Presidenti Ilir Meta/ Vizitë në Maqedoni, takohet me Zaev: Respektimi i të drejtave të pakicave, kyç për paqen në Rajon

448
Sigal

Respektimi i të drejtave të pakicave, kyç për paqen e stabilitetin e Rajonit

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvillon vizite pune në Maqedoni, takohet me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev

Presidenti Meta zhvillon një vizitë punë në Maqedoni, ku u prit edhe me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev. Presidenti Meta, duke iu referuar takimit më kryeministrin maqedonas Zaev theksoi se është me rëndësi përfundimi me sukses i marrëveshjes së Prespës, që do të mundësonte dhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Presidenti Meta dhe kryeministri maqedonas Zaev diskutuan edhe çështjen e respektimit të të drejtave te pakicave, kyç për paqen e stabilitetin e rajonit. Presidenti Meta theksoi se Shqipëria është e angazhuar plotësisht për respektimin e të drejtave të pakicës maqedonase. Presidenti Meta: Me rëndësi është edhe bashkëpunimi mes dy qeverive në kuadër të procesit të Berlinit. Vlerësoj angazhimin e Zaev për lidhjen hekurudhore midis dy vendeve, si investim strategjik për të ardhmen e marrëdhënieve ekonomike e tregtare, jo vetëm të dy vendeve, por me impakt rajonal. Presidenti Meta e kryeministri maqedonas Zaev theksuan rëndësinë e forcimit të përpjekjeve në rrugën e reformave për çeljen e negociatave qershorin e ardhshëm me BE. Presidenti Meta dhe kryeministri maqedonas Zaev morën pjesë së bashku në ceremoninë festive, që u organizua dje në Shkup me rastin e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

 

Presidenti Meta buqetë me lule tek monumenti i Skënderbeut në Shkup

Presidenti Ilir Meta po merr pjesë në kremtimet e Ditës Kombëtare të Alfabetit të Gjuhës Shqipe në Maqedoni. I shoqëruar dhe nga kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, Zv/Kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, udhëheqës politikë, deputetë si edhe dhjetëra shqiptarë në Maqedoni, Meta u përul me respekt dhe vendosi një buqete me lule te monumenti i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Shkup. “Jam shumë i lumtur që gjendem në Shkup së bashku me udhëheqësin e Bashkimit Demokratik për Integrim zotin Ali Ahmeti, me Kryeparlamentarin e Republikës së Maqedonisë, zotin Xhaferi dhe shumë personalitete të tjera për të marrë pjesë në kremtimin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, kësaj ngjarjeje madhore për të gjithë kombin shqiptar, që i bashkoi të gjithë shqiptarët rreth Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe që i parapriu edhe Pavarësisë së Shqipërisë, ekzistencës së shtetit shqiptar dhe gjitha mbarësive që u gëzohet kombi ynë sot. Është kënaqësi për ta nisur këtë kremtim duke u përulur me nderim këtu në Shkupin e vjetër para monumentit të Heroit tonë Kombëtar edhe në kuadër të 550-vjetorit të kujtimit të kësaj figure të përmasave evropiane. Dje pata kënaqësinë të isha me Presidenten e Kroacisë në Zadar, me komunitetin e Arbanasve për të festuar këtë 550-vjetor dhe më mbeti në mendje referimi që Presidentja e Kroacisë i bëri njërit prej shkrimtarëve më të njohur kroatë për figurën e Skënderbeut, i cili me të drejtë kishte thënë që “Hero më të madh nuk ka lindur nëna akoma.” Këtu në Shkup do të preferoja t’i referohesha Fan Nolit tonë të madh, njërin prej kontribuuesve kryesorë edhe të Kongresit të Manastirit, pavarësisht se nuk arriti të merrte dot vetë pjesë duke u përfaqësuar përmes Sotir Peçit dhe patriotëve të tjerë, se ‘Skënderbeu do të mbetet përgjithmonë shqiptari më i gjallë ndër shqiptarët e gjallë’, që do të thotë se është vepra e jashtëzakonshme e kësaj figure madhore, jo vetëm e kombit tonë, por edhe e qytetërimit evropian, që përcaktoi identitetin tonë evropian, rrugën tonë evropiane, për të cilën edhe sot ne jemi të angazhuar, shqiptarët kudo në të gjithë rajonin dhe ku faktori shqiptar në Maqedoni jep një kontribut historik, dhe përcaktues. Sigurisht që është kjo rrugë, të cilën e përcaktoi me veprën e tij Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që udhëhoqi edhe filozofinë e bashkimit në Kongresin e Manastirit për Alfabetin e Gjuhës sonë, një alfabet që ndihmoi dhe kontribuoi jo vetëm Pavarësinë e Shqipërisë, po ka kontribuuar për të gjithë rrugën tonë europiane deri më tani. Ndaj nderimin më të madh sot për Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Mid’hat Frashërin, për gjithë ata personalitete të shquara, për përfaqësuesit e familjes Qiriazi, të cilët në kushte shumë të vështira arritën t’i japin kombit tonë një fuqi të jashtëzakonshme të bashkimit dhe të udhëheqjes për të ardhmen e kombit tonë. Me këtë rast dua të vlerësoj edhe të gjitha përpjekjet që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen këtu për të ecur drejt, jo vetëm ruajtjes, por edhe të përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni, në përputhje edhe me Marrëveshjen e Ohrit, dhe të përgëzoj këtë frymë të re bashkëpunimi e bashkëjetese në Republikën e Maqedonisë, që është e vetmja rrugë për paqe dhe stabilitet në të gjithë rajonin tonë.”, – tha Meta.

Presidenti Meta në Kroaci, viziton shkollën ku mësohet shqip

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Presidenti Meta po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci, ku ka vizituar edhe zona të banuara me shqiptarë të shpërngulur aty shekuj më parë. Gjatë vizitës, në zonën e banuar nga shqiptarë, Presidenti Meta është ndalur edhe tek shkolla “Krune Krstića”, ku mësohet edhe Gjuha Shqipe. “Emocione të veçanta përjetova gjatë vizitës në Shkollën “Krune Krstića” në Zadar, me nxënësit e mësuesit e gjuhës sonë të bukur, aty ku Ndre Mjeda e Gjergj Fishta kanë folur shqip dhe ku janë shkolluar në gjuhën e tyre amtare breza Arbanasish dhe një plejadë e tërë akademikësh, studiuesish, shkrimtarësh, artistësh e sportistësh, duke krijuar vlerën e përbashkët sa Arbneshe, aq edhe kroate”, shkruan Meta në postimin e tij në Facebook. Arbanasi është vendbanim në juglindje të gadishullit të Zarës, sot pjesë e qytetit të Zarës. Ky vendbanim është krijuar në shek. e 18-të me ardhjen e shqiptarëve nga viset jugore të Liqenit të Shkodrës në tri faza të shpërnguljes (në vitin 1726, 1727 dhe 1733). Banorët e këtij vendbanimi e kanë ruajtur gjuhën e të parëve, me përzierje të kroatishtes dhe dialektit të Venetos.