anën tjetër bëni thirrje që, Rama duhet të largohet..!

Presidenti Meta:Këtë thirrje e bëtë ju. Thirrja ime është, që të gjithë qytetarët shqiptarë të kuptojnë rëndësinë e forcës së votës së tyre. Asnjë mos të mungojë në 25 prill, në një takim historik të shqiptarëve me të ardhmen e tyre, e cila është vetëm europiane.

Pyetje: Çfarë ndodhë nëse zoti Rama fiton?

Presidenti Meta:Do fitojë e ardhmja europiane e Shqipërisë.

Pyetje:Do e pranoni humbjen në rast se Rama fiton?

Presidenti Meta:Por, si mund të humbasë e ardhmja europiane e Shqipërisë.